Faruza Haki Kallaba, pilotja shqiptaro-amerikano që mbrojti atdheun e babait
„Duke shikuar pas, në 20 vjetët e mia në ushtri, krenaria ime më e madhe vjen nga shërbimi im në operacionet Desert Shield dhe Desert Storm të NATO-s, duke luftuar në misionet për mbrojtjen e popullit tim të mirë të Kosovës. Ishte nder të ndihmoj dhe mbroj popullin shqiptar dhe atdheun e babait tim“- Faruza Kallaba
Faruza Kallaba u lind më 1956 në Damask të Sirisë. Më 1959 prindërit e saj Haki dhe Anna Kallaba transferohen nga Damasku në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në shkollën publike të Çikagos. Faruza ka studiuar dhe është diplomuar për linguistikë në Universitetin verilindor të Illinoisit, në vitin 1989.
Faruza Kallaba është femra e parë në historinë e Gardës Nacionale të forcave ajrore të shtetit Illinois, SHBA, pjesë e së cilës u bë në vitin 1979. Më 1984 ajo u shpall femra e parë, anëtare e ekipit të fluturimit të këtij institucioni të lartë ushtarak amerikan. Më 1991 merr pjesë në intervenimin amerikan për mbrojtjen e Kuvajtit.
Në vitin 1999, kur forcat ajrore amerikane kishin vendosur të sulmonin caqet ushtarake serbe, në shenjë të mbrojtjes së popullatës shqiptare në Kosovë, Faruza Kallaba është paraqitur vullnetarisht për t’iu bashkëngjitur operacioneve të NATO-s kundër Beogradit. Gjatë këtij operacioni ushtarak, që synonte mposhtjen e luftës dhe gjenocidit serb kundër shqiptarëve, Faruza ishte përgjegjëse për furnizim me karburante të aeroplanëve bombardues, gjatë fluturimit. Në saje të ekspertëve ushtarakë kjo detyrë konsiderohet ndër më të përgjegjshmet në operacionet ushtarake ajrore të NATO-s. Gjatë luftës në Kosovë Faruza ka marrë pjesë në mbi 30 operacione luftarake. Në Gardën nacionale amerikane ajo angazhohet në ekuipazhin e aeroplanit A KC-135 E që ishte i destinuar për furnizim me karburante në ajër, të aeroplanëve luftarakë. Karrierën e saj ushtarake Faruza e ndërtoi me pjesëmarrjen e saj në misionet e guximshme në kuadër të operacioneve „Desert Shield“ dhe „Desert Storm“ të NATO-s.