15.5 C
Kosovo
19/09/2024

Fillimvit i mbarë

Arkivi

Nijazi Kastrati, poet

Nëse i referohemi thënies: “Dita e mirë shihet n’mëngjes”, atëherë edhe ky fillimvit na jep shpresë se do të jetë vit i shumë sukseseve dhe i të arriturave në fusha të ndryshme në mbarë shoqërinë tonë. Por, se, që të gjitha arrihen vetëm me punë dhe angazhim, ndoshta edhe tej mase, ndonjëherë, na tregon shembulli i intelektualit, poetit, shkrimtarit, kameramanit e gazetarit të njohur Xhevdet Kallaba, i cili këto ditë hapi portalin informativ infoRogana.com.

Ky portal informativ është i një rëndësie të veçantë, sepse jo vetëm që i ka munguar Roganës me rrethinë, por edhe tërë territorit të Dardanës e të Anamoravës, madje është i dobishëm edhe për gjithë Kosovën, dhe jo vetëm.

Në fakt, infoRogana.com është një vazhdimësi e gazetës periodike informative “InfoRogana” e cila doli me disa numra radhazi në vitet 2006/2007, por, për shkak të kostos financiare, detyrimisht qe ndërprerë botimi i saj.

Duhet theksuar se infoRogana.com nuk është thjesht një portal, sa për të plasuar ndonjë informatë. Portali ka rubrika nga më të ndryshmet, duke filluar nga informimi, kultura, letërsia, shëndetësia, sporti, ekonomia, shëndeti, arkivi etj, etj.

Redaktori i portalit, z.Xhevdet Kallaba, është personalitet me një përvojë të madhe në fushën e informimit. Si gazetar e punëtor i RTP-së, pas largimit nga puna me dhunë dhe periudhës dhjetëvjeçare të funksionimit të sistemit paralel, Xhevdeti nuk ndenji duarkryq, por e filloi një betejë të re për ndryshimin e imazhit të shqiptarëve, në sy të të huajve. Këtë e arriti me këmbëngulësinë e tij me artikuj të shumtë gazetareskë, me portretizimin e individëve, të bizneseve e të sportistëve të suksesshëm, por edhe të artit e të kulturës me të cilën të huajt, e sidomos zviceranët nuk ishin të informuar aspak, ose ato informacione që i posedonin nuk pasqyronin mjaftueshëm vlerat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve.

Duke e pasur parasysh gjithë këtë bagazh intelektual dhe njerëzor të Xhevdet Kallabës, besojmë dhe presim që edhe portali infoRogana të rezultojë i suksesshëm.

Pra, urime e shumë suksese në të ardhmen për platformën/portalin www.infoRogana.com!

Nijazi Kastrati, poet

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja