-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

LIRIDONA – tregime e novela shkruar nga Avdulla Kënaçi

Arkivi

Ditë më parë, në Mississauga të Kanadasë takova mikun e hershëm dhe kolegun-gazetar, z. Avdulla Kënaçi. Për mikpritje më dhuroi, me dedikim, librin e tij me tregime e novela – “Liridona”.

Libri “Liridona” i autorit Avdulla Kënaçi është një thesar i padiskutueshëm në zhanrin e tregimeve dhe novelave. Në një libër prej 300 faqesh, Kënaçi sjell për lexuesit një krijimtari letrare të mrekullueshme, duke zbuluar thellësitë e karaktereve dhe ngjarjeve në një mënyrë mahnitëse në 13 tregime e dy novela.

Avdulla Kënaçi, ish-gazetar i RTSH-së tani në pension në Kanada, ka demonstruar në vëllimin “Liridona” se krijuesi i talentuar nuk ndalet kurrë nga universi letrar. Në këtë libër, ai shquhet për portretizimin e personazheve me karaktere të forta, duke simuluar botën e tij shpirtërore në Kanada dhe në vendlindje. Me një fjalor të pasur dhe një perspektivë të gjerë, ai shfaq dramën e jetës në të gjitha dimensionet e saj, qoftë në kontekstin e një atmosfere të varfër në vendlindje, apo në atë të një shoqërie më të pasur me sfida dhe pikëpyetje në emigracion ne Kanada.

 

Novelat “Si ta ketë shkruar Zoti” dhe “Numri 5001” përshkruajnë mjeshtërisht karakterin e njerëzve përgjegjës në shoqërinë shqiptare, si dhe hapërimin e kujdesshëm, si përgjegjësi e individit dhe e shoqërisë. Autori zbulon në mënyrë brilante dinamikën dhe sfidat që përcjellin ndryshimet shoqërore me ndikimin e tyre në shpirtin dhe psikologjinë e lexuesit.

Përmes tregimeve dhe novelave të tij, ai shpalos një vizion të thellë të shoqërisë dhe të jetës njerëzore, duke e bërë këtë libër një vepër të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Me një stil të qartë dhe tërheqës, Avdulla Kënaçi arrin të kapërcejë kufijtë e një shkrimtari të zakonshëm. Përmes gjuhës së tij të pasur dhe tërheqëse, ai sjell përpara lexuesit një botë të re, plot me ngjarje emocionuese dhe personazhe të paharrueshëm. «Liridona» është një libër që nuk mund të anashkalohet dhe te lihet pa u lexuar, pasi çdo faqe e tij ka diçka të veçantë artistike për të ofruar. Gjithsesi, subjektet e tregimeve nuk i kanë rënë autorit nga qielli, por i ka ndeshur në punën e tij prej profesionisti, gjatë karrierës së tij jetësore dhe gazetareske, kuptohet se temat janë hulumtuar në përmbushjen e detyrimeve të një gazetari kërkues. Po veçoj njërin nga tregimet dramatike i cili përfshihet në librin “Liridona”. Fjala është për tregimin rrëqethës “E përdhunuara”. Në Kosovë kishte kohë që kishte plasur lufta. Pasojat e eksodit të dhunshëm të shqiptarëve i kishte ndjerë mbi supet e veta edhe Shqipëria e varfër, por mikpritëse e zemërhapur. Me gjithë varfërinë e tejskajshme, askush nuk ankohej prej pranisë së vëllezërve e motrave nga Kosova. Gjithandej ishin të hapura dyert e shtëpive. Rastet ishin nga më të ndryshmet, por më i ndjeshmi ishte ai i femrave të përdhunuara dhe forcërisht të dëbuara nga Kosova, prej ushtarakëve serbë. Kështu, autorit i shkon ndoresh të zbulojë se në hotelin “Arbëria” të Tiranës ishin strehuar vajza e gra me fëmijët e tyre, të abuzuara nga militarë serbë. Kjo qendër tashmë po menaxhohej nga drejtoresha-psikologe, Jeta. Ato ishin vendosur në këtë hotel, sepse ishte afër maternitetit, dhe se duhej të vizitoheshin përditë te gjinekologu, për të shmangur pasojat dhe komplikimet e përdhunimit. Autori pas përpjekjesh të mëdha arrin të hyjë brenda dhe të prekë nga afër situatën e këtyre motrave të traumatizuara, të cilave serbët ua kishin ngrirë buzëqeshjen në buzë dhe i kishin tjetërsuar si njerëz. Ato shoqëroheshin nga një personel i kualifikuar: psikologe, infermiere dhe studente të këtyre degëve. Për këtë tregim autori veçoi personazhin e traumatizuar Besa Gjuraj, historiku i së cilës, kur e lexon, të ngjeth e të ngre mornicat mbi lëkurë. Besa ishte strehuar me të bijën; nuk nxirrte asnjë fjalë nga goja. Mbi trup kishte një xhup të zi me astar të kuq, të burrit të saj, i cili po luftonte në radhët e UÇK-së, shkruan autori. Pas një trajtimi dhe përmirësimi shëndetësor Besa e shokuar për çfarë i kishte ndodhur, kishte tentuar disa herë të bënte vetëvrasje, të hidhej nga dritarja e dhomës, por e kishin shpëtuar shoqet. Autori ka këmbëngulur që këtë dramë përdhunimesh të militarëve serbë, që ishte edhe një krim shtetëror i programuar mbi njerëzit e pafajshëm shqiptarë, ta nxjerrë para opinionit botëror, prandaj ka insistuar me këmbëngulje të kontaktonte personalisht Besën, gruan e traumatizuar. Meqë Besa nuk kishte pranuar të fliste, për ndriçimin e kësaj drame, autorit i duhej të vinte kontakt me vjehrrin e Besës, Ali Gjurën, të cilin, qysh në Kosovë, e kishin ndarë nga Besa. Aliu ishte vjehrri i Besës dhe gjyshi i vajzës tetëvjeçare – Vlora Sokol Gjuraj të strehuara në hotel “Arbëria”, në Tiranë. Axha Ali duhet ta ketë përjetuar shumë keq shtazërinë dhe krimin e ushtarakëve mizorë serbë të ushtruar brenda familjes së tij. A ka më keq sesa të shikosh me sytë e tu se si nusja e djalit bëhet pré e ligësisë dhe shtazërisë së një bande shovene?

Pas shumë ecejakesh, deri në Librazhd, gazetari Kënaçi ishte njoftuar se Ali Gjuraj ishte nisur për në Tiranë. Të nesërmen, sapo ishte paraqitur në hollin e hotelit, drejtoreshë Jeta e kishte pritur me fjalët:

– Je me vonesë, sa u ndava me Ali Gjurën. Mbesën e mori me vete. Iku tek një i afërm i tij, në Tiranë. Ai i dorëzoi Besës një letër prej bashkëshortit të vet, Sokolit. Mesa duket, në atë letër ai shkruante se e mbështeste dhe do të ishte përkrah saj, për gjithë jetën. Pasi e lexoi atë letër, ajo nisi të gjallërojë e të flasë. Gazetari kërkoi nga drejtoresha nëse kishte ndonjë dosje me fakte për këtë dramë, të cilën përpiqej t’i shkonte deri në fund. Pyeti drejtoreshën nëse kishte incizuar bisedën e Aliut me të renë dhe mbesën. Ajo nuk kishte thënë as po e as jo, por kishte vazhduar me një rrëfim: “Besa i tregoi vjehrrit se si dy shqiptaret e tjera i kishin lidhur e përdhunuar, ndërsa ajo kishte rezistuar, derisa kishte kafshuar veshin e një shkau me tatuazhin e një tigri në llërë. I kishte fiksuar emrin – quhej Drazhe. Veshin ia kishte prerë e shkulur me dhëmbë, me forcë. Goja dhe dhëmbët i ishin mbushur me gjak. Pastaj një grusht iu plas pas kokës. Dikush nga oficerët e kishte goditur tinëzisht. Asaj i kishte rënë të fikët. Mendoi se ky ishte fundi i saj. Iu bë se po vdiste, por u përmend në karrocerinë e traktorit që udhëtonte drejt kufirit shqiptar, e rrethuar nga gratë e fshatit, të cilat i mjekuan plagët me një përkujdesje të jashtëzakonshme, si në kushte lufte. E ngjallën me frymën dhe dashurinë e tyre. Gjithë teshat e trupit i ishin ngjyer me gjak. Sa u përmend, ndjeu dhimbje në gjoks. Dy thithkat e gjirit ia kishin prerë me thikë, kur ajo ishte pa ndjenja. Kishte humbur shumë gjak. Gjithë rrugës për në Shqipëri refuzonte të ushqehej. Donte të vdiste, nuk e donte veten”. “Nuk më duhet jeta pa Sokolin”, thoshte. Pas takimit me të vjehrrin, ajo ndjehet më mirë. Me sa duket, i është kthyer dëshira për të jetuar. Gjithë kohën rri e heshtur, duke lexuar letrën e të shoqit që ia kishte dorëzuar Aliu në zyrën e drejtoreshës…”.

Kaq tha drejtoreshë Jeta, duke e përfunduar dialogun me gazetarin, ndërkaq ky i fundit mendoi se kjo ishte një histori e tmerrshme lufte, më e rëndë se vrasjet. Më tej vazhdoi në vete: kombi shqiptar ishte goditur në palcë, në gjënë më të shenjtë, nderin e grave dhe të vajzave. Edhe pas dy dekadash, kjo ngjarje e ndoqi deri në Kanada, e tundonte së brendshmi tregimtarin Avdulla Kënaçi, prandaj e rrëfeu në këtë vëllim për të gjithë botën e civilizuar, të marrin vesh se çfarë ka ndodhur në Kosovë.

Duke lexuar «Liridonën» dhe duke u njohur me krijimtarinë e spikatur të Avdulla Kënaçit, të rinjtë dhe shkrimtarët e ardhshëm do të gjejnë një model frymëzues që ia vlen për t’u ndjekur. Uroj që krijimtaria e vazhdueshme e mikut tim të hershëm të frymëzojë gjenerata të reja të shkrimtarëve dhe të mbajë gjallë flakën e krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe. Mirënjohje autorit që përjetëson një realitet të shkuar, tragjik, por që duhet ta mësojnë e ta ngulitin në kujtesë gjithë brezat shqiptarë dhe e tërë bota e kulturuar ta dijë me themel luftën dhe dramën e Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar! / Xhevdet Kallaba, Mississauga – Kanada/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja