-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Në 18-jetorin e vdekjes së Doktor Ibrahim Rugovës: Vepra dhe Trashëgimia e një Visionari

Arkivi

Në 18-vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, kujtojmë një figurë kyçe në historinë e Kosovës, një udhëheqës shpirtëror, një vizionar i lëvizjes për pavarësinë e saj dhe një shkrimtar i njohur. Rugova, i cili vdiq në një moshë shumë delikate kur më së shumti i duhej Kosovës, mbetet një simbol i paqes dhe i luftës politike për pavarësinë.

Si kritik letrar dhe personalitet i prerë në mendime e veprime, Rugova u dallua si një burrë me parime të forta. Maksima e tij përcaktuese ishte «Liri, pavarësi, demokraci». Këto ishin elementet që ai ndiqte me përkushtim dhe që u shndërruan në udhërrëfyes për të gjithë atëherë kur vendi kalonte nëpër sfidat e tij.

Në rolin e tij si udhëheqës në kohën e tensioneve të larta në Ballkan, Rugova paraprakisht parapëlqente luftën politike dhe jo atë ushtarake për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Ai u bë figurë kyçe në luftën diplomatike kundër propagandës antishqiptare të Serbisë, duke e sfiduar atë me durim dhe strategji të qartë politike dhe shoqërore. Si rezultat i përpjekjeve të tij, dhe si udhëheqës i paqes, Kosova arriti të sjellë në vend forcat e aleancës së paktit NATO, çka shënoi një hap të rëndësishëm drejt pavarësisë.

Rugova gjithashtu vlerësohej për tolerancën e tij ndaj pluralizmit politik. Ai ishte i hapur për dialog dhe bashkëpunim ndërpolitik dhe bashkësia ndërkombëtare e konsideronte atë si një faktor stabilizues në rajon.

Kjo figurë historike do të duhej të radhitej në treshen e prijësve mbarëkombëtarë të shqiptarëve: Skënderbeu – Nëna Terezë – Ibrahim Rugova. Çdonjëri prej tyre kontribuoi në mënyrën e vet për të formuar dhe për të mbrojtur identitetin dhe aspiratat e shqiptarëve.

Duke mbyllur sytë në moshën kur më së shumti i duhej Kosovës, Ibrahim Rugova na la një trashëgimi të paluajtshme. Ai ngeli si simbol i rezistencës paqësore dhe udhëheqjes së mençur në mes të një kohe përmbytëse të turbulencave në Ballkan. Sot, ne vazhdojmë ta kujtojmë dhe frymëzohemi nga jetësia dhe sakrifica e tij për idealin e një Kosove të lirë, të pavarur dhe demokratike, duke mos lënë anash sakrificën jetike edhe të UÇK-së.

Lavdi jetës dhe veprës së Doktor Ibrahim Rugovës!

Roganë, 21 janar 2024

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja