Klubi Letrar «Nositi» organizoi një Orë Letrare për të festuar Ditën e Flamurit në Dardanë. Kjo ngjarje është mbajtur më 27 nëntor 2024, në Shtëpinë e Kulturës «Isa Kastrati» dhe ishte e përcjellë me entuziazëm nga shumë poetë dhe mysafirë të pranishëm. Poezia fituese e këtij konkursi, në konkurrencë prej 35 poezish, ishte ajo e Muhamet Halilit – “Nëse një ditë”, e shkruar me shifrën: “Këngë për ty!”
Kreu i Klubit letrar, Nexhat Rexha, hapi ceremoninë dhe përshëndeti të pranishmit me një fjalim frymëzues. Në ngjarje mori pjesë edhe drejtori i Arsimit Komunal, z. Afrim Dervishi, i cili përshëndeti poetët në emër të kryetarit të komunës z. Kadri Rahimaj, por edhe i inkurajoi ata për aktivitete të mëtutjeshme në krijimtari letrare. Madje, ai kërkoi edhe një bashkëpunim të drejtpërdrejtë të shkrimtarëve me shkollat e komunës së Dardanës/Kamenicës, duke i furnizuar bibliotekat shkollore me veprat e tyre.
Poetët e pranishëm lexuan poezitë e tyre konkurruese me pasion dhe talent. Juria e përbërë nga Izet Abdyli, Sinan Sadiku dhe Musa I. Ahmetaj, vlerësoi dhe ndau vendet e para për çmimin e Orës letrare.
Fituesit ishin:
-
Muhamet Halili, me poezinë “Nëse një ditë” (shifra: Këngë për Ty!)
-
Sadbere Gagica, me poezinë “Ende” (shifra: 007)
-
Safete Jakupi Grajçevci, me poezinë “Monolog në heshtje” (shifra: Hipokrizi)
Tre fituesit e këtij konkursi u shpërblyen me mirënjohje nga Klubi Letrar “Nositi”.
Poetët e tjerë që morën pjesë ishin një shumëllojshmëri e talentuar, duke përfshirë emra si Xhemkadri Kastrati, Arsim Halili, Sadik Kovani, Agim Desku, Baki Krasniqi, Raif Gashi, Sahit Ymeri, Mehmetali Rexhepi, Migena Arllati, Nebi Bunjaku, Nazmije Hasani, Fadil Abazi, si dhe poetë jashtë konkurrencës si: Hysen Këqiku, Abdulla Troshupa, Zeqir Fazliu, Xhevdet Kallaba, Nazim Bislimi dhe Bajram Kallaba.
Nexhat Rexha falënderoi poetët dhe mysafirët për pjesëmarrjen e tyre dhe gjithashtu falënderoi Ndërmarrjen «Vëllezërit Borovci» SHPK dhe Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e kësaj ngjarjeje kulturore, si dhe z. Gani Kryeziun për regjistrimin filmik të Orës letrare.
Moderatori i aktivitetit ishte z. Muharrem Hoda, i cili menaxhoi ngjarjen me profesionalizëm dhe sharm. Pas përfundimit të Orës letrare, shkrimtarët e pranishëm bënë një foto kujtimi para shtatores së Heroit të Kosovës – Metush Krasniqi, e cila u përurua një ditë më parë.
Nëntori në Dardanë, me ngjarjet kulturore dhe artistike që shënon, tregon se kultura dhe letërsia janë të gjalla në këtë rajon. Klubi Letrar «Nositi» vazhdon të promovojë talente të reja dhe të ofrojë hapësira për shkëmbime intelektuale dhe artistike në komunitetin e tyre./Xhevdet Kallaba, fotot: Gani Kryeziu/
NËSE NJË DITË
nëse një ditë ke mall për mua
dēgjoje kếngën që ta kujton ikjen
mbylli sytë dhe më thuaj «të dua»
lejo refrenin tế ta pushojë dhimbjen