-1.5 C
Kosovo
23/11/2024

Dasma Roganase

Arkivi

Deri në vitet ’70 të shekullit të kaluar dasmat kanë qenë tradicionale dhe ceremonia e tyre ka zgjatur 3-5 ditë, duke filluar nga dita e mërkurë (nata e kulaçit) që është festuar në familjen e djalit. Të afërmit e familjes janë tubuar në shtëpinë e djalit dhe në mbrëmje kanë ngrënë prodhime të stinës (misër të zier, patate të ziera, shalqi, mollë, dardha, rrush etj.). Me këtë rast është bërë programi i rrjedhës së dasmës – janë ndarë detyrat: thirrja e mysafirëve; janë caktuar shërbëtorët nëpër konakë; kush do të merret me pritjen e mysafirëve në gazmendin e mbrëmjes të ditës së shtunë, kush do ta bartë flamurin etj. Në këtë mbrëmje të rinjtë kanë luajtur lojëra të ndryshme popullore: “bad-bad”, “fshehja e unazës”, “loja e filxhanëve”, “loja e kapuçit” etj.

Të enjten ceremonia është bërë në familjen e vajzës, me ç’rast vajza e ka ngjitur kanën. Vajzat e tjera kanë kënduar këngë në përcjellje të muzikës nga defet.

Të premten ceremonia është bërë në familjen e vajzës, ku kanë ftuar mysafirë. Mbrëmja është përshkuar me këngë e valle tradicionale.

Të shtunën ceremonia  dasmore është bërë në familjen e djalit. Mysafirë të shumtë, shpesh deri në 300-400 mysafirë janë ftuar në darkë. Para dhe pas darke mysafirët janë argëtuar me këngë e valle. Nuk ka munguar as muzika instrumentale me çifteli e me kavalle.

Të dielën në mëngjes mysafirët janë organizuar me qerre ose në këmbë për të shkuar për ta marrë nusen. Qerrja e nuses është dekoruar mirë e mirë; është mbuluar zakonisht me një qilim të kuq. Brenda në qerre, në mesin e femrave ka qenë edhe një djalë 6-10 vjeç, i cili nuses së re ia ka hequr vellon dhe mbi kokën e saj i ka hedhur bonbone, oriz, leblebia, etj.

Vajzat nga ana e burrit kanë kënduar disa këngë te shtëpia e nuses, pastaj kanë vazhduar bashkërisht vallëzimin.

Në një odë ose në ndonjë sallë kanë qëndruar krushqit (mysafirët) nga ana e djalit dhe mikpritësit. Një përfaqësues i nuses dhe një i burrit kanë bërë një marrëveshje gojore me ç’rast është caktuar një shumë parash që do t’i takonte gruas nëse ajo ndahet me fajin e bashkëshortit. Pas pak mysafirët kanë vallëzuar bashkërisht me mikpritësit.

Sapo të ketë hyrë nusja në qerre ose veturë është dashur të qëndrojë në këmbë derisa krushqit janë bërë gati për t’u nisur. Në momentin që është nisur qerrja e nuses, dikush nga familja e nuses i ka mëshuar lehtas tri herë qerres dhe ia ka lagur rrotat qerres.

Gazmendi më pas ka vazhduar në familjen e burrit, i cili në shtëpi ka pritur nusen që ia kanë sjellë krushqit.

Në mbrëmje burri ka hyrë dhëndër dhe nuk ka dalë jashtë deri në mëngjes. Në mëngjes një grup femrash me defe kanë shkuar te dera e dhëndrit dhe kanë kënduar për ta zgjuar dhëndrin.

Të hënën familja e burrit kanë organizuar një ekspozitë të pajës që e ka sjellë nusja me vete që i thonë “Dita e çejzit”.

Loja: “bad-bad”- dhëndri ka hyrë në rrethin e djemve, të cilët ndër këmbë kanë përcjellë dorë më dorë një peshqir. Lojtarët i kanë mëshuar dhëndrit në shpinë dhe menjëherë e kanë futur peshqirin ndër këmbë dhe e kanë përcjellë te të tjerët, duke i mëshuar dhëndrit ose atij që ka qenë në mes të rrethit, derisa ai e ka zënë peshqirin me dorë. Bashkëlojtarët vazhdimisht kanë përsëritur fjalët “bad-bad” për ta mashtruar lojtarin e mesit. Dhëndri është dashur ta zë peshqirin te ndonjëri nga lojtarët. Atij që ia ka zënë peshqirin ai është detyruar të qëndrojë në rreth dhe loja ka vazhduar kështu.

Loja: “fshehja e unazës” – dy grupe nga tre deri në katër persona kanë qëndruar përballë njëri-tjetrit. Prapa e kanë përcjellë një unazë nga dora në dorë dhe njëri prej tyre e ka fshehur unazën në grusht. Pastaj i gjithë grupi i kanë nxjerrë duart përpara dhe grupi tjetër e ka pasur për detyrë ta gjejë unazën se në cilin grusht është fshehur. Nëse nuk e ka gjetur me dy herë (është shqiptuar fjala: teste), atëherë grupi që ka fshehur ka pasur të drejtë t’u mëshojë kundërshtarëve në shuplaka nga një të mëshuar me peshqir në secilën dorë. Grupi që e ka gjetur unazën e ka marrë dhe e ka fshehur. Kështu gjatë lojës lojtarët kanë dhënë ose kanë marrë të mëshuara me peshqir në duar, e me ç’rast të meshuarat kanë qenë me dhembje deri të padurueshme. Jo secili i ka përballuar të mëshuarave, prandaj lojtarët kanë qenë të përzgjedhur.

Loja: “loja e filxhanave” – Në gara kanë marrë pjesë dy grupe. Njëri grup e ka fshehur një unazë në njërin prej nëntë filxhanëve të vendosur në një tepsi. Grupi tjetër e ka kërkuar unazën, duke supozuar se ndër cilin filxhan kundërshtari e ka fshehur unazën. Kundërshtari ka pasur vetëm dy mundësi për t’i ngritur filxhanët me supozimin se unaza është ndër filxhanin përkatës. Gjithashtu kundërshtari ka pasur të drejtë që t’i ngritë filxhanët duke thënë paraprakisht sy ky filxhan nuk e ka unazën. Gara është zhvilluar deri në 21 pikë. Pikët kanë mundur të fitohen edhe duke ia hipur filxhanët filxhanit të supozuar se aty është fshehur unaza. Por, nëse supozimi ka qenë i gabuar, pikët i kanë shkuar kundërshtarit.

Grupi fitues ka pasur të drejtën që të këndojë këngë përçmuese për grupin humbës, të cilin, shpesh e ka vënë në siklet.

DASMA ROGANASE SOT

Deri në kohën para pandemisë dasma është bërë e përbashkët me familjarët dhe miqtë e familjes së djalit dhe të vajzës.

Një numër i mysafirëve të ftuar, gjatë ditës kanë shkuar në familjen e vajzës për ta marrë atë. Ndër mysafirë ka pasur gra e burra. Pasi është sjellë nusja në shtëpinë e burrit, në mbrëmje është organizuar gazmendi në të cilin kanë marrë pjesë edhe familjarët e nuses.

Paraprakisht është rezervuar një sallë restoranti me 300-700 vende, varësisht prej organizatorit të dasmës.

Para dhe pas darkës solemne mysafirët kanë vallëzuar nën tingujt e muzikës popullore. Po ashtu një grup muzikor ka argëtuar mysafirët.(xhk)

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja