15.5 C
Kosovo
12/03/2025

Thellësia shpirtërore e një vizite – mikut të respektuar – gazetarit Daut Maliqi

Arkivi

Vizitë mbresëlënse gazetarit dhe publicistit – Daut Maliqi. «Vizita juaj nuk po më ngarkon, përkundrazi ajo po më relakson, prandaj qëndroni edhe pak…» u shprehu mirëseardhje kolegëve të tij Xhevdet Kallabës dhe Sylejman Morinës, z. Maliqi.

Në një ditë të ngrohtë vjeshte, pikërisht më 10 dhjetor 2024, unë dhe miku im i nderuar Sylejman Morina, vendosëm të bëjmë një vizitë të veçantë; të shkonim për të uruar një mik të vjetër në 85-vjetorin e tij të lindjes. Ky mik nuk është një person i zakonshëm, por një figurë e shquar në fushën e gazetarisë dhe krijimtarisë letrare, një bashkudhëtar i rrugëtimit tonë në publicistikë dhe në avancimin e arsimit shqip. Ai është Daut Maliqi, një emër që për ne përbën një simbol të gazetarisë dhe të përkushtimit ndaj kulturës në Kamenicë e më gjerë.

Dauti jeton në Kamenicë, një qytezë e vogël por me një zemër të madhe për kulturën dhe artin. Në hyrje të banesës së tij, në sheshin Metush Krasniqi, era vjeshtore kishte krehur tashmë disa gjethe të verdha të bli-drunjve dekorativë përgjatë sheshit të sapondërtuar. Ngjyra e verdhë në të kuqërremtë e gjetheve mund të ishin ngacmim poetik për secilin poet që kalon andejpari.

U ngjitëm shkallëve drejt katit të dytë. Një telefonatë paraprake kishte ndikuar që dera e banesës të na priste e hapur. Kur hymë brenda, e gjetëm të vetëm në shtëpi, në një dhomë të begatë me libra. Skaj televizorit kishte edhe një tablet. Për shkak të pengesave në të dëgjuar ai më pak shikon TV, por më shumë parapëlqen tabletin përmes të cilit komunikon me miqtë e tij. Librat e vendosur në rafte që moti janë lexuar, por përherë të disponueshëm për rileximin e ndonjë fragmenti përkujtues nga akëcili shkrimtar shqiptar ose i huaj.

Vizitat tek i sëmuri, zakonisht, janë ngarkesa, prandaj duhet matur koha e kaluar me të sëmurin. Në rastin tonë ai insistoi që të vazhdonim pak më gjatë sesa një vizitë e rëndomtë.

Pas përshëndetjeve të përzemërta dhe urimeve për ditëlindjen e tij, filluam të bisedojmë. Nuk kishim ndonjë temë të parazgjedhur, por biseda jonë u përqendrua kryesisht në zhvillimet kulturore në Kamenicë dhe më gjerë. Dauti, po ia them kështu emrin me dëshirën që të ndjehet ende i ri, me një pasion të pakontrollueshëm fliste për letërsinë dhe artin. Ndau me ne shqetësimin e tij për nevojën e zgjidhjes së mundësisë së publikimit të sa më shumë veprave të autorëve lokalë, por, sidoqoftë, shprehu edhe krenarinë për shumësinë e autorëve lokalë, të cilët, dita-ditës, po shtohen e po piqen si kokrra nga kokrra e rrushit.

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore ai ka kohë që nuk merr pjesë në manifestime letrare e kulturore, por gjithmonë kërkon nga miqtë e tij që ta informojnë për të arriturat në këtë fushë, sidomos në këtë fushë, e cila gjithë jetën e ka ushqyer shpirtërisht dhe e gëzon përzemërsisht. Ai theksoi rëndësinë e shtimit të fondeve për botime, një çështje që sipas tij do të ndihmonte në ruajtjen dhe përhapjen e kulturës shqipe. Këtë kërkesë ia drejton Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me arsyetimin se investimi në kulturë është investim afatgjatë në përparimin kombëtar e shtetëror.

Ndonëse i vetmuar fizikisht, gazetari e publicisti Daut Maliqi, vetminë e përkthen në kolektivitet me krijuesit, duke i nxjerrë në letër inspirimet, pikërisht nga kjo vetmi. Ai gjithashtu mbahet i informuar me përditshmërinë vendore e botërore, dhe brengoset nga luftimet të cilat i sjellin vetëm të këqija njerëzimit, prandaj lutet: “shpresoj të krijohen ndjenjat njerëzore dhe ata që janë të fuqishëm të mendojnë pak edhe për varfnjakët, për njerëzit e ndershëm, por vështirë”, vë pikëpyetjen mbi dëshirën e tij.

Ndërkaq unë i ndërhyra me një thënie të shkrimtarit dhe publicistit gjerman, Peter Hol i cili thotë: “Paqe mbretëron vetëm kur paqësorët janë më të fortë se agresorët, demokratët më të fortë se diktatorët dhe toleruesit më të fortë se fanatikët”, duke shprehur po ashtu pak skepticizëm në forcën e paqësorëve.

“Ne nuk mund të bëhemi kurrë fuqi e madhe, por duhet hequr atë krenarinë e mykët kinse jemi kombi më i pasur, se gjuha shqipe është gjuha e zotit etj. etj. Ne dukemi sikur nuk kemi urrejtje, por në vete bartim urrejtje… ne ende shesim mend e nuk kemi as për vete sa duhet”, ishin disa konstatime të nxjerra nga përvoja e tij jetësore.

Në një bisedë prej rreth 37 minutash bisedën e zhvilluam në trekëndësh, duke e marrë fjalën unë, Syla dhe baca Daut.

Syla, madje, përpiqej që bisedës t’i jepte kahe sociofilozofike, duke e lidhur edhe dialektikën e jetës, se në kushte të sotme duhet të dominojë edhe të menduarit e kundërt, sepse të kundërtat krijojnë lëvizje, por, gjithçka brenda kufijve faktikë dhe argumentues, duke i dhënë kështu vend meritor fjalës së lirë.

Në kërkesën e bacës Daut, Syla e njoftoi për veprën e radhës në përfundim kushtuar arbëreshëve të Zarës, temë me të cilën ai merret prej kohësh.

Gjatë vizitës, Dauti na tregoi se ai shkruan në vazhdimësi, sidomos poezi, të cilave shpreson t’u japë dritë në këto ditë të pleqërisë. Si lexues të ndërsjellë të veprave tona, Sylejmani dhe unë e dëgjuam me kujdes dhe interes të veçantë. Ishte e qartë se pavarësisht moshës, Dauti vazhdonte të ishte një burim i paçmuar i njohurive dhe eksperiencave.

Më pas, diskutuam për rëndësinë e bashkëpjesëmarrjes në manifestime të përbashkëta kulturore ndër vite e që janë ushqim shpirtëror sa për Dautin, po aq edhe për ne. Ai na tregoi për qindra manifestime ku kishte marrë pjesë gjatë jetës së tij dhe se si ato kishin lënë një gjurmë të thellë në formimin e tij si individ dhe si profesionist.

Ndërsa ora po kalonte, ne nuk e ndiem se biseda jonë po mbaronte. Fundja është një rregull që duhet pasur kujdes qëndrimi tek i sëmuri. Sidoqoftë, ishte insistimi këmbëngulës i bacës Daut që të qëndronim më gjatë, duke e thënë shprehimisht: “ju nuk po më lodhni, vizita juaj po më relakson, prandaj ju lus që të qëndroni edhe pak, nëse keni kohë, natyrisht”. Çdo minutë pranë Dautit ishte një mësim i ri, një përvojë që do të mbetej me ne për një kohë të gjatë. Por si çdo gjë e mirë që ka një fund, edhe vizita jonë po afronte drejt përfundimit.

Përpara se të largoheshim, Dauti na ftoi edhe njëherë të rifreskoheshim me pije.

Vizita te Dauti nuk ishte thjesht një akt i zakonshëm i mirësjelljes, por një thellësi miqësore që përmblodhi vite të tëra bashkëpunimi, këmbim idesh dhe projektesh të përbashkëta. Ishte një rikonfirmim i lidhjeve tona të forta dhe i dashurisë sonë të përbashkët për kulturën dhe letërsinë. Më shumë se kurrë, ndjeva se kjo vizitë kishte forcuar edhe më tej miqësinë tonë dhe përkushtimin ndaj avancimit të arsimit dhe kulturës shqipe.

Morali i kësaj vizite doli vetvetiu: “Vizitoni miqtë tuaj sa keni mundësi, nesër mund të mungoni ju ose ai/ata te vendtakimi i dëshiruar”!/Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja