2.2 C
Kosovo
26/11/2024

Dasma roganase dje dhe sot

Arkivi

Deri në vitet ’70 të shekullit të kaluar dasmat kanë qenë tradicionale dhe ceremonia e tyre ka zgjatur 3-5 ditë, duke filluar nga dita e mërkurë (nata e kulaçit) e cila është festuar në familjen e djalit. Në mbrëmjen e së mërkurës, të afërmit e familjes janë tubuar në shtëpinë e djalit dhe kanë bërë programin e ecurisë së gazmendit dasmor. Kryefamiljari, në bashkëpunim edhe me ndonjë anëtar më të vjetër i kanë ndarë detyrat: është caktuar kush do t’i shpërndajë ftesat, të cilat kanë qenë gojore; janë caktuar shërbëtorët nëpër konakë; pastaj janë caktuar personat që do të merreshin me pritjen e mysafirëve në gazmendin e mbrëmjes të ditës së shtunë, kush do ta bartë flamurin etj. Pasi të jenë ndarë detyrat kanë ngrënë prodhime të stinës (misër të zier, patate të ziera, shalqi, mollë, dardha, rrush etj.). Në këtë mbrëmje të rinjtë kanë luajtur lojëra të ndryshme popullore: “bad-bad”, “fshehja e unazës”, “loja e filxhanëve”, “loja e kapuçit”, është kënduar etj.

Të enjten ceremonia është bërë në familjen e vajzës, me ç’rast vajza e ka ngjitur kanën. Vajzat e tjera kanë kënduar këngë në përcjellje të muzikës nga defet.

Të premten ceremonia është bërë po ashtu në familjen e vajzës, ku kanë ftuar mysafirë. Mbrëmja është përshkuar me këngë e valle tradicionale.

Të shtunën ceremonia dasmore është bërë në familjen e djalit. Mysafirë të shumtë nga farefisi dhe nga lagjet e fshatit janë ftuar në darkë. Para dhe pas darke mysafirët janë argëtuar me këngë e valle. Nuk ka munguar as muzika instrumentale me çifteli e me kavalle.

Për ditën e diel qysh më herët janë ftuar krushqit, të cilët kanë shkuar te familja e vajzës për ta marrë e për ta sjellë në shtëpinë e djalit. Krushqit kanë udhëtuar në këmbë ose me qerre. Qerrja e nuses është dekoruar mirë e mirë; është mbuluar zakonisht me një qilim të kuq. Brenda në qerre, në mesin e femrave ka qenë edhe një djalë 4-8 vjeç, i cili nuses së re ia ka hequr vellon dhe mbi kokën e saj i ka hedhur bonbone, oriz, leblebia, etj. Në të kthyer, gjatë rrugës, e kanë thyer udhën. Ky veprim më tepër është bërë nga bestytnia që të mos takohen me krushq të ndonjë dasme tjetër, sepse ka pasur raste kur krushqit e dy dasmave janë zënë mesveti, duke mos lëshuar rrugë.

Vajzat nga ana e burrit kanë kënduar disa këngë te shtëpia e nuses, pastaj kanë vazhduar bashkërisht vallëzimin.

Krushqit janë pritur nga një radhë familjarësh të nuses. Për t’i pritur ata janë vendosur në anën e majtë. Krushqve u ka prirë një njeri më i moshuar, por edhe që ka pasur aftësi të mira komunikimi. Menjëherë pas tij ka pasuar një djalë i pjekur i cili ka mbajtur flamurin kombëtar, të cilin në besim ia ka dorëzuar një personi të caktuar nga pala pritëse, derisa ka zgjastur ceremonia e marrjes së nuses. Mbajtësi i flamurit është shpërblyer nga organizatori i dasmës. Krushqit janë vendosur në një odë, ose, nëse ka qenë kohë vere e me mot të mirë, janë vendosur në ndonjë livadh a hapësirë përkatëse me ndonjë hije pemësh. Një përfaqësues i nuses dhe një i burrit kanë bërë një marrëveshje gojore me ç’rast është caktuar një shumë parash që do t’i takonte gruas nëse vjen deri te ndarja e çiftit bashkëshortor. Shuma e parave ka qenë e arsyeshme dhe e barasvlerëshme me shpenzimet e gruas për një vit kalendarik.

Sapo të ketë hyrë nusja në qerre ose veturë është dashur të qëndrojë në këmbë derisa krushqit janë bërë gati për t’u nisur. Në momentin që është nisur qerrja e nuses, ajo është ulur dhe dikush nga familja e nuses i ka mëshuar lehtas tri herë qerres dhe ia ka lagur rrotat qerres me ujë. Në dalje të fshatit dikush nga familja e burrit ke shtënë me armë në shenjë konfirmimi të marrjes së nuses.

Gazmendi më pas ka vazhduar në familjen e burrit. Bashkëshorti e ka pritur nusen që ia kanë sjellë krushqit, pra ai nuk ka qenë pjesë e krushqve.

Në mbrëmje burri ka hyrë dhëndër në dhomën e tij dhe nuk ka dalë jashtë deri në mëngjes. Në mëngjes një grup femrash me defe kanë shkuar te dera e dhomës së dhëndrit dhe kanë kënduar për ta zgjuar dhëndrin. Nusja e dhëndri mëngjesin e kanë ngrënë bashkë me anëtarët e familjes, me ç’rast janë përgatitur petulla.

Të hënën familja e burrit kanë organizuar një ekspozitë të pajës që e ka sjellë nusja me vete që i thonë “Dita e çejzit”.

Loja: “bad-bad” – dhëndri ka hyrë në rrethin e djemve, të cilët ndër këmbë, me gjunjë paksa të mbledhur në formë të shkronjës “V” e përmbysur, kanë përcjellë dorë më dorë një peshqir. Lojtarët i kanë mëshuar dhëndrit në shpinë dhe menjëherë e kanë futur peshqirin ndër këmbë dhe e kanë përcjellë te njëri-tjetri, duke ia dorëzuar atij që e ka pasur më lehtë t’i mëshojë dhëndrit ose atij që ka qenë në mes të rrethit. Bashkëlojtarët vazhdimisht kanë përsëritur fjalët “bad-bad” për ta mashtruar lojtarin e mesit. Dhëndri është dashur ta zë peshqirin te ndonjëri nga lojtarët. Atij që ia ka zënë peshqirin ai është detyruar të qëndrojë në rreth dhe loja ka vazhduar kështu.

Loja: “fshehja e unazës” – dy grupe nga tre deri në katër persona kanë qëndruar përballë njëri-tjetrit. Prapa shpine e kanë përcjellë unazën nga dora në dorë dhe njëri prej tyre e ka fshehur unazën në grusht. Pastaj i gjithë grupi i kanë nxjerrë duart përpara dhe grupi tjetër e ka pasur për detyrë ta gjejë unazën se në cilin grusht është fshehur. Nëse nuk e ka gjetur me dy herë (është shqiptuar fjala: teste), atëherë grupi që ka fshehur ka pasur të drejtë t’u mëshojë kundërshtarëve në shuplaka të duarve nga një të mëshuar me peshqir. Të mëshuarat kanë qenë goxha të dhimbshme, prandaj pjesëmarrja në lojë ka qenë edhe një sfidë. Grupi që e ka gjetur unazën e ka marrë dhe e ka fshehur. Kështu, gjatë lojës, lojtarët kanë dhënë ose kanë marrë të mëshuara me peshqir në duar, të cilat herë-herë kanë qenë të padurueshme. Jo secili i ka përballuar të mëshuarave, prandaj lojtarët kanë qenë të përzgjedhur.

Loja: “loja e filxhanave” – Në gara kanë marrë pjesë dy grupe. Njëri grup e ka fshehur një unazë në njërin prej nëntë filxhanëve të vendosur në një tepsi. Grupi tjetër e ka kërkuar unazën, duke supozuar se ndër cilin filxhan kundërshtari e ka fshehur unazën. Kundërshtari ka pasur vetëm dy mundësi për t’i ngritur filxhanët me supozimin se unaza është ndër filxhanin përkatës. Gjithashtu kundërshtari ka pasur të drejtë që t’i ngritë filxhanët duke thënë paraprakisht sy ky filxhan nuk e ka unazën, ose ky filxhan është bosh. Kjo ka pasur edhe efekt psikologjik, nga i cili kundërshtari ka përfituar, duke zbuluar fshehësin e unëzës, përmes mimikës së tij të fytyrës. Gara është zhvilluar deri në 21 pikë. Pikët kanë mundur të fitohen edhe duke ia hipur filxhanët një filxhani të supozuar, në të cilin është fshehur unaza. Por, nëse supozimi ka qenë i gabuar, pikët i kanë shkuar kundërshtarit.

Grupi fitues ka pasur të drejtën që të këndojë këngë tallëse për grupin humbës, të cilin, shpesh e ka vënë në siklet. Këndimi i kundërshtarit ka shkaktuar neveri te grupi tjetër, por loja ka pasur edhe porosinë që fitorja shpërblehet, ndërkaq humbja ndëshkohet. Po ashtu është kërkuar që edhe humbja të merret me sportivitet dhe në fund kundërshtarit t’i zgjatet dora e fituesit.

Dasma roganase sot

Në fillimshekullin ’21 dasma është bërë e përbashkët me familjarët dhe miqtë e familjes së djalit dhe të vajzës.

Vajza e djali, të shumtën e herës, janë njohur mesveti dhe kanë vendosur për fatin e tyre bashkëshortor. Gjithsesi, miratimi i prindërve ka qenë i mirëseardhur, por ka pasur raste edhe kur prindërit janë vënë para aktit të kryer. Nga ana tjetër, kjo ka të bëjë edhe me një vetëdijësim të të rinjve për zgjedhjen e fatit të tyre për ardhmëninë bashkëshortore. Martesat e aranzhuara, gjithnjë e më tepër, kanë pasur më pak vend në jetën e të rinjve. Mësitnitë tradicionale thuaja se kanë perënduar, ndonëse preferencat kanë qenë dhe janë të mirëseardhura.

Martesat tradicionale tashmë kanë mbetur më shumë pjesë e trashëgimisë sesa realitet i kohës. Prandaj, një vend meritor në arkivimin e kësaj trashëgimie zë bashkëvendësi ynë Zeqir Kryeziu, i cili, në bashkëpunim me Radiotelevizionin e Kosovës, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kishte arritur të realizonte 24 emisione televizive kushtuar dasmës roganase me gjithë procedurat përcjellëse të saj. Rogana ndjehet krenare me Zeqir Kryeziun dhe bashkëvendësit tjerë, të cilët arritën ta realizojnë këtë begati vizuele, e cila, sot, gjendet në arkivin e RTK-së.

T’i kthehemi dasmës roganase sot:

Duke pasur parasysh faktorin “mërgatë” që në Roganë bërbën rreth 30% të popullatës së përgjithshme, edhe organizimi i dasmave ka marrë kahe tjetër. Termini i tyre, tashmë, bëhet i ditur rreth një vit më parë. Rezervohen restorantet përkatëse si dhe ftohen mysafirët, të cilët obligohen ta konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre. Zinxhiri i terminve lidhet edhe me këngëtarët dhe grupet muzikore, xhiruesit e dasmës, koordinimi me ndonjë dasmë tjetër nga të afërmit, e ngashëm. Kjo ka ndikuar kryesisht që dasmat të realizohen gjatë pushimeve verore, përkatësisht gjatë muajve qershor – gusht. Kjo periudhë luan edhe një rol të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së mirëqenies së banorëve rezidentë dhe të bizneseve gastronomike në fshat dhe rrethinë.

Mysafirët, zakonisht çiftet bashkëshortore, marrin pjesë në salla të përbashkëta (me ndonjë përjashtim, kur burrat janë të ndarë nga gratë). Restorantet, nga një konkurrencë e madhe përpiqen të japin maksimumin e tyre të cilësisë në ushqime dhe shërbime përcjellëse gastronomike.

Një pjesë e mysafirëve, gjatë ditës, shkojnë për ta sjellë nusen te shtëpia e dhëndrit. Për dallim nga e kaluara, bashkëshorti, po ashtu, merr pjesë në radhët e krushqve, madje, bashkë me nusen hipin në makinën luksoze të dekoruar enkas për “qerren e nuses”. Nusja e burri shkojnë në shtëpinë e burrit.

Në mbrëmje, për mysafirët, caktohet një termin prej rreth një ore për pritjen e tyre. Pas akomodimit të tyre në restorant fillon gazmendi martesor me grupiin e preferuar muzikor dhe mysafirët. Pas një kohe, por para darkës, vijnë mysafirët e ftuar nga ana e nuses, të cilët, zakonisht, vendosen në tavolinat afër tavolinës së çiftit bashkëshortor.

Në sallë vazhdon gazmendi, tashmë edhe me mysafirët e familjes së nuses. Pak para darkës në sallë hyn çifti bashkëshortor, i cili pritet me duartrokitje të gjata frenetike dhe me ndonjë pikë specifike muzikore.

Vlen të përmendet se me ardhjen e nuses dhe të dhëndrit në sallë organizohet edhe kurorëzimi i çiftit nga personi zyrtar – ofiqari, por ka raste edhe kur bëhet edhe kurorëzimi fetar nga imami i fshatit.

Pas një loje të përbashkët edhe me çiftin bashkëshortor bëhet ceremonia e tortës, si akt i një përafrimi edhe më të theksuar të nuses e të burrit, duke e ngrënë tortën si shenjë të ëmbëlsisë së jetës së tyre, të cilën e ndajnë bashkë me mysafirët e ftuar.

Gazmendi vazhdon deri në orët e vona me programin e përzgjedhur muzikor. Në shenjë të ruajtjes së një pjese të dasmës tradicionale mbrëmjen e begaton prania e një grupi me daulle e zurla. Për plotësimin e pjesës tradicionale, më vonë, këngëtari i mbrëmjes fton burrat në sallë që të afrohen pranë sofrës në të cilën sillet një ose më shumë qengja të pjekur. Këngët patriotike të përcjella shpesh edhe me çifteli, dhe të bashkëkënduara edhe nga pjesëtarë të sofrës, krijojnë një kulm të atmosferës festive të dasmës.

Ora e fundit e gazmendit, që zakonisht është rreth orës dy pas mesnate, vihet në dispozicion të të rinjve në sallë, të cilët vallëzojnë nën tingujt e muzikës së diskove.

Të nesërmen në familjen e burrit organizohet “dita e çejzit” që është një lloj ekspozite e pajës së nuses. (xhk)

Video nga arkivi i RTK-së

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja