-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Kur leximi bëhet pasion e pasioni përditshmëri

Arkivi

Edhe pse leximi i librave nuk u nevojitet për ndonjë shkollim, Ilmi dhe Fehmi Kryeziu nga fshati Roganë i Komunës së Dardanës/Kamenicës leximin e kanë pasion të përditshëm. Ilmiu, madje është lexues i rregullt i bibliotekës së shkollës fillore të fshatit Roganë.

Dikur kishim “Oda” (dhoma të dedikuara vetëm për mysafirë) dhe muhabeti zgjaste me orë të tëra, madje edhe ishte plot me burra, përveç ndonjë të riu që duhej të shërbente. Ndonëse ato “Oda” sot janë të pakta, ose rrallë të përdorshme, ndeja bëhet në dhomat e ditës, ku, shpesh, janë edhe fëmijët aty. Asgjë të keqe, sepse fëmijët duhet të dëgjojnë muhabet burrash, por kohët kanë ndryshuar dhe, sot, fëmijët në duar kanë një telefon mobil, nga i cili konsumojnë informacione nga e gjithë bota.

Sidoqoftë, Ilmiu (84) dhe Fehmiu (81) takohen shpesh në “Odat” e njëri-tjetrit për të evokuar situata të moshës së tyre rinore, ose për të komentuar ndodhitë e kohës së sotme. Veç kësaj, edhe pse në moshë të shtyrë, edhe njëri edhe tjetri lexojnë libra të ndryshëm që u bien në dorë, dhe gjithsesi ato i shkëmbejnë mes vete. Ilmiu, madje, shpesh huazon libra nga biblioteka e SHFMU “Metush Krasniqi” në Roganë, i lexon ato dhe i kthen me përpikëri. Ai, për shumicën e librave të lexuar merr shënime dhe i komenton në ditarin e tij, duke vlerësuar autorin dhe librin. Të parapëlqyerve shpesh edhe ua kushton ndonjë poezi. “Leximi më kaluar në pasion, prandaj nuk mund ta kaloj ditën pa lexuar disa orë”, thotë Ilmi H. Kryeziu, i cili karrierën e tij të punës e kishte filluar në tetor të vitit 1958 në bibliotekën e Muçivërcit, për të vazhduar në zyrën e ofiqarisë, po në Muçivërc e pastaj në Dardanë/Kamenicë. Ai pensionohet si zyrtar i Gjykatës komunale në Kamenicë, në vitin 2004.

Nga ana tjetër Fehmi K. Kryeziu ka bërë vetëm dy vjet shkollë te mësuesi Sejdi Hoxha, i cili nga një qortim i tepruar dhe nga një veprim jopedagogjik ia kishte shkoqur veshin dhe e kishte dekurajuar që të vazhdonte shkollimin. Por, Fehmiu inteligjent bëri shkollën e jetës, e cila i mësoi më shumë se librat e fëmijërisë së tij. Si i ri, ai vazhdimisht ishte i pranishëm në oda burrash dhe muhabetet i incizonte si një magnetofon, për t’i rrëfyer, më vonë, edhe vetë në ndeja të ndryshme.

Në pyetjen e atypëratyshme se çka i kujtohet nga ndonjë muhabet i tillë ai mori një shembull që ka vlerë edhe në ditët e sotit, dhe vazhdoi: “Ishim njëherë në odën e Haxhi Xhemailit dhe së shpejti duhej të ndodhnin disa zgjedhje lokale të kohës. Shumë njerëz injoronin zgjedhjet, prandaj edhe nuk donin të merrnin pjesë në to. Haxhi Xhemaili mori fjalën dhe na tha: kur të ketë zgjedhje për të parin e fshatit dilni të gjithë në zgjedhje e zgjidhni më të mirin, se përndryshe e zgjedhin ndonjë kryetar të dobët e ia sheh sherrin krejt katundi”.

Sot, bashkë me Ilmiun, në “odën” e bacës Fehmi kaluam dy orë të mira me muhabetin dhe meseletë e tij, ndërkaq arsyeja e vizitës ishte ardhja e djalit të tij, Hasimit nga qyteti Lugano i Zvicrës. Me këtë rast, djali tjetër i Fehmiut, Zijadini i njohur për sukseset e tij  në fushën e atletikës deri në nivel olimpiade na shkrepi disa foto që regjistrojnë këtë ndejë. (xh.k.)

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja