8.5 C
Kosovo
22/11/2024

Metush Krasnqi – drejtori dhe patrioti me kurajo të lartë qytetare

Arkivi

Në 38-vjetorin e vdekjes së Metush Krasniqit – ideologut, patriotit e arsimdashësit të dëshmuar të shekullit XX.

Shkolla e Roganës që nga themelimi (1945) e gjer më sot ka pasur mbi 20 drejtorë, të cilët kush më shumë e kush më pak kontribuoi që kjo shkollë të funksionojë në mënyrën sa më të mirë. Jo gjithmonë ishin edhe kushtet e veprimit njësoj. Prandaj, nëse ndonjëherë ka pasur ngecje gjatë drejtimit të këtij institucioni, mbase duhet pasur mirëkuptim.

Sidoqoftë, për drejtimin sa më të suksesshëm të një institucioni, çfarëdo qoftë ai, duhet të dominojë edhe vetëdija e punëtorëve. Kur është fjala për drejtorët e institucioneve arsimore, roli i tyre dallon nga drejtori i një sipërmarrjeje ekonomike, edhe pse mekanizmi udhëheqës është afërsisht i njëjtë. Ajo që dallon është, se rezultatet në arsim, krahasuar me ato ekonomike, arrihen më ngadalë por janë më të qëndrueshme. Prandaj, drejtori i shkollës duhet të jetë sa vizionar, po aq edhe nuhatës i mirë i gjendjes aktuale, politike, kulturore, ekonomike etj.

Duke pasur parasysh cenzurën e vazhdueshme ndaj drejtorëve të shkollave (por edhe të institucioneve të tjera) nga regjimet e kohës, shpesh ka ndodhur që ajo, cenzura pra, ta thyej karakterin vetëvendosës të akëcilit drejtor dhe te drejtori të gjallojë një vetëcenzurë, e cila, shpeshherë, ka rezultuar me ngecje në përparimin adekuat dhe gjithëpërfshirës. Të tillë drejtorë ka pasur, herë-herë, edhe në shkollën e Roganës, ngase jo secili drejtor mund ta sfidonte aparatçikun arsimor komunist, i cili herë në hije e herë sheshazi ishte këmbëngulës kundër shqiptarit të ditur, kundër shqiptarit profesor, doktor e shkencëtar.

Këtë mynxyrë të „komitetlinjve“ do ta ketë provuar më së drejtpërdrejti drejtori i shkollës „1 Maji“ në Roganë Metush Asllan Krasniqi nga Dajkoci i cili, falë kualifikimit shkollor që kishte, po e drejtonte shkollën në një ndër periudhat më të vështira të fundshekullit të 20-të, në periudhën e aksionit të armëve, të „otkupit“, të burgosjeve të intelektualëve shqiptarë. Pra ai ishte drejtor shkolle në vitet 1955-1957.
Bacë Metushi, siç do t`i thonë shumëkush më vonë, ishte ideator dhe prijatar i gjithë asaj që ishte avancuese për njerëzit, sidomos për shqiptarët; ishte „kujdestar“ i kohës për Anamoravë e më vonë për gjithë Kosovën, për mbrojtjen e interesave kombëtare; ishte „tagrapagues“ i drejtpërdrejtë i udhëheqësve të paditur e servilë të kohës, të cilët udhëhiqeshin nga maksima „ubi bene – ibi Patria“ (ku e kam më mirë – aty e kam shtetin). Ishte i rreptë në mbrojtjen e interesave të shkollës. Sidoqoftë jepte më shumë vetë sesa kërkonte nga të tjerët. Nuk ishte njeri i kolltukut, por më shumë njeri i terrenit, i punës. Nuk bezdisej nëse ndokush ndjente dhembje nga e vërteta. Kishte potencial të vazhdueshëm afirmativ për shkollën shqipe. Nuk ngurronte të kërkonte pajisje për shkollë, nëse vërente se të tilla u ndaheshin shkollave të atëhershme serbe, në nivel komune.

Në shkollën e Roganës edhe sot pas një treçerekshekulli gjejmë pjesë të kabinetit të biologjisë, të fizikës, të arsimit teknik që i kishte siguruar Metush Krasniqi. Në mbrojtje të interesave arsimore e kombëtare disa herë ishte burgosur nga regjimi i atëhershëm sllavo-komunist. Asnjëherë nuk ishte arrestuar për interesa të veta personale, do të konkludojnë gjeneratat e mëvonshme. Për Metush Krasniqin mund të lexohet (jo)mjaft në rreshta, në shkrimet e kronikëve shqiptarë të kohës si dhe ndërmjet rreshtave nga akuzat e shpeshta e të shumta të regjimit të asaj kohe. Në këtë kontekst po sjellim shembullin e një komunikate të lëshuar nga Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës e të botuar te libri i Kadrush Sylejmanit, kushtuar Metush Krasniqit, ku thuhet: „… me burgosjen e Metush Krasniqit është burgosur kreu i udhëheqjes së demonstratave të marsit e të prillit të vitit 1981 në Kosovë…“ Pra, ka çka të lexohet edhe mes rreshtave. Në këtë shkrim, më tepër po i qasemi, shkurtazi, personalitetit të tij prej drejtori të shkollës si dhe shembullit se si një njeri i arsimuar duhet ta shpreh kurajon qytetare, gjithmonë në kuptimin pozitiv të fjalës për popullin shqiptar të shtypur dhe për njerëzimin në përgjithësi.

Metush Krasniqi disa herë burgoset nga ish regjimi komunist, por asnjëherë nuk ka arritur kush t`ia burgoste guximin qytetar. Ai, edhe në burg reagonte, kur i jepej rasti, për t`i mbrojtur të drejtat e popullit të vet. Se vërtet do të ketë qenë kështu, në këtë shkrim do të paraqitet një dëshmi gojore e një ish bashkë të burgosuri në burgun (Kapedom) e Nishit, z. Osman Basha nga Hodanoci. „Ishte viti 1962 kur më rastisi të jem bashkë me Metush Krasniqin (jo për të njëjtat vepra, shënim i redaksisë) në burgun e Nishit. Një dite na u raportua që të mblidhemi të gjithë në një sallë të madhe të burgut. Kishin ardhur eprorë të lartë të SPB-së nga qyteti i Nishit. Ata na u drejtuan nëse ndokush prej të burgosurve ka për të shprehur ndonjë pakënaqësi. Bile, na siguronin se askush nuk do të keqtrajtohet nëse i shpreh ato haptazi. – Urdhëro Krasniqi, thuaj çfarë të duash se nuk i jep askujt përgjegjësi, iu drejtua bacës Metush. Baca Metush nuk deshi të fliste, por kur ai e provokoi sërish, ky i tha: „Ne, ne dobro mi je, evo robijam: za 24 sata skidam jedan dan“ (Jo, jo mirë jam, ja po vuaj dënimin: për 24 orë po e heq një ditë). Ata ia kthyen: – „po vuan për dënimin e merituar“.

Atëherë baca Metush u ngrit në këmbë dhe iu drejtua: “Nuk do të kërkoj nga ju që të shpallem i pafajshëm, por kërkoj të më lejoni të diskutoj 30 minuta pa ndërprerje“. Pasi që u shikuan ndërmjet veti iu drejtuan: vetëm urdhëro! Metushi nuk kishte kurrfarë koncepti përpara, sepse as që ishte përgatitur paraprakisht. Ai diskutimin e nisi: „Ju, do të dënoheni nga historia. Ju jeni ata që vajzës shqiptare ia keni futur në çantë, librin e ndaluar nga Shqipëria, dhe pastaj e keni burgosur. Ju jeni ata që keni burgosur vajza e gra shqiptare për t`i dhunuar dhe poshtëruar ato moralisht“, pati shprehur guximin qytetar plot 30 minuta, pandërprerë, duke folur për situata nga më të ndryshmet në mbrojtje të popullit shqiptar.

Pas këtij diskutimi, ndonëse edhe të burgosurit serbë ia kishin lakmi, Metushin e dënuan me 3 muaj dënim në vetmi, dhe, kur doli nga vetmia peshonte vetëm 47 kg, ishte shprehur në një intervistë për “Inforogana” (më 2006) Osman Basha. Osmani kishte vuajtur një dënim prej një viti dhe në këtë kohë ai kishte takuar në burgun e Nishit, përveç Metushit edhe Sejdi Kryeziun, Enver Talin, Mark Gashin etj. Burgosja e fundit me 4 tetor 1985 ishte e papërballueshme për Metush Krasniqin, kështu që më 16 qershor 1986 lirohet nga burgu, tashmë i rraskapitur dhe vdes më 15 tetor 1986, për t` u varrosur, sipas amanetit të tij, në vendlindje, në Dajkoc. Mendoj se për Metush Krasniqin duhet të mblidhet një grup analistësh dhe ta trajtojnë veprimtarinë e tij në shumë aspekte.

Sot SHFMU e Roganës me krenari mban emrin «Metush Krasniqi», njësoj siç mbajnë edhe shumë rrugë e sheshe anembanë Kosovës.
Këshillat e Metush Krasniqit ishin me porosi kapitale. Ja një porosi për burrërinë: „Burrëria po të ishte sa muaji i ramazanit, mbase do ta mbante secili, mirëpo ajo njeriut i duhet tërë jetën, prandaj është paksa e vështirë për ta ruajtur. Megjithatë ia vlen të bëhet përpjekje“!
(Xhevdet Kallaba)

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja