-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Mësuesi Selami Kallaba – një jetë e përkushtuar në arsim

Arkivi

Portret i mësuesit Selami Tefik Kallaba me rastin e pensionimit të tij (18 maj 2023). Mësuesi pensionohet nga mësimdhënia, por ai përherë mbetet mësues me gjithë autoritetin e tij që e ndërton gjatë karrierës shumëvjeçare. 

Selami Kallaba, një emër që ngjall respekt dhe mirënjohje në zemrat e atyre që e njohin, jo vetëm si inxhinier në XIQ “Karaçevë” të Kamenicës, në vitet e tij të rinisë, por edhe si një mësues i përkushtuar që solli ndryshime të rëndësishme në botën e arsimit. Karriera e tij profesionale tregon një rrugëtim, nga sfidat e punës në industrinë e qeramikës, te sfidat akoma më të mëdha të mësuesisë në kohë të paqarta politike.

Mësuesi Selami nuk e pranoi të nënshtronte pasionin dhe dashurinë për dijen, madje edhe pas largimit të dhunshëm nga pushteti serb. I shtyrë nga dëshira për të ndarë dijen e tij, ai nuk e gjeti rrugën e tij profesionale në zhvillimet industriale, por në arsimin paralel – një sistem i krijuar nga dhe për shqiptarët në një kohë tejet sfiduese.

Përkushtimi i Selamiut për të mësuar më shumë, për të qenë një udhëheqës i vërtetë dhe shembull për të tjerët, pas shkollimit paraprak për inxhinier kimie, e shpiu atë në shkollën e lartë pedagogjike, më pas edhe në fakultetin e edukimit në Gjilan. Kështu, pas disa vite inxhinier në fabrikën XIQ “Karaçevë”, në Kamenicë, ai e filloi karrierën e tij si mësues klasor në shkollën fillore “Abdullah Krashnica” të Koretinit dhe, së shpejti, u bë një figurë e dashur dhe e respektuar edhe në shkollat e tjera.

Gjatë karrierës së tij të pasur prej mësimdhënësi, Selamiu kaloi nga Koretini në Topanicë dhe më në fund në Roganë/Rogaçicë. Gjatë karrierës së tij në arsim, ai arsimoi shtatë gjenerata nxënësish, fillimisht nga klasa e parë deri në të katërtën dhe më vonë nga e para deri në të pestën. Në shkollë ndjente përgjegjësi të madhe për nxënësit, jo vetëm në edukimin dhe arsimimin e tyre, por edhe si mbrojtës i tyre. Kështu, pas përfundimit të mësimit, ai i përcillte nxënësit deri në dalje të oborrit të shkollës, çka vlerësohej shumë edhe nga prindërit e nxënësve.

Në vitin 2009, mësuesi Selami u rikualifikua duke përvetësuar edukimin më modern në fakultetin e Edukimit në Gjilan, duke shtuar kështu suksesin e tij në arsimimin e ciklit të ulët, nga klasa e parë deri në të pestën. Ai ishte i zellshëm – kurrë nuk u shpjegoi nxënësve nga karrigia e rehatshme. Çdo leksion, çdo ditë, e kaloi në këmbë, shpesh duke lëvizur mes bankave për t’u siguruar që çdo nxënës ishte i përfshirë, duke u bërë zëri dhe imazhi i dijes në çdo moment.

“Arsimtari Selami ishte një mësues punëtor, i përpiktë e i përkushtuar në punën e tij prej mësimdhënësi; çdoherë vinte me kohë dhe e respektonte orarin e punës, duke mos munguar pothuajse asnjë ditë”, dëshmon ish-drejtori i SHFMU “Metush Krasniqi” në Rogaçicë, prof. Florim Kryeziu.

“Nuk isha vetëm drejtor i Selamiut, por, një periudhë, edhe koleg pune i tij, dhe, ai, kishte të njëjtin qëndrim, punonte me të njëjtin intensitet, si në periudhën para luftës së fundit, kur shkolla jonë funksiononte paralelisht, po ashtu edhe pas luftës, e edhe pas shpalljes së Pavarësisë. Kjo punë e ky qëndrim flet qartë për qëndrueshmërinë e një mësimdhënësi dhe edukatori të mirëfilltë, prandaj me plot gojë, sot e për jetë, flas për kolegun tim të nderuar, Selami Kallabën” shpreh mirënjohjen ish-drejtori – Florim Kryeziu.

Por, mësuesi Selami nuk ishte thjesht një bartës dijeje – ai gjithashtu ishte një figurë që përhapte respektin dhe vlerat civile, duke formuar jo vetëm individë të zgjuar, por edhe qytetarë të mirë. Ai i mësoi nxënësit të sillen me integritet brenda dhe jashtë mureve të shkollës, duke ndërtuar një komunitet të fortë dhe të ndërgjegjshëm.

Vlerat dhe përkushtimi ndaj arsimit e edukimit janë të ndërthurura thellë në rrënjët e familjes Kallaba. Nga shembulli dhe orientimi i babait të tij, Tefikut, deri te legjenda e gjyshit të tij, Hafëz Shefki Kallaba, historia e familjes Kallaba është një mozaik i pasionit për dijen dhe përkushtimin ndaj atdheut.

“Me Selami Kallabën më rastisi të punoja një vit në Koretin e pastaj disa vite në Rogaçicë, në kohë të vështira, kur puna bëhej vullnetarisht, kurse udhëtimi nga Rogaçica deri në Koretin ishte përplot peripeci, saqë, shpesh shkonim edhe në këmbë (rreth 20 km – në dy drejtime)”, thotë kolegu shumëvjeçar prof. Besim Kryeziu, duke mos harruar për t’i falënderuar njerëzit vullnetmirë që ndalnin automjetet e tyre dhe i merrnin deri në destinacionin e dëshiruar.

Por, kolegët e tij, Florim e Besim Kryeziu nuk lënë anash pa zënë n’gojë edhe shumë shprehi që Selamiun e mbajnë afër zemrës dhe kujtesës së tyre: “Me Selamiun na ka rënë të shkojmë shpesh në ekskursione, në vend dhe jashtë vendit. Ishte konsumues i çajit të zi, një traditë tashmë e rrënjosur në mendësinë tonë, dhe, Selamiu merrte me vete pajisjet e nevojshme. Asnjëherë nuk shprehte egoizëm, prandaj ceremoninë e pirjes së çajit e ndante bashkë me kolegë, sidomos me ata që po ashtu çajin e kishin pasion”, japin mendimin e njëjtë në opinionet e tyre Florimi e Besimi.

“Sa u përket aktiviteteve në shkollë, Selamiu ishte model i unifikimit, si në punë me aktivet profesionale lidhur me hartimin e strategjive mësimore, plan programeve mësimore, programeve kulturo-argëtuese të shkollës dhe përfaqësimit në organet drejtuese të shkollës, po ashtu edhe në realizimin e tyre. Gjatë karrierës së tij, ai ka arritur të krijojë marrëdhënie të shkëlqyera me kolegë, me komunitetin e prindërve, veçanërisht me fëmijët, duke treguar shkathtësi organizative dhe menaxhuese, kur është fjala për kreativitet, disiplinë dhe paraqitje të një mësimdhënësi pedant dhe autoritativ.

Me Selamiun ishim të pandashëm në të gjitha nismat dhe organizimet që rridhnin nga lëmi i punës profesionale, dhe kjo, gjithnjë, thellonte besimin e një punonjësi të vyeshëm e hulumtues dhe të një këshilltari të përshtatshëm për identifikimin dhe kapërcimin e dobësive si dhe projektimin e masave e strategjive të reja mësimore”, shpreh dashamirësinë shoqërore e profesionale për kolegun e tij, prof. Besim Kryeziu.

Ajo që i vë vulë autoritetit të mësimdhënësit Selami Kallaba, pa dyshim, është opinioni i ish-nxënëses së tij, Lundresë Kryeziu, sot po ashtu mësimdhënëse e përkushtuar, e cila një pjesë të suksesit të vet ia dedikon ish-mësuesit të saj, Selami Kallabës.

“Mësuesi Selami ka qenë shum ë i përgatitur dhe i kualifikuar profesionalisht, besoj që kjo tashmë dihet, sepse ai e ka dëshmuar gjatë kohës që ka kontribuuar si mësimdhënës, përmes rezultateve të nxënësve të tij. Mirëpo, ajo çka unë me shumë nostalgji e mbaj në mend dhe e vlerës oj më së shumti është qasja e tij ndaj nesh. Mbështetja, kujdesi e këshillat që ai na jepte në klasë më përcjellin edhe sot e kësaj dite. Unë, gjithmonë, kam shkuar në shkollë me shumë entuziazëm, sepse e kam ditur që mësuesi ka për ta vlerësuar mundin tim e tonin dhe ka për ta dhënë maksimumin për ne. E mbaj në mend se si para se të filloja klasën e parë, të tjerët më paralajmëronin sesi mësuesi Selami është “i vështirë” mirëpo kjo ka rezultuar si e pa vërtetë. Ai ka qenë shumë i butë dhe lehtësisht i qasshëm, mirëpo edhe strikt (parimor) kur ka qenë nevoja. Ende e mbaj në mend se sa rëndë e pata përjetuar situatën kur mësuesi ka pas qenë i sëmurë. Patëm filluar vitin shkollor, dhe lajmi na erdhi se ai ishte i sëmurë. Mua nuk më pëlqente askush që mundohej ta zëvendësonte, dhe merakosesha shumë për të! Është shumë e kuptueshme që secili fëmijë të ketë një lidhje të veçantë me mësuesin e tij të parë, mirëpo ajo dashuri e respekt mua më ka mbetur ende në zemër, sidomos tash kur jam vetë mësimdhënëse. Mundohem ta përcjell shembullin e tij dhe fillimisht të krijoj raporte të mira me nxënësit e mi, sepse fëmijët së pari duhet të duhen, e pastaj të mësohen. Mësuesi im më ka mësuar që kur fëmijët ndihen të vlerësuar në klasë dhe e ndjejnë që mësuesi i do dhe interesohet për ta, ata mësojnë me shumë lehtësi dhe nuk e shohin shkollën si obligim, por si kënaqësi. Unë i jam gjithmonë falënderuese, dhe shpresoj shumë që ai ndihet krenar me mua, dhe jo vetëm! Gjithsesi, një pjesë e madhe e arritjeve të mia sot janë fal punës së tij”, shpreh opinionin e vet ish-nxënësja, Lundresë Kryeziu.

Shumë nxënës, edhe pas pensionimit, por edhe më herët, i shkruajnë mësuesit Selami letra mirënjohjeje. Në këtë shkrim po botojmë njërën nga letrat që i kishte shkruar ish-nxënësja Eni, gjatë kohës së pandemisë, duke i dëshiruar mësuesit shëndet të plotë.

Për gjithë këtë që u tha më sipër, pa dyshim, flasin edhe kualifikimi dhe trajnimet e shumta që mësimdhënësi Selami Kallaba i ka realizuar gjatë karrierës së tij, e që ka rezultuar me paraqitje të shkëlqyeshme prej mësimdhënësi.

Në shenjë të falënderimit, mësuesit Selami i urojmë një pension të lumtur dhe të merituar, duke njohur kontributin e tij të çmueshëm si një dritë orientuese që ka ndriçuar rrugët e shumë nxënësve nëpër vite. Anijet i falënderojnë yjet për udhëzimin e saktë, ashtu siç ne e falënderojmë mësuesin Selami Kallaba për udhëzimin e tij të çmuar në drejtim të dijes dhe virtytit./Xhevdet Kallaba/

 

 

 

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja