Kuadrot profesionale të dala nga shkolla e Roganës, sot, janë gjithandej Kosovës dhe më gjerë në Orient e Oksident. Ndër ta ka mjekë, profesorë shkencash natyrore e shoqërore, inxhenierë, pilotë, muzicientë, aktorë e piktorë, poetë e shkrimtarë etj. Ata i hasim në poste dhe vende të ndryshme autoritare. Lexuesit e Info Roganës, në vazhdimësi, do të njoftohen me kuadro të këtilla. Sa për ilustrim, në këtë numër, po botojmë portretin e bashkëvendësit tonë Fatos Rudhani, i cili pasi ishte diplomuar për gjermanistikë regjistroi edhe Shkencat Politike në Prishtinë, e që aktualisht, bashkë me bashkëshorten e vet Jehona Lushakun, gjenden në Masterstudime për Integrimin evropian në Hanover të Gjermanisë.
Aktivitetin e tij e kishte për-cjellë edhe gazeta gjermane „Nord hannoverische Zeitung“ gjatë një vizite studimore që 29 vjeçari Fatos Rudhani u kishte bërë strukturave administrative demokratike të qytetit Langenhagen afër Hanoverit. “Unë dëshiroj që të mësoj këtu se si funksionon Adminstrata demokratike”, shprehet Fatosi për revistën e sipërpërmendur gjermane për t’u fokusuar në synimet e tij për të ardhmen dhe shton – “ I mbetet gjeneratës sime që të ndryshojmë diçka dhe të ndërtojmë një administrim modern në Kosovë”. Duke parë seriozitetin e z. Rudhani për këtë studim, vetë kryetarja e qytetit Langenhagen zonja Susanne Schott-Lemmer ishte zotuar që ta përcjellë atë gjatë hospitimit të katër komisariateve të qytetit me ç’rast do t’i vizitojnë pothuaj të gjitha entet.
Kjo dukuri e avancimit të kuadrove roganase duhet të na kurajojë për një ardhmëri të mirë-filltë edhe të Roganës, por edhe të mbarë Kosovës, duke e ndarë bashkërisht gëzimin: prindërit, mësuesit, arsimtarët dhe bashkëqytetarët roganas për rezultatet e arritura.
Xhevdet Kallaba
Botuar në revistën periodike «info Rogana» – shkurt 2006