0.5 C
Kosovo
14/11/2024

Në Gjilan u përuruan katër vepra nga krijimtaria letrare e prof.dr. Faik Shkodra

Arkivi

Të shtunën e 5 tetorit, në sallën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, u bë përurimi i krijimtarisë letrare të prof. dr. Faik Shkodrës. Kjo ngjarje kulturore-letrare përkoi edhe me vitlindjen jubilare – 80-vjetorin e lindjes së autorit të mbi 30 veprave, si dhe 50-vjetorit të krijimtarisë letrare të prof. dr. Faik Shkodra.

Me një elokuencë prej moderatoreje profesioniste, zonja Lumnije Thaqi – Halili udhëhoqi rrjedhën e përurimit të librit, duke shpërfaqur fragmente prezantimi të referuesve të këtij përurimi, si dhe duke i paraqitur titull për titull 32 veprat e Faik Shkodrës, dhe një jetëshkrim të autorit Shkodra, si studiues, profesor e pedagog dhe krijues letrar.

Në kontekst të këtij suksesi krijues të profesor Shkodrës, zonja Lumnije Thaqi-Halili falënderoi edhe familjen e autorit, përkatësisht bashkëshorten e tij, zonjën Merishahe Shkodra për përkushtimin, frymëzimin dhe përkrahjen që i dha rrugëtimit krijues të autorit.

Përurimin e krijimtarisë letrare të profesor Shkodrës, me kompetencë e begatuan referuesit dhe kritikët letrarë: prof. dr. Adem Zejnullahu, për librin “Aziz Shkodra – personalitet i veçantë”; prof. dr. Hysen Matoshi për veprën “Rexhep Shkodra – intelektual e profesionist model”; prof. Nexhat Rexha për librin “Profili letrar – Sulejman Dërmaku”, dhe kritiku letrar z. Prend Buzhala për librin “Thellësia e komunikimit artistik të Ramadan Mehmetit”.

Thellësia e shtjellimit të veprimtarisë së prof. dr. Faik Shkodrës, më konkretisht e këtyre katër veprave, për të cilat ishte organizuar ky përurim, nga referuesit ishte pothuajse e një niveli simpoziumi.

Vepër sublime e atdhedashurisё dhe urtёsisё popullore – “Aziz H. Shkodra personalitet i veçantë”

Prof. dr. Adem Zejnullahu veprën e prof. dr. Faik Shkodrës, “Aziz H. Shkodra personalitet i veçantë”, në vështrimin e tij vlerësues, e paraqiti si vepër sublime të atdhedashurisë dhe urtësisë popullore, duke vënë në spikamë virtytet dhe vlerat që lidhen me jetën, punën, mençurinë, filozofinë dhe vizionin e urtakut popullor, përkatësisht duajenit (kryeplakut) – Aziz Shkodra. Këtë urtësi të Aziz Shkodrës, profesori Faik kishte arritur ta nxirrte në sipërfaqe fal faktit që ai e kishte njohur edhe personalisht kryepersonazhin, i cili, prej kohësh kishte bërë emër në trevën e Gollakut, dhe jo vetëm, duke qenë reflektues i traditës dhe kulturës sonë popullore.

Në shtjellim e sipër të kësaj vepre, profesor Zejnullahu shpjegon sesi ajo është ndarë në shtatë kaptina kryesore, të cilat, së bashku, krijojnë një tërësi përmbajtjesore dhe artistike. Pa modesti, autori e pietetizon Aziz Hajredin Shkodrën si njeri të veçantë në dukje, në punë, ndër ndeja burrash në oda e kuvende, me qëndrim dinjitoz; atdhetar dhe sfidues të regjimeve antishqiptare. Madje, në kaptinën e tretë të librit autori e paraqet kryeprotagonistin edhe si maratonomak të lirisë kombëtare, duke qenë mbrojtës i drejtpërdrejtë i kufirit, nga sulmet partizano-çetnike.

Prandaj, me arsye, autori e përjetëson Aziz Shkodrën si figurë të ndritur, të respektuar me të gjitha virtytet e larta për atdhedashuri, urtak e vizionar të shquar, që do të shërbejë si model trimërues për gjeneratat e reja.

Si studiues i pasionuar i veprave të prof. dr. Faik Shkodrës, profesori Adem Zejnullahu kishte përgatitur edhe një vlerësim për profesorin e shtigjeve të dijes – Sadri Shkodrën, por në këtë ngjarje po përurohej vepra kushtuar Aziz H. Shkodrës.

Sidoqoftë, për lexuesit e platformës “Inforogana.com”, po sjell edhe disa fragmente nga vepra e prof. Faikut kushtuar prof. dr. Sadri Shkodrës.

Profesori i shtigjeve të dijes – Sadri Shkodra

Në kumtesën, “Monografi me vlera të shumta për një pedagog të veçantë”, prof. dr. Adem Zejnullahu ka paraqitur në përimtësi punën përkushtuese që profesori Faik e kishte dhënë në monografinë “Profesori i shtigjeve të dijes – Sadri Shkodra” e që i kushtohej personalitetit të shquar të arsimit dhe edukimit të shumë gjeneratave, veçmas në fushën e matematikës, prof. dr. Sadri Shkodrës.

“Shkrimi monografik është njëri ndër zhanret më të vështira letrare në fushën e letërsisë, në krahasim me llojet tjera, ngase kërkon një angazhim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, shumëdimensional, të autorit për të pasqyruar jetën dhe veprimtarinë e personazhit kryesor për të cilin do të shkruajë. Në këtë përcaktim, autori i shkrimit monografik, që në fillim preokupohet se çka do të shkruajë, si do ta shkruajë, çka do të marrë më parë, çka mbetet pa marrë, pa folur e pa shkruar për jetën dhe veprën e tij, por gjithsesi, me tërë mendjen e penën, mundohet që t’i përfshijë të gjitha dimensionet jetësore e veprore, por, prapëseprapë, mbetet edhe shumëçka pa u pasqyruar në shkrimin  e tij. Kjo është edhe më vështirë kur bëhet fjalë për një të dashur, të afërm me të cilin e ka kaluar fëmijërinë, rininë dhe pjekurinë, siç është rasti me kushëririn e tij, Sadriun, sepse vështirë që mund t’u ikë emocioneve”, konkludon në vlerësimin e tij prof. Zejnullahu.

Më tej, prof. Zejnullahu shpjegon për vlerat profesionale e shkencore të prof. Dr. Sadri Shkodrës, të cilat profesor Faiku i shtjellon në librin monografik prej mbi 400 faqesh me titull “Sadri Shkodra – profesor i shtigjeve të dijes”.

Veç kësaj, ky botim monografik për profesor Sadriun, është edhe një vërejtje serioze për të gjitha institucionet komunale gjegjëse dhe të edukimit në Gjilan e në Prishtinë, që njerëzit e tillë sikur Sadri Shkodra të mos harrohen pas vdekjes, por të përkujtohen e të nderohen për punën e tyre me ndonjë emërtim të ndonjë institucioni arsimor a kulturor, apo të ndonjë sheshi të qyteteve ku ai jetoi e punoi.

Rexhep Shkodra – intelektual e profesionist model

Në paraqitjen e radhës, prof. dr. Hysen Matoshi përgëzoi prof. dr. Faik Shkodrën për veprat e botuara, por edhe ia uroi 80-vjetorin e lindjes, si dhe 50-vjetorin e veprimtarisë së tij me shpresë për urimet e vazhdueshme që puna e tij intelektuale e shkrimore të vijojë edhe dekada të tëra.

Prof. Matoshi, vështrimin e tij e ka titulluar “Portreti i një idealisti”, për të thënë se autori i 32 veprave letrare, pastaj i shumë punimeve të ndryshme shkencore, pedagogjike e publicistike, prof. dr. Faik Shkodra, tashmë, vjen me një vepër të veçantë: “Rexhep Shkodra – intelektual e profesionist model”, të shkruar sa me profesionalizëm, po aq edhe me dashuri. “Ndonjëherë, nuk është i rëndësishëm fakti se sa arrihet në ndonjë punë të caktuar, nëse ai është produkt i një përkushtimi të madh, nëse ai është bërë me një pasion për të përmbushur synimet jetësore. Kjo, veçmas, vlen për tekstet që shkruajmë dhe që përmbajnë një dozë të domosdoshme pasioni dhe emocioni”, vlerëson z. Matoshi. Më tej ai thotë se “në jetën tonë shoqërore spikaten figura të dimensioneve të ndryshme profesionale, të cilat, me punën e tyre, i kanë shërbyer vendlindjes, por edhe vendit tonë në përgjithësi, dhe për të cilat ndiejmë dëshirë të flasim.

Monografia “Rexhep Shkodra – intelektual dhe profesionist model” përbën një kontribut vijues kushtuar një njeriu, që përtej raportit familjar, në mendjen e autorit është skalitur për angazhimin e pashoq dhe bamirës në interesin familjar; në mendjen e autorit është skalitur për angazhimin e pashoq dhe bamirës në interesin e përgjithshëm për njeri model që përkushtohet rrënjësisht përgjatë gjithë jetës së tij. Në këtë vepër autori ka shkrirë rolin e tij autorial dhe kujtimet e tij nga jeta me protagonistin e kësaj vepre, duke i plotësuar ato me aspekte dokumentare, dhe sidomos edhe me kujtimet e bashkëkohësve që e kanë njohur Rexhep Shkodrën.

Rexhep Shkodra ishte intelektual e profesionist i denjë, ishte sintezë e pjesës së kulturës kombëtare dhe i veçantë për t’u marrë shembull për brezat që vijnë”, tha mes tjerash, në paraqitjen e tij, prof. dr. Hysen Matoshi, duke e plotësuar edhe me shumë të dhëna nga i gjithë libri prej mbi 300 faqesh.

Profili letrar – Sulejman Dërmaku

Profesori e kritiku letrar, Nexhat Rexha kumtesën e tij e kishte titulluar “Meditimet në kodim të artit”. Ai shpjegoi sesi konteksti i meditimeve në shtruarjen kërkimtare parashtron idenë në specifikim dhe në koordinim të mendimit sa më funksional për t’u dhënë cilësim të pranueshëm gjërave që saktësojnë në profilizimin dhe kriterin artistik. Pra, në këto kondita kërkimtare, shkencore dhe sa më të avancuara vjen edhe libri i prof. dr. Faik Shkodrës me titull “Profili letrar i Sulejman Dërmakut”, ku përfshihet një pjesë e opusit krijues të Sulejman Dërmakut.

Prof. Rexha, më tej, shpjegon sesi studiuesi Faik Shkodra, në veprat që ka marrë në shqyrtim, ka prekur meditimet më të thella të këtyre shkrimeve, gjithnjë me theks të veçantë në depërtime e vlera sa më të dalluara. Ai vë në spikamë sesi autori Shkodra, në shpalosjen e tij për profilin letrar të Sulejman Dërmakut, si dhe në trajtesat e tij, ka depërtuar në botën shpirtërore të kryepersonazhit. Kështu pra, bota shkrimore e Sulejman Dërmakut, në: publicistikë, reportazhe, udhëpërshkrime, monografi dhe tanimë në tregimet satirike, por edhe në poezi, vijnë të skalitura me ngritje të cilësisë estetike. Madje, profesori Shkodra ka konstatuar se proza satirike e Dërmakut të jep referencën e integrimit brenda tekstit, duke ofruar njohjen me ambientin dhe imazhet e tejdukshme prapa skenave ekzistuese që bartin aktualitetet jetësore, përmes satirës dhe ironisë, e që glorifikojnë realitetin nëpër transformimet shoqërore.

Në këto vepra të marra në shqyrtim nga profesori Shkodra, përkatësisht në këto meditime të trianshme: autor-lexues-studiues, si: “Në emër të popullit”, “Ta rrënojmë të vjetrën”, “Sa herë të ta them”, kryesisht tregime satirike, si dhe në shkrimet publicistike: “Fundshekull – lingë kohe”, “Fillimshekull – lingë kohe”, pastaj në tregimet “Viti i acartë” etj., reflektimet krijojnë manifestimin e individualizuar brenda kontekstit konkretizues, sepse autori pretendon të arrijë, përmes imagjinatës, në realen frymëzuese tek ata që arrijnë të hynë në botën e protagonistëve dhe ngjarjeve të kohës.

“Thellësia e komunikimit artistik të Ramadan Mehmetit”

Dhe, vepra e fundit nga kjo seri përuruese ishte “Thellësia e komunikimit artistik të Ramadan Mehmetit”, i cili shquhet për talentin, kulturën dhe përkushtimin që ka ndaj fjalës poetike. Ai është poet që di çfarë shkruan, di ta zotërojë mjeshtërinë e të shkruarit dhe di ta riprodhojë realitetin dhe ngjarjet e kohës.

Për këtë vepër foli shkrimtari, studiuesi dhe kritiku letrar Prend Buzhala, i cili përkujtoi se tashmë gjendemi në muajin tetor e i cili botërisht është shpallur si “Muaji i Librit”. Prandaj, me këtë rast, ai uroi nga zemra për përvjetorin e lindjes së prof. dr. Faik Shkodrës, si dhe për përurimin e këtyre botimeve, por edhe të vetë këtij manifestimi përurues, duke e ndarë këtë privilegj pjesëmarrjeje bashkë me të gjithë të pranishmit në sallë.

Në fjalën e tij ai tha se prof. dr. Faik Shkodra është i njohur për publikun letrar si kritik letrar dhe studiues i letërsisë, ndërkaq për një pjesë tjetër të publikut edhe si profesor e pedagog. Në fakt, ky autor është edhe një recensues dinamik i veprave letrare ndër ne. Janë disa dekada që Faik Shkodra është në botën e letrave shqipe. Ai e shkruan aktivisht dhe pa ndërprerje kritikën dhe studimet letrare, krahas monografive dhe veprave publicistike e dokumentare.

Nga ana tjetër ushtron vazhdimisht interesimin e tij kritiko-letrar për disa autorë e vepra të letërsisë shqipe, duke shfaqur për ta interesime për kohë të gjatë, duke shkruar për veprat e tyre punime që i përmbledh në vëllime siç vepron kësaj radhe me krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit, ku ai ka dhënë dhe ende jep kontributin e tij të çmueshëm në vitalitetin letrar kritik.

Kështu, libri: “Thellësia e komunikimit artistik” merr disa vepra letrare të Ramadan Mehmetit. Libri ndahet në dy pjesë: – në pjesën e parë – “Në botën e çiltërsisë së fëmijës” merr në trajtim veprat e letërsisë për fëmijë të Ramadan Mehmetit, kurse në pjesën e dytë – “Pesha e vargut dhe e fjalës” vështron veprat letrare për të rritur, duke i përmbledhur këto punime brenda një vëllimi. Libri “Thellësia e komunikimit artistik” merr strukturë unike ku autori analizon, studion dhe vlerëson veprat e Ramadan Mehmetit… Meqë kritiku ende e ruan atë rolin e dikurshëm për të qenë ndërlidhës mes autorit, veprës dhe lexuesit, atëherë Faik Shkodra, pothuajse në shumicën e shkrimeve të tij, e ka parasysh këtë trinom letrar, duke bërë profilizime krijuesish e veprash, dhe nga ana tjetër duke zgjedhur si këndvështrim më të shpeshtë përqendrimet te përmbajtja, apo te korpusi tekstual, më saktësisht te semantika e veprës letrare.

Pasi që referuesit shkundën mirë e mirë librat përurues të profesor Shkodrës, në foltore doli edhe vetë prof. dr. Faik Shkodra, sa për të falënderuar referuesit dhe të pranishmit, po aq edhe për t’i thënë disa fjalë para auditorit, ndër të cilët ishte edhe ish-kryetari i Gjilanit, z. Lutfi  Haziri, por kishte edhe ish-nxënës e ish-studentë, si dhe ish-kolegë pune dhe dashamirës të fjalës së shkruar, ndër ta, gjithsesi, edhe shumë familjarë të autorit dhe të personazheve të librave të shkruar, që e madhështuan këtë ngjarje kulturore për Gjilanin, dhe jo vetëm.

Profesor Shkodra fjalën e tij e filloi: -“ Të çmuar zonja e zotërinj, të dashur mysafirë e miq, të respektuar ju krijues, studiues, mësimdhënës, intelektualë dhe të gjithë sa jeni të pranishëm në këtë sallë!

E kam të vështirë të gjej fjalën më të qëlluar për t’ju falënderuar e shprehur përzemërsisht për pjesëmarrjen tuaj në këtë shënim të 80-vjetorit të lindjes e 50-vjetorit të veprimtarisë sime arsimore, kulturore, pedagogjike e shkencore.

Ndiej për borxh t’i falënderoj ngrohtësisht referuesit për fjalët e mendimet e mëdha, me të cilat shpalosën veprimtarinë time 50-vjeçare dhe bënë vlerësim e përmbajtjeve të monografive. Më duhet të pohoj se krijuesit e të gjitha fushave të arteve në veprat e tyre në qendër të trajtimit kanë fatin e njeriut, kanë atdheun, kanë lirinë dhe kanë të ardhmen e një kohe më të mirë për të gjithë. Figurat për të cilat kam shkruar, me kontributet e veçanta më kanë frymëzuar, dhe me veprat e bëra në kohë dhe hapësirë nuk janë më vetëm histori e mirëfilltë, por të tillët janë bërë vetë historia e kombit që do të kujtohen si emra me virtyte e cilësi të larta nga shumë aspekte.

Aziz Hajredin Shkodra qe një malësor desivojcas që u shqua për mendjehollësi, bujari, urtësi e trimëri. Idetë, mësimet, mendimet e atdhetarizmi i tij nuk do t’i plakë asnjë kohë. Ai qe një model i malësorit trim dhe një njeri me virtyte e vlera të shumta. Ishte njeri shumë i ekuilibruar, njeri i mbrujtur me ideal e moral të lartë kombëtar. Ndërkaq, inxhinier Rexhep Shkodra si inxhinier i Pylltarisë gjatë gjithë jetës u dëshmua si njeri ndër më të veçantët në mesin e të veçantëve, dhe me kulturën dhe edukatën, dijen, profesionalizmin e treguar u bë autoritet i respektuar, i admirueshëm dhe i dashur për të gjithë. Në takime me njerëz dëshmonte komunikim të ngrohtë, komunikim që karakterizohej me mendime të mençura, dhe me fjalët më të përzgjedhura dinte të ndërtonte ura komunikimi me vlera domethënëse e mbresëlënëse. Emrin e tij e bëjnë të madh vlerat ndër më të mirat; vlera që e cilësojnë si personalitet me zemër të madhe e shpirt fisnik, humanist e njeri zemërgjerë.

Në monografinë “Profil letrar – Sulejman Dërmaku” me opusin e veprave të llojeve të shumta e ka pasuruar letërsinë tonë. Me veprat e botuara Sulejman Dërmaku letërsinë shqipe e ka bërë më moderne dhe njëkohësisht më bashkëkohore.

Me veprat artistike Sulejman Dërmaku zë një vend nderi si pakkush nga brezi i tij. Me frymëzim të lartë në të gjitha veprat e tij si me shkop magjik ka rrokur me një frymë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Me një fjalë mund të themi se portreti i Sulejman Dërmakut me krijimtarinë letrare, mbi të gjitha, është emblematik ku spikat talenti e fuqia mendore në fushën e poezisë, të prozës, të studimeve të veprave dhe në fushën e gazetarisë, publicistikës, dhe është i rrallë me dije, kulturë e imagjinatë.

Në monografinë “Thellësia e komunikimit artistik” shkruar për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit kemi trajtuar botën artistike imagjinative të autorit, të dëshmuar me veprat letrare për fëmijë dhe për të rritur, të shkruara në zhanrin e poezisë, të dramës, poemës etj. Ramadan Mehmeti me veprimtarinë e pastër letrare ka bërë emër të shquar si në letërsinë për fëmijë, ashtu edhe në atë për të rritur. Në çdo vepër Ramadani funksionin e veprës letrare e ka vënë në shërbim të formimit ideo edukativ të fëmijëve e të njeriut në përgjithësi. Librat e Ramadan Mehmetit i karakterizon dija, qartësia dhe fisnikëria. Autori në të gjitha librat në mënyrën më të kuptueshme që mund të bëjë një shkrimtar ka shpalosur universin shpirtëror, ndijor, imagjinativ dhe mendor. Frymëzim dhe motivim i monografisë “Thellësia e komunikimit artistik” të Ramadan Mehmetit ka qenë veprimtaria artistike e tij. Ramadani në veprat letrare është treguar krijues origjinal në tema e motive interesante që, në përgjithësi, janë në frymën kombëtare që edukojnë brezin e ri.

Me të drejtë thuhet se sado që të shkruhet për figurat e monografive, për botën e denjë të tyre për të cilën ndiejmë një borxh përsëri mbetet shumëçka pa u thënë. Kjo e vërtetë na bën më përtashëm thënien se – “njeriu e krijuesi vdes me të pathëna më të mëdha”.

Në fund u shpreh falënderim të ngrohtë drejtorit të Drejtuarit për Kulturë, Rini dhe Sport; drejtorit të Teatrit të Qytetit; moderatores Lumnije Thaqi – Halili. Falënderoj punëtorët që e kanë bërë rregullimin e këndshëm të sallës; falënderoj mjetet e informimit. Një falënderim shkon për Selver Jahir Shkodrën dhe Aziz Abedin Qehajën, sponzoruesit e monografisë së Aziz Hajredin Shkodrës. Falënderoj djemtë e Rexhep Shkodrës për angazhimin maksimal dhe në fund falënderoj familjen time të ngushtë, veçmas bashkëshorten që m’i ka krijuar kushtet për t’u marrë me punë krijuese shkencore. Dhe, falënderoj të gjithë ata që në një mënyrë a në një tjetër kanë kontribuuar në organizimin e këtij jubileu tim personal!

Pas pjesës zyrtare të përurimit të krijimtarisë së prof. dr. Faik Shkodrës, të pranishmit u furnizuan me libra nga opusi i veprave të autorit Shkodra. Shumë syresh parapëlqenin që librat t’i merrnin me dedikim ose edhe të bashkëfotografoheshin. Fotografimet e shumta me autorin, por edhe me miq të rastit ishin kënaqësi më vete, ku disa prej tyre nuk ishin parë me vite të tërë./Xhevdet Kallaba/

Prof. dr. Faik Shkodra – jetëshkrim

Prof. dr. Faik Shkodra lindi më 24 maj 1944 në fshatin Desivojcë të Kamenicës.  Pas mbarimit të shkollës katërklasëshe, në fshatin e lindjes, vazhdoi katër klasat e tjera në Hogosht, duke udhëtuar kilometra të tërë brenda ditës. Në kushte të rënda, më 1964, mbaroi edhe shkollën e mesme ekonomike në Gjilan, për t’i vijuar studimet në Fakultetin e Filologjisë (atëherë Fakulteti Filologjik) – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe më 1969. Në qershor të vitit 1978, magjistroi në temën: “Lirika popullore në trevën e Kamenicës”, ndërkaq në korrik të vitit 1986, po në Fakultetin Filologjik të UP=së, profesor Faiku mbrojti edhe disertacionin e doktoratës me titull, “Krijimtaria popullore si komponentë e poezisë së shkruar shqiptare në Jugosllavi”.

Punën në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj prof. Faiku e filloi në vitin 1968 në ish-Gjimnazin “9 Maji” (tash “Ismail Qemali”) të Dardanës, ku punoi deri në vitin 1975.

Më 1976, prof. Faiku filloi mësimdhënien në Akademinë Pedagogjike, përkatësisht në SHLP “Skënderbeu” të Gjilanit, për të ligjëruar lëndët: Letërsi për fëmijë me Teori të letërsisë  dhe Metodikë e zhvillimit të të folurit.

Në vitin 1998 – 2002, ishte në krye të detyrës së drejtorit të SHLP-së, të cilën detyrë e kreu me përgjegjësinë më të madhe. Pos kësaj, Ai, për disa vite ishte dhe shef katedre, anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës etj. Pra, gjatë tri dekadave e gjysmë të punës së tij në Universitetin e Prishtinës, një kohë edhe në atë të Tetovës, e viteve të fundit edhe në Kolegjin Universitar të Gjilanit, prof. Faiku u dallua me punën e tij arsimore, edukative e pedagogjike.

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja