-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Andi Kallaba, djaloshi i artë i Kosovës që po shkëlqen në Amerikë

Arkivi

Andi Kallaba është njëri prej futbollistëve shqiptarë më të dalluar që luan në kolegjet amerikane. Ai po i gërsheton mjaft mirë shkollimin me pasionin e tij më të madh. 18 vjeçari ëndërron ta ketë një karrierë të suksesshme, ndërsa shpreson që një ditë të luajë për Kosovën ose për Shqipërinë

Shqiptarët e Kosovës kanë ditur të lënë gjurmë në vende të ndryshme të botës, në sfera dhe lëmi të ndryshme.

E një rrugë të tillë po e ndjek edhe Andi Kallaba, djaloshi i artë i Kosovës që është lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I riu me prejardhje nga Rogana e Kamenicës po i gërsheton për mrekulli shkollimin me pasionin e tij më të madh – futbollin.

Por, si kishte nisur gjithçka në jetën e Andit?

“Futbolli më ka pëlqyer qysh si fëmijë dhe kam marrë pjesë në të gjitha grupmoshat duke filluar nga fatosët e deri këtu në U-18 në klubin prestigjioz e shumë të njohur ‘MLS Chicago Fire’. Me punë çdoherë kam arritur që të jem lider dhe kapiten. Ndërkohë në të gjitha garat ku kam luajtur jam munduar që ta prezantoj me dinjitet klubin tim, qytetin tim si dhe dy vite më parë pata nderin që ta përfaqësoj Shtetin e Illinois në garat e nivelit më të lartë në USA ku pothuajse në çdo paraqitje kemi fituar si dhe pothuajse në çdo ndeshje kam fituar trofe dhe jam shpallur lojtari më i mire i lojës”, i tregon fillimisht Kallaba hapat e parë të karrierës në një bisedë me “Gazetën Express”.

Vlen të përmendet se futbollisti i lindur në Chicago më 1 qershor të vitit 2002 e kishte fituar Këpucën e Artë (Golden Boot) si mesfushori ofanziv më i mirë me 24 gola të shënuar si dhe 23 asistime.

Po ashtu, ai ishte shpallur edhe lojtari i vitit në Illinois për të gjitha shkollat e mesme (IHSA).

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Andi tregon se ka pranuar oferta të shumta nga kolegje të ndryshme të D1 (divizioni1), që në Amerikë është rangu më i lartë për futboll.

Kjo padyshim se e ka bërë shumë të lumtur pasi që është ëndërr e çdo nxënësi që të jetë pjesë e ndonjë nga këto kolegje.

Ai vendosi të bëhet pjesë e UIC (University Illinois of Chicago), ku për momentin është lojtari më i ri në moshë në këtë kolegj (18 vjeçar).

Kallaba e ka një orar mjaft të ngjeshur, në mes studimesh e ushtrimesh dhe angazhimeve me ndeshje futbolli.

“Padyshim, jam shumë i angazhuar dhe nuk është një punë e lehtë pasi që më duhet që, krahas mësimeve, ligjëratave të shumta, të merrem edhe me stërvitje, lojëra të shumta, udhëtime të ndryshme etj. Por, por me vullnet të madh jam duke i bërë të gjitha dhe po e jap maksimumin pasi që ia kam vënë vetes një qëllim, dua të jem i suksesshëm”, shton Kallaba.

Për herë të parë, në universitetin ku po shkollohet ai, është vendosur flamuri i Kosovës dhe krejt kjo për meritë të Andit.

Kjo për të është një ndjenjë speciale.

“Wow, ngritja e flamurit të Kosovës – vendit tim për herë të parë në Amerikë në këtë Universitet ishte nder dhe privilegj për mua. Po ashtu, një ndjenjë e pa përshkruar në jetën time deri më tani. Shumë e veçantë pasi që isha i pari, por shpresoj që mos të jem i fundit që e promovoj Kosovën”, shton Kallaba.

Për momentin, ai thekson se garat po shkojnë mirë, por që, njëjtë si në krejt botën, edhe ai me shokë po përballen me vështirësi për shkak të COVID-19.

Kallaba nuk e ka ndërmend të ndalet, sa i përket futbollit.

Ai synon që të bëhet futbollist i madh në të ardhmen.

“Gjithsesi, do të vazhdoj sepse futbolli është pasioni im i jetës dhe dua që ta vazhdoj traditën edhe të babait tim dhe familjes sime Kallaba. Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj të gjithë për inspirimin tim për këtë lloj sporti shumë të preferuar në mbarë botën”, thotë ndër të tjera ai për “Gazeta Express”.

Madje, qysh tash, klubet e ndryshme kanë filluar të interesohen për futbollistin e talentuar, i cili nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të luajë edhe në futbollin evropian.

“Zakonisht, ofertat këtu në Amerikë nga klubet e mëdha vijnë gjatë kohës së studimeve dhe lojërave nëpër kolegje, apo pas mbarimit të studimeve. Unë tashmë e kam filluar një ëndërr timen qysh si fëmijë dhe pres oferta të ndryshme si në Amerikë, po ashtu edhe në Evropë. Kam pranuar oferta por nuk kam ndonjë gjë për të bërë publike”, nënvizoi Kallaba.

Ëndërr e tij po ashtu është që ta përfaqësojë njërën prej Kombëtareve shqiptare, Kosovën ose Shqipërinë në nivelin nacional.

“Qëllimi dhe dëshira e krejt këtij angazhimi është që një ditë shumë të afërme ta sfidoj veten si lojtar nën petkun e ndonjërës prej kombëtareve tona, Kosovës apo Shqipërisë. Nuk kam pasur ndonjë kontakt deri më tani, por pres me padurim që një ditë ta jap kontributin tim për vendin tim”, përfundoi Kallaba.

Një djalosh modest, kokulur, i vyeshëm dhe punëtor, Andi është model se si një i ri nuk duhet ta lë anash as shkollimin e as pasionin e tij.

Huazuar nga Gazeta Express

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja