1.5 C
Kosovo
14/11/2024

Përkujtesë nga Facebook: Dromca mbresash nga vizita në Kalabri

Arkivi

Rrjeti shoqëror “Facebook” është përkujtuesi më besnik nga përditshmëria e shkrimeve të mia në FB. Në dritaren time të FB-së vazhdimisht paraqiten shkrime e tema të trajtuara prej vitesh (që nga viti 2012). Këto ditë u paraqitën pjesë nga Ditari im i 27 e 28/29 tetorit të vitit 2022.

Në datën 27 tetor, para dy vitesh, bashkë me bashkëshorten time, Nexhmijen vizituam Atë Antonio Beluscin në qytetin e Frasnitës, i cili ndërroi jetë më 19 qershor 2024. Tashmë kur po e bëj këtë shkrim ndjenjat janë tejet të përziera: sa e dhembshme humbja e një personaliteti siç ishte Atë Antonio, por edhe mburrje për ne që në zemrat tona ruajmë kujtimet nga ai takim. Më pas vazhduam vizitën në shumë fshatra arbëreshe të Kalabrisë, të cilat po i shkëpus nga tërësia e udhëtimit, për lexuesit e Inforoganës. Ja edhe përshkrimi:

Nga Ditari im: 27 tetor 2022

SOT KAM FESTË, SEPSE KAM MYSAFIRË NGA KOSOVA

Pas vizitës në Romë, me Nexhmijen vazhduam drejt Napolit. Në Napoli nuk u ndalëm gjatë për shkak të ndotjes së ambientit që kishte qyteti me rrethinë këtë ditë, mbase shkaku i ndonjë ndezje mali ose aktivizimit të vullkanit të Vezufit?!!

Caku i radhës ishte qyteti bregdetar Salerno. Sikur edhe në qytete të tjera italiane edhe këtu shtëpitë ishin njëra pranë tjetrës, rrugët me trafik të dendur dhe me shumë vizitorë. Moti me diell mundësoi edhe realizimin e fotografive të mira.

Më pas arritëm në qytetin e synuar qysh nga nisja e këtij rrugëtimi. Fjala është për Frasnitën – fshatin arbëresh që aktualisht ka vetëm 1006 banorë, ngase shumë banorë të Frasnitës kanë mërguar në Perëndim.

Në rrugën “Udha e Pullinit” ishte biblioteka arbëreshe “Antonio Belusci” e cila udhëhiqej po nga vetë Atë Antonio Belusci. Trokitjes së derës iu përgjigj Katerina, e motra e Antonios, me fjalët arbërisht “Mirë se erdhët”. Hapi derën dhe u futëm brenda. Na tha se Antonio kishte mysafire një profesoreshë dhe studiuese shkencore, zonjën Braile Rozita dhe të ëmën e saj Vavolisse Ilde. Zonja Rozita kishte ardhur në bibliotekë për të kërkuar materiale për shkrimtarin dhe intelektualin frasnitas Vicenzo Dorsa, ndërkaq profesori Belusci ishte vënë në dispozicion bashkë me bibliotekën e tij, me mbi gjashtë mijë tituj.

Me të mësuar për vizitën tonë erdhi bashkë me mysafiret në dhomën e pritjes. Mikpritja ishte më shumë se vëllazërore, saqë pas një vizite të bibliotekës dhe shpjegimit rreth grumbullimit të të gjithë atyre librave dhe arkivimit të tyre, Atë Belusci gëzimin e mikpritjes e shprehu me një dolli mikpritjeje dhe me fjalinë: “Sot kam festë, sepse kam mysafirë nga Kosova”, dhe shkoi drejt këndit ku e kishte flamurin e Kosovës në mes të atij shqiptar dhe italian. Gëzimi shihej në fytyrën e tij ngazëlluese. Ndonëse në dekadën e nëntë të jetës së tij, Atë Belusci pa përtesë fliste për autorë të shumtë që kanë zënë vend në vitrinat e bibliotekës së tij. Për bibliotekën e Atë Beluscit dhurova librin tim të fundit “Kallaba – gjurmë në kujtesë”, si dhe dy ekzemplarë të librit të mikut tim Rexhep Rifati “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, parathënien për të cilin e kishte shkruar vetë Atë Antonio.

Natyrisht, emocionet nga kjo mikpritje na kishin kapluar edhe mua e Nexhmijen. Më pas Atë Belusci na shoqëroi deri në hotelin e fshatit “Tre stelat” ku edhe kaluam natën.

 

Nga Ditari im: 28/29 tetor 2022

VIZITË ÇMALLJEJE E MALLI PËR ARBËRESHËT

Për dy ditë, me Nexhmijen, vizituam disa fshatra arbëreshe. Mbresat i regjistruam edhe me fotografi që të mund t’i ndajmë edhe me miqtë tanë të FB-së, dhe jo vetëm.

Fillimisht vizituam edhe disa pjesë të Frasnitës, të cilat nuk arritëm t’i bënim një ditë më parë. Pas një telefonate, u takova edhe me shkrimtarin e albanologun e njohur Agostino Giordano (Buzëdhelpri), me të cila isha takuar në vitin 1977 derisa po i bëja një vizitë arbëreshëve dhe Italisë me autostop. Agostino është edhe botues i revistës “Jeta arbëreshe” në të cilën, vazhdueshëm, publikohen aktivitete kulturore e shkencore arbëreshe.

Pastaj vizituam edhe bustin e Emanuil Giordanos, të ungjit të Agostinos, në bibliotekën e të cilit po ashtu isha më 1977. Vazhduam më tej drejt fshatit Çifti – Civita. Përveç bustit të Skënderbeut e Urës dhe Udhës së djallit vizituam edhe muzeun etnologjik të fshatit që ishte i pasur me eksponate të ndryshme nga jeta kulturore e sociale e arbëreshëve të Çiftit. Një mikpritje të përzemërt në muze na e ofroi përgjegjësi i tij z. Dhimitër Emanuello.

Më pas morëm rrugën drejt fshatit Firmo. U ndalëm në fshatin Ungro e vazhduam drejt Formozës. Në Formozë (Acquaforosa) qëndruam më gjatë. Me keqardhje, “dy ditë më vonë është festa e gështenjave” na tha arbëreshi Dhemi, tashmë pensionist. Ai na gostiti me kafe në sheshin “Skënderbeu” ku ishte bërë gati skena për festën e radhës. Atraktiv ishte “qyteti” i të vdekurve, ku varroseshin familjarët në të ashtuquajturat – varreza familjare.

Përjetim i veçantë ishte bashkëbisedimi me fshatarë dhe mysafirë të rastit në një bar-kafe, me të cilët edhe bashkëkënduam këngë arbëreshe.

Pa humbur kohë u nisëm drejt fshatit Shën Mitri, rreth një orë rrugë larg. Atje takuam skulptorin preshevar Hevzi Nuhiun, një mik të mikut tonë Rexhep Rifati. Me këtë rast ia dorëzova edhe disa ekzemplarë librash të Rexhepit kushtuar arbëreshëve e i cili do të përurohet po në këtë fshat më 12 nëntor 2022.

Këtë natë fjetëm në bujtinën e poetes Anna Vetro, e cila merret edhe me agroturizëm. Ishte një mikpritje e përzemërt nga Ana tha bashkëshorti i saj Thanasi.

Të nesërmen, në mëngjes vizituam fshatin Shën Sofia. Në fakt së pari vizituam kishën me freska të punuara mirë, “Kisha e Shën Athanasit”, kishë e ritit grekobizantin. Për guidë kishim drejtorin e muzeut të kostumeve z. Franko Mirako, i cili na informoi detajisht për eksponatet e shumta që kishte ky muze, kushtuar veshjeve tradicionale të grave, qoftë për situata gëzimi, martesa e festa të tjera, qoftë edhe për raste mordjesh. Në oborrin pranë pallatit të imzot Frangjisk Bugliari gjendej edhe vepra monumentale “Arbëreshët e Italisë” e realizuar në vitin 2007 nga skulptori arbëresh Angelo Aligia. Kjo vepër sjell ndërmend përmes një sfere formale riardhjen e historisë që zgjidhet në plotësinë e eksperiencës që komuniteti italo-arbëresh bëri me pasuritë e vjetra. Pra, realizimi i dy sferave bashkëqendrore: sfera e jashtme gurore, që përmbledh eksperiencën e shkuar ndër mote, dhe sfera e brendshme që zbulon bukurinë e brendësisë kulturore në komunitetin arbëresh.

Më tej vazhduam drejt fshatit Maçi ku ka lindur e jetuar shkrimtari i njohur arbëresh Jeronim de Rada. Fshati ishte plotësisht i zbrazët. Sidoqoftë aty ishte busti i De Radës dhe shtëpia tij. Pas pak nga një shtëpi doli një arbëresh i moshuar (Angjello) i cili na shpjegoi pak për De Radën. Ai na prezantoi një gur të vendosur në një mur, kur De Rada, sa herë që nisej për në shkollë, në Shën Mitër, ulej aty dhe mbathte këpucët. Sikur edhe në shumë fshatra të tjera, banorët ankohen për pa perspektivë të të rinjve, të cilët shkojnë për shkollime në veri të vendit dhe atje punësohen e jetojnë.

Pastaj vazhduam për në Strighari (St. Cosmo Albaneze). Ishte ky fshati i lindjes së shkrimtarit arbëresh Zef Serembe. Disa foto pranë bustit të tij në rrugën Skënderbeu ishin edhe një çmallje më shumë me arbëreshët e gjashtëqind vjetëve në këtë gadishull apenin. Një vend karakteristik që na la përshtypje ishin disa murale në një ballore shtëpie që për temë kishte “Ditët e nuses”. Veç pikturave të nuses e të burrit pati edhe portrete fëmijësh si dhe dy poezi, njëra prej të cilave ishte një homazh për kantautorin e këtushëm Pino Kakoca, i cili u nda nga jeta një vit më parë.

Rreth orës 15 e 35 minuta vizituam fshatin tjetër arbëresh Vakarici ku ishte edhe një shkollë e mesme. Shtëpitë ishin të ndërtuara njësoj sikur edhe në fshatra të tjera. Ngjitur me fshatin ishte lagjja Hjima ku takuam dy gra pensioniste me të cilat biseduam dhe bëmë foto përkujtimi.

Meqë pasdite duhej të takoheshim me Hevziun për të marrë pjesë në një aktivitet kulturor – përurim libri, atëherë lamë pa vizituar fshatin Mbuzat. Megjithatë, falë aparatit të mirë arrita që ta fotografoj Mbuzatin nga Vakarici.

Në Shën Mitër u ndalëm te kisha e fshatit ku ishte edhe shtëpia e kulturës. Aty takuam Havzi Nuhiun dhe bashkë morëm pjesë në një përurim libri të shkrimtarit arbëresh Francesko Perri. Ndonëse nuk kuptonim mirë italisht atmosfera ishte e mirë. Në fund, një grup muzikor ekzekutoi dy pika muzikore arbëreshe.

Rreth orës 20 e 30 minuta u ndamë nga miku Hevzi Nuhiu për të shkuar në hotelin B&B “Vemi Az. Agroturistica”në afërsi të Shën Sofisë./Xhevdet Kallaba/

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja