8.5 C
Kosovo
22/11/2024

Nga Ditari i Prof.mr. Tefik Geci: Beteja e Parë dhe e Dytë e Kitkës (1944)

Arkivi

Koment nga Redaksia: Shënimet janë nxjerrë nga origjinali i Ditarit të prof. mr. Tefik Gecit, prandaj edhe po i botojmë të pa redaktuara, e gjithë kjo në respekt të autorit Tefik Geci, i cili bëri mund e shpenzoi kohë për të na e lënë një vistër shënimesh, insertesh e intervistash.

Shënime rreth Betejës së Parë dhe të Dytë e Kitkës

  1. Betaja e Parë e Kitkës më 28.6.1944

  2. Beteja e Dytë e Kitkës më 26.7.1944

Dajkoc, 15.12.1991

(Në dasmën e Jeton Krasniqit me Lumturie Mujën e Hogoshtit)

Duke biseduar për ngjarje politike të vrullshme, që i përjetonim rëndë, edhe për trima të kohës, e për trimëri me virtyte revolucionare u hap biseda për dy Betejat e Kitkës. Këto Beteja për kohën e caktuar edhe vendin e popullatën e rrethinës ishin vendimtare për ekzistimin e popullatës. Populli i fshatrave rreth Kitkës sikurse Poliçka, Velegllava, Lajçiqi, Marovca, Shipashnica e Epërme, Hogoshti e të tjerë luftoi trimërisht. Në bisedë të cilën e shënova folën: Sylë Ramë Krasniqi nga Dajkoci, Hazir Ramë Krasniqi edhe Osman Asllan Krasniqi. Biseda u zhvillua në odë të Sylës me rastin e martëses së nipit tim Jeton Ramiz Krasniqit. Si zakonisht në kohët e sotme po flitet për politikë e për ngjarje tjera të politikës ditore. Duke u biseduar, a do të ketë luftë në këto vise tona apo jo?, duke u biseduar për trimërinë e mençurisë së ditëve tona, për shkrimet historike e shumë të tjera u cilësua posaçërisht trimëria vullnetare e popullit të Anamoravës, Llabit, Preshevës, Kumanovës, Kosovës, Drenicës, Prizrenit e viseve të tjera në të dy Betejat e Kitkës. Këtu u dalluan si vendasit ashtu edhe të ardhurit nga viset tjera të Kosovës. Tok së bashku me luftën dhe luftëtarët këtu do të harrohen edhe shumë trimëri të mëdha e karakteristike sikur të shërbenin si një ndër leksionet shembullore për histori. Pati këtu shumë trimëri vetëmohuese. Këtu kishte edhe shumë raste të leksioneve të betejave në përgjithësi sa i përket vetorganizimit për mbrojtje.

Shëmbëlltyra më e dalluar dhe më e lavdishme në Luftën e Parë dhe të Dytë të Kitkës ishte padyshim NEXHMEDIN ZHURI për të cilin që të gjithë u bindëm dhe u pajtuam se trimëria e vendosur e tij, heroizmi i madh, i rrallë e burrëror që do të shërbente si një leksion shembullor. Përkundrazi, vepra e heroit me vetëdije të plotë të martirizimit duhet të shënohet e të afirmohet në një antologji historike të trimërisë heroike.

LUFTA E PARË E KITKËS

Dihet mirëfilli se Kitka është një majë mali mbi Hogosht, Poliçkë, Lisockë e Velegllavë, me pyje, por edhe me shumë ROGA për kullosje të deleve e gjedheve. Bukuria e Kitkës të mahnit për shumë dukuri e sidomos për burime krojesh të ftohta e të pastra si loti i syrit. Maja më e lartë e Kitkës është e shënuar në çdo hartë, pra edhe në ato topografiko-ushtarake me lartësi mbidetare 1154 m. Kitka është kufiri i ndarjes së Serbisë me Turqinë nga viti 1878 e gjer në vitin 1912, kurse kufiri shqiptaro-serb më vonë e akoma edhe sot e gjithë ditën. Në kongresin e Berlinit ishte vendosur vija e kufirit rrëzës së maleve të vjetra Iliro-Dardane që njëherë u quanin MALET ALBANE, si dëshmi e së cilës mbeten këtu e sot LLABI, lumë – e LLABI ose LLAPI krahinë edhe LEBANA si vendbanim, për ta ndërruar pastaj në MALET E ARGJENDTA ose “Montus Argentum” edhe sot Malet e Gollakut. Ndonëse natyror, kjo vijë kufitare nuk ishte etnike, sepse shumë fshatra shqiptare kishin mbetur në Serbinë sllave e pansllaviste. Kështu Kitka për 34 vjet rresht ishte vend kufitar e tani sërish vazhdon të jetë kufi ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Beteja e Parë e Kitkës u zhvillua më 28 qershor 1944, datë kjo e Betejës së Kosovës ndërmjet Turqisë e Krishterëve. Në këtë ditë lajmërohen shumë partizanë komunistë serbë me shumë fshatarë nën udhëheqjen e njëfarë Peter Stambolliqit e ku ishte edhe gjakpirësi më i madh shqiptar e i shqiptarëve Ali Shukriu edhe, pa lajmërim, i sulmojnë që në ferk të mëngjesit ato roje të pakta shqiptare të kufirit. Qëllimi i këtyre partizanëve komunistë ishte me kalue nga ajo anë e Toplicës e Lebanës nëpër Poliçkë, Sedllar, Kranidell, Karaçevë, Rogaçicë e Breznicë në rrethin e Vrajës e te Bujanovcit, për t’u ikur sulmeve të çetnikëve serbë, që i përcillnin këmba-këmbës. Rojet e rregullta të ushtrisë së vogël shqiptare që e ruanin kufirin ishin të vendosura në Hogosht edhe nën udhëheqjen e Fuat Dibrës. Shtabi i kësaj ushtrie me kolonel Fuat Dibrën ishte i vendosur në shtëpinë e Kamerit të Danit, afër qendrës së qytezës së Hogoshtit. Në këtë aradhe kishte shumë pak ushtarë të rregullt. Këtë aradhe e komanduan:

  1. Fuat Dibra (kolonel)

  2. Kapetan Basha

  3. Kapetan Jusufi

  4. Riza Togeri

  5. Toger Mark Gashi (i thonin Mark Dredha)

  6. Shefqet Bylykbashi i Drenicës – kapiten

Në radhët ushtarake ishin shumë luftëtarë, ndër të cilët u dalluan në të dy luftërat:

  1. Nexhmedin Zhuri, dhjetar

  2. Limon Zhuri i Prizrenit

  3. Sadri Shipashnica (i gjallë në Stamboll)

  4. Sylë Kopërnica e tjerë.

Pasi e sulmuan kufirin, në mëngjes herët, pa gdhirë mirë agimi, partizanët në Luftën e Parë të Kitkës, që në fillim depërtuan dhe u ndanë në dy grupe për taktizim që kish për qëllim ndarjen e aradheve të rregullta dhe vullnetare shqiptare. Këto dy drejtime u ndanë te Lepodera e Kranidellit: grupi partizan në të majtë ia mbajti nëpër male të Karaçevës edhe ndërmjet Karaçevës Epërme e të Poshtme kaloi kah Dheu i Bardhë, ndër Muhoc e Bilinicë, duke arritur në Ush, aty ku ishte kufiri ndërmjet shqiptarëve e Bullgarëve. Ky grup, kështu hyri në rreth të Vrajës e të Bujanovcit. Partizanët e këtij grupi arritën të shpëtojnë shumica. Më kujtohej mua si fëmijë dymbëdhjetëvjeçar se këta partizanë i kishte zënë nata, për arsye se nga Kitka në Ush kishte afër tridhjetë km. Natën përdornin plumba të raketave, u thoshin asaj kohe me plumba të kuqë për të treguar drejtimin e rrugës kah duhet udhëtuar për të mos e humbur drejtimin.

Grupi i dytë partizan kaluan nëpër Kranidell e në malet e Rogoçicës e mbetën nëpër shumë pyje e lugaja. Meqë i zuri dita, ata u strehonin ku mundnin. Mirëpo populli i zuri edhe ata që nuk u vranë, u zunë dhe iu dorëzuan gjermanëve. Vetëm Xha Rasimi i zuri 22 (njëzet e dy) partizanë te Përroi i Xharrimave edhe i dorëzoi te xhamia. Këta u deportuan në Gjilan.

Në Luftën e Parë të Kitkës u dallue Nexhmedin Zhuri, si luftëtar që e përdorte me mjeshtëri mitralozin, edhe dallohej me gjuajtje të drejtë të rafalëve të tij.

Partizanët në Luftën e Parë përfshinë një front shumë të gjerë, nga Lisocka, Velegllava e Kitka e gjer në Desivojcë e Tërstenë.

Në grupin e dytë ishte brigada partizane e rinisë së Leskovcit.

LUFTA E DYTË E KITKËS

Lufta e Dytë e Kitkës është zhvilluar më 26 korrik 1944. Kjo ishte më e madhe në krahasim me luftën e parë. Në këtë luftë janë vrarë shumë njerëz, sidomos nga ana e armikut. Beteja vendimtare e kësaj lufte ishte bërë në Malin e Kitkës edhe dhe në rrëzat e tij kah Poliçka edhe Velegllava.

Siç rrëfente nipi ynë, djali i Dadës Qamë, e bija e Liman Gecit nga Rogoçica, Sejdë Tahiri i Sermaxhajve të Hogoshtit, lufta u ba fyt me fyt, pikërisht ashtu siç këndohen disa lufta në këngë të trimërisë. Sejdë Tahiri u plagos rëndë në këtë luftë edhe mbet në një shpat ku kishte plot fier; i shtrirë e pamundësi të lëvizte. Në sulm të parë i thyem duke vra shumë shkie partizanë. Mirëpo, numri i madh i tyre depërtoi me armë edhe na hyri brenda radhëve tona. Kështu u plagosa rëndë në këmbë të majtë edhe, meqë nuk munda me lëvizë, u shtriva si i vdekur. Kështu shpëtova prej shqeve (shkieve), se ata nuk më shikonin shumë, por pikën e hallit e kisha prej një kali i cili mu kishte afrua edhe duke kullotur pranë meje ma shkelte këmbën e plagosur. Mirëpo shpëtova disi pa u hetua se jam i gjallë, gjersa depërtuan partizanët e erdhën shqiptarët.

Në këtë luftë, prej Hogoshtit mbetën të vrarë këta trima luftëtarë: 1. Rexhepi i Arifit Mihovcit, 2. Hasani i Halil Bishtaqit, 3. Kadriu i Halil Biçkut, 4. Rama i Selman Bishtaqit, 5. Shabani i Jashar Biçkut, 6. Hafezi i Halit Biçkut, 7. Hamdiu i Danit Mujës, 8. Taipi i Doshit – Sermagjaj – baba i Haki Myderizit.

Kurse të plagosur nga Hogoshti ishin:

  1. Sejda i Tahir Sermagjajt (në këmbë)

  2. Rexhepi i Hazir Biçkut etj.

Nga fshatra tjera:

  1. Miftar Xhelë Kryeziu (Rogoçicë) ishte polic komune

  2. Sherif Ibrahim Spahiu (Muçivërc) u plagos në qafë

  3. Xhafer Mustafë Krasniqi (Dajkovc)

  4. Islam (Lam) Huruglica (Baba i Muharrem Shebiqit)

Në këtë luftë janë vrarë mbi 160 shqiptarë.

Heroizmi i Nexhmedin  Zhurit

Ndër ushtarë të rregullt që e ruanin kufirin ishte edhe një djalosh i ri 22-23 vjeçar nga Prizreni që quhej Nexhmedin Zhuri. Në aradhen e Fuat Dibrës, Nexhmedini ishte më i dalluar, më i fuqishëm, më trim e më i vendosur, prandaj u bë Dhjetar edhe e mori për luftë e për mbrojtjen e tokës mëmë Dardane ALBANA SHQIPTARE, të kufirit tonë.

Në Hogosht, duke pushuar, sikurse edhe në kufi duke ruajtur mëmëdhenë u bë shumë i njohur, shumë i afërt, shumë i ëmbël nga të gjithë. Të gjithë ata që e kanë parë edhe sot e përkujtojnë duke thënë se kishte sy shqiponje, që tregonin trimëri e vendosmëri. Në Prizren kishte lënë familje: babanë, nënën e dashur, vëllezër e motra. Në kufi kishte ardhur vullnetarisht. Mendonte se këtu në kufi mbrohen të gjithë shqiptarët. Mbrohej këtu, thoshte Nexhmedini fara e pjellës shqiptare. Ishte i pagabueshëm për të gjithë e veçanërisht për pajisjet e komandave.

Vendosmëria e Nexhmedinit të dashur jena të gjithë ne shqiptarët e Gollakut, Hogoshtit, Rogoçicës, Dajkocit të Metush Krasniqit e të gjithë të vendeve të tjera të Gjilanit, Prishtinës, Preshevës, Shkupit, Prizrenit.

Nexhmedini ynë nuk la fëmijë të vet trashëgimtarë, sepse ishte i pamartuar, por e la trimërinë, heroizmin, vendosmërinë për të luftuar për mëmëdhenë, të cilën nuk do t’ia harrojmë kurrë. Do ta ngrisim zërin gjer në kupën më të lartë të qiellit për të treguar trimërinë heroike të tij. Së pari të gjithë do të bëhemi e të jemi fëmijë të Nexhmedinit, se ai e ujit tokën me ujin e lules së kuqe të rinisë nga i cili ne u rritëm në aromën e në lëngun e saj.

Jemi fëmijë të tu Nexhmedin / Jemi vëllezër tu Hero / Jemi motra tua Nexhmedin or vëllaçko / Ty të kemi hero!

Nexhmedini luftoi edhe në Luftën e Parë të Kitkës, gjithnjë me mitraloz. Mirëpo nuk iu nxeh arma sikur në Luftën e Dytë të Kitkës.

E pra pse iu nxehte mitralozi Nexhmedinit tonë? Një ditë nga mëngjesi nuk u ndal deri në të skuqur të muzgut, kur pranë tij me duar të skuqura si tyta e mitralozit mbeti edhe Nexhmedini.

Të gjithëve u tha: tërhiquni Ju ngadalë se kuçedrës unë do t’i bie në gojë. Pasi iu afrua kuçedra edhe ndihmësit të vet i tha: urdhëro edhe ti pas vëllezërve se unë do t’i dal vet përballë kuçedrës. Vërtet i doli dhe i mbeti atij përpara në ballë.

Kuçedrës ia preu thuaja të gjithë zogjtë që i vinin pranë. Si gjurmë Nexha hero e la një grumbull fishekësh tani në vend të tretë nga mëngjesi në livadhe të Marocës, aty ku më kishte lindur Loke Madhja, Nëna e Nënave – Hanifja e Gecajve. Aty mbeti Nexha hero i heronjve të gjallë e të vdekur.

Disa muaj i kaloi Nexha Hero afër shtëpisë së Mehmet Malës, i cili e lindi një hero – Rexhep Malën që do të zgjedhë vdekjen me armë e me këngë në Kodrën e Trimave një çik pas Nexhmedinit.

Trimëria e shtyn trimërinë, heroizmi e forcon heroizmin, rrushi e sheh rrushin e piqet, thotë proverbi popullor shqiptar. Një tjetër mençuri popullore e popullit shqiptar gjithashtu e lidhur me këtë që e shënuam më lartë; “Grunë e fëmijë kurrë mjaft, trimëri e heroizëm ka nevojë të ketë grumbull si rrushi e grunë në kope e kalavesh. Trimëria e bëri të veten edhe në Kitkën legjendare. Armiku e vrau Nexhmedinin por pasi i la mëse 500 vetë. Nexhmedini u mbulua me fishekë të ndezur të mitralozit të vet; armiqtë u detyruan të tërhiqen.

Populli i Hogoshtit e i rrethinës e varrosi Nexhmedinin me këngë trimërie e me flamur kombëtar. Mirëpo heroi Nexhmedin u harrua për një kohë sa fitoi e sundoi komunizmi sllavo-ortodoks. Trupi, hija e eshtrat e Nexhmedin Zhurit le të na falin për kohën 50 vjeçare sa kemi qenë të thumbuar për ta harruar e pse nuk e kemi përmendur. Populli i thuri këngë këtij trimi edhe i këndoi në disa vite me radhë. Ato këngë do t’i shënojmë e nuk do t’i harrojmë.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja