Kikë – Dardanë (Kamenicë), 26 korrik 2018
Prej vitesh bëhen përpjekje për hulumtimin e të rënëve dëshmorë dhe të plagosurve në Luftën e Kikës, më 26 korrik 1944 dhe në Luftën e Velegllavës, më 28/29 qershor 1944.
Ishte formuar edhe një komision për hulumtimin dhe regjistrimin e dëshmorëve dhe të të plagosurve si dhe vendosjen e një lapidari për qëndresën dhe qëndrestarët e kësaj epopeje të lavdishme për mbrojtjen e trevës së Gollakut qysh nga viti 1912, kur u larguan xhonturqit, e, ky vend u okupua nga Serbia.
Padyshim, vend qendror në këtë lapidar, pra edhe në gjithë këtë takim përkujtimor zunë tre yjet e familjes Vokshi: Lota, Latifi dhe Shyti, që ndër të parët kishin formuar çetën e tyre të lirisë, për t’u bërë tre viganë të njohur në Gollak, Anamoravë e Karadak, por edhe më gjerë.
Dhe, sot në Majën e Kikës, në një lartësi mbidetare prej rreth 1150 m valonte flamuri kombëtar, por mungoi flamuri i shtetit të Kosovës, ashtu siç munguan presidenti dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaqi e Ramush Haradinaj, të cilët tashmë ishin paraparë për ta marrë fjalën e për të folur për Epopenë e lavdishhme të Luftës së Kikës.
Takimin dhe të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës z.Qendron Kastrati, duke falënderuar investitorin dhe duke apeluar që të mos harrohen luftëtarët e lirisë.
Pastaj në foltore doli dr. Emin Krasniqi, që ishte njëkohësisht edhe kryetar i komisionit për hulumtimin, regjistrimin dhe verifikimin e luftëtarëve të rënë dhe të plagosur në Luftën e Kikës dhe të Velegllavës, më 26 korrik dhe 28 e 29 qershor 1944, por edhe të dëshmorëve të luftës së fundit të UÇK-së në Komunën e Kamenicës.
Ai tha se në këtë pllakë përkujtimore nuk janë përfshirë edhe ata që janë vrarë një ditë a dy më parë, por edha ata që janë vrarë edhe disa ditë më vonë, pasi që tentime për hyrje në këto anë, nga ana e forcave partizano-çetnike ka pasur vazhdimisht. Pra, në këtë pllakë, janë përfshirë vetëm të rënët dhe të plagosurit e rëndë, ndërkaq përfshirjen e të plagosurve e arsyetoi me shpjegimin se ata në luftën e Majës së Velegllavës dhe në Majën e Kikës, në një mënyrë a tjetër, duke qenë jatakë të atyre që vazhduan përpjekjet për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke qenë kontributdhënës dhe në të gjitha mënyrat tjera, ose u vranë më vonë, ose kaluan jetën e tyre burgjeve të Jugosllavisë.
Sidoqoftë, ngjarja e 74 vjetëve më parë, ku dhanë jetën e tyre shumë bashkëvendas e bashkëkombas tanë, bënë që shumë të pranishëm, e bashkë me ata edhe unë, sot, të kemi ndjenja të përziera të dhembjes e të krenarisë për këta dëshmorë.
Madhështinë e këtij përkujtimi e rriti prania e përfaqësuesve të FSK-së që nën tingujt e Himnit kombëtar nderuan dëshmorët, emrat e të cilëve u skalitën në tri pllaka përkujtimore.Xh.K.