Mësuesit dhe sakrifica e tyre për dije
Puna e mësimdhënësve shqiptarë në Roganë, pas Luftës së Dytë Botërore, ishte e mundimshme për shumë arsye. Shumë sish nuk kishin arritur shkollimin superior, jo se nuk kishin aftësi shkollimi, por nuk kishin kushte për t‘u shkolluar. Pastaj ngarendja për të filluar sa më shpejtë me punë dhe për të nxjerrë gjenerata të reja shkollarësh, shumë nga këta mësues sakrifikuan shkollimin vetjak të mëtejmë. Vështirësi tjetër ishte shkollimi pa shkëputje nga puna, sidomos për atë kategori mësuesish që kishin krijuar familje dhe që i detyroheshin shkollimit të mëtejmë. Sidoqoftë, sot mund të konkludojmë se ajo gjeneratë mësuesish ka pasur një barrë të rëndë për arsimimin e nxënësve të atyre gjeneratave dhe se ata sakrifikuan veten për fitoren tonë, duke u angazhuar mbi mundësitë e veta reale.
Dikur, kur në Roganë mund të numëroheshin me gishtërinjtë e dorës, njerëzit që dinin shkrim-lexim, fjala mësues njihej vetëm me termat „hoxhë“ ose „uçitel“. Pra, në kohën kur fëmijët roganas mësonin kryesisht në mejtep te hoxha, ndryshe nga arabishtja mund të mësohej edhe në gjuhën serbishte te „uçiteli“ në Hodanoc. Të pakët ishin ata prindër që kishin thyer akullin dhe që fëmijët e tyre i kishin orientuar edhe për zënien e diturive në gjuhën serbishte. Kështu, në shkollën e Hodanocit, i cili një kohë ishte edhe komunë më vete, në paralelet serbe ndiqte mësimet aty-këtu edhe ndonjë shqiptar, të cilët, gjithsesi, nuk shikoheshin me sy të „mirë“ nga rrethi. Tek pas viteve të 30-ta në shkollën e Hodanocit filluan të regjistrohen më shumë fëmijë shqiptarë. Ndikimi i fesë, drejtpërdrejt, dhe ndikimi i regjimit serb, në mënyrë të tërthortë, bënte që fëmijët shqiptarë të mbetnin jashtë bankave shkollore. Përmes predikuesve fetarë, sado që prej tyre kishte edhe të shkolluar, propagandohej vetëm mësimi te hoxha. Duke pasur parasysh edhe programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, nën pretekstin se e kanë vendin në Turqi, as që pretendohej të punohej në vetëdijësimin e shqiptarëve të fillimshekullit të 20-të. Frytet e mësimit shkollor i shijonin vetëm serbët ndërkohë që shqiptarët, nën tutelën e muslimanizmit vetëkënaqeshin duke e bërë musafin „hatme“ (leximi i Kur‘anit fund e krye) ose edhe duke e mësuar ndonjë kaptinë të tij „hezber“ (përmendësh). Mësuesit fetarë as që kishin guximin të shfaqnin publikisht dëshirën për mësim në shkolla shtetërore, e para, sepse, ata, së bashku me prindërit, druanin në mos po u „prishen“ fëmijët nëse mësojnë te ndonjë „uçitelj“, dhe e dyta pushteti serb, duke dashur që populli shqiptar të mbetet edhe më tej „i verbër“ në aspektin arsimor, dëshironte që shqiptari të ketë sa më pak njohuri rreth gjendjes reale. Me dominimin kuantitativ të paditurisë, sunduesit, gjatë shekujve, arrinin të shërbeheshin me maksimën makiaveliste „përçaj e sundo“. Nëse ndërkohë arrinte ndonjë të shkollohej jashtë vendit, ai, ose duhej t‘i përshtatej regjimit aktual, ose të qëndronte gjithmonë jashtë atdheut. Megjithatë, një vrimë ndriçuese për vetëdijësim të roganasve (kjo vlen edhe për shumë rrethe të Kosovës) kishte filluar zgjerimin e spektrit veprues intelektual në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Ishte paksa paradoksale një e vërtetë e kohës kur vetë hoxhallarët i dërgonin fëmijët e vet në shkollë, kurse ende nuk e kishin guximin (disa) që t‘ua thonin hapur bahkëfshatarëve se duhet t‘i shkollonin fëmijët. Në këtë kontekst po e përmend një shembull të treguar nga dy pionierë të arsimit shqip Tefik dhe Shaban Geci. Këta, të ndikuar nga rrethi se gjoja nëse shkojnë te mësuesi do të „prishen“ dhe do të bëjnë „gjynahe“ para Zotit, një ditë vendosin të shkojnë tek imami i fshatit Hafez Shefki Kallaba. „Ishim të vegjël, por mjaft kureshtar që të regjistroheshim në shkollë dhe këmbëngulësinë tonë e zvetnonin edhe thashethemet për „gjynahet“ eventuale, prandaj na nevojitej një „po“ e axhes Hafez, kështu që një ditë shkuam te oda e tij, trokitëm në derë dhe hymë brenda. Na priti si të ishim moshatarë të tij, bile na poçi edhe nga një kafe që për ne ishin të parat në jetë dhe na pyeti për hallin që kemi. I treguam. E solli kokën dhe na tha: po të më kishit pyetur te xhamia, para xhematit nuk e di nëse do të kisha guxuar t‘ju them po, kurse tani që jeni në odën time unë gjithsesi do ta miratoj kërkesën tuaj, kurse sa për „gjynahet“ që ju thonë, ato po i marrë unë mbi vete. U çliruam dhe kështu edhe u regjistruam në shkollë pa përfillur thashethemet e injorantëve dhe konservatorëve“, tregojnë sot Tefik e Shaban Geci, të cilët janë gjenerata e parë të shkollës shqipe në Roganë e cila filloi në vitin 1945 dhe që për mësues të parë kishin Xhevat Aliun nga Gjilani.
Është për t‘u studiuar fakti se edhe pas 60 vjet pune të shkollës shqipe në Roganë ende nuk kemi ndonjë mësues roganas që të ketë filluar karrierën e tij prej mësuesi këtu dhe të jetë pensionuar, përveç Bajram M. Kryeziut i cili ka filluar të punojë në Krenidell dhe më vonë, të shumtën e kohës, ka punuar si sekretar shkolle dhe fare para pensionit punoi edhe si mësues. Mësuesi i parë roganas ishte Tefik Kallaba, porse ai e filloi dhe e mbaroi karrierën e tij jashtë Roganës, siç ndodhi edhe me shumë mësues të tjerë. Sidoqoftë, në këtë shkrim do t‘i prezentojmë të gjithë ata mësues që kanë punuar dhe janë pensionuar nga Shkolla fillore „Metush Krasniqi“ të Roganës e që sot janë të gjallë. Me këtë, besoj, do t‘ua ngjallim ndjenjën se nuk janë të harruar dhe gjithsesi edhe t‘i falënderojmë për kontributin e tyre të dhënë në këtë shkollë.
Musah H. Spahiu:
U lind në Muçiverc, më 1928. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa kualifikimin për mësues e kishte marrë përmes kurseve pedagogjike të organizuara në Prizren e Pejë në vitet e 50-ta. Në arsim ka filluar të punojë prej vitit 1964. Një dhjetëvjetësh e kaloi si mësues duke bredhur nëpër shumë lokalitete, jo vetëm të komunës që i përkiste, por edhe në ato jashtë Kamenicës. Kështu, mësuesi Musah fillon në Krilevë për të vazhduar pastaj në Tugjec, Karaçevë e Epërme, Dajkoc, Hogosht, Malishevë, Gostivar, sërish në Hogosht, Desivojcë dhe së fundi në Roganë (ish-Rogaçicë). Më 1973 largohet nga arsimi me vendimin e Komitetit komunal si i papërshtatshëm për arsim, përkatësisht „pa baza moralo-politike-shoqërore“. Ky largim Musahut i kushton katër vjet mbetje pa punë. Më 1978, si rezultat i ndryshimeve pas Kushtetutës së vitit 1974, ai kthehet në punë dhe sistemohet të punojë në bibliotekën e Muçivercit dhe të Roganës. Me 1999 pensionohet dhe tani jeton në Muçiverc.
Mustafë Shaban Morina:
U lind në Hodanoc, më 21 shtator 1931. Mustafa, ndonëse me moshë ishte më i madh se moshatarët e tij, në klasën e parë u regjistrua te mësuesi Xhavat Aliu. Kështu ndodhte gjithandej në Komunën e Kamenicës; kur hapeshin shkolla të reja nëpër fshatra përfshiheshin fëmijë moshash të ndryshme. Shkollën fillore e kreu në Roganë. Në saje të kurseve pedagogjike që organizoheshin në Prizren, Pejë e Mitrovicë ai arrin që pa shkëputje nga puna të kualifikohet dhe të punojë si mësues në shumë shkolla të Komunës së Kamenicës. Më 1949/‘50 angazhohet si mësues i parë i shkollës fillore të Dabishecit, por aty punon vetëm pak kohë dhe për shkak të largësisë nga vendlindja këmbehet me një koleg të tij i cili punonte në Busavatë. Kështu në Busavatë punon prej vitit 1949 deri më 1952 kur largohet për ta kryer shërbimin ushtarak. Më 1954 punësohet në Roganë, por po atë vit transferohet në Hajkobillë, për t‘u kthyer pastaj një gjysmëvjetor në Hogosht (1954/‘55) dhe më pas në vitin 1955/‘56 në Karaqevë. Që nga viti 1963 deri më 1989 ka punuar në Roganë, ku edhe është pensionuar. Me keqardhje duhet të thuhet se pensionet e gjeneratës së mësuesit Mustafë ishin më tepër një satisfaksion moral sesa material, ngase atë kohë pagesa mujore për pensionin e mësuesit Mustafë ishte 22 milionë dinarë e barasvlershme me 10 DM ose 5 euro të sotëm. Siqoftë, mësuesi Mustafë me kënaqësi flet për kohën e tij të kaluar me nxënës nëpër shumë shkolla në të cilat kishte punuar dhe falë freskisë së tij mendore, ai me përpikëri rekapitulon kronologjikisht angazhimin e tij që nga ditët e para të punësimit të tij në shtatorin e vitit 1949. Pleqërinë e tij në Hodanocin e lindjes e konsideron si një besnikëri ndaj truallit të lindjes, për të cilin u flijuan shumë patriotë të kohërave të ndryshme.
Remzi Hysen Morina:
U lind në Hodanoc, më 9 mars 1933. Shkollën e katërklasëshe e ka kryer në Roganë dhe është nxënës i gjeneratës së parë të shkollës shqipe në Roganë, të hapur më 1945, nga mësuesi Xhevat Aliu. Më vonë ka kryer Gjimnazin e Ulët në Hogosht e pastaj, pa shkëputje nga puna, edhe Akademinë Pedagogjike – Drejtimi Klasor, në Gjilan. Karrierën e tij prej mësuesi e ka filluar më 1.9.1952 në Shkollën fillore të Meshinës. Në periudhën e viteve të 50-ta mësuesit sistemoheshin nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Dardanës (ish-Kamenica), kështu që mësuesi Remzi punoi në Gmicë, në Strezoc, në Gragjenik (këtu hapi për herë të parë shkollën), në Pogragjë (të Gjilanit), në Gërbac (të Medvegjes), në Tërnoc (të Bujanocit). Shikuar nga aspekti i popullaritetit mësuesit pengoheshin që të bënin „çerdhe“ në një vend nga frika e rritjes së autoritetit e që, natyrisht, rezultonte me përfshirje gjithnjë e më të madhe të fëmijëve në shkollë. Prandaj edhe pasonin gjithë këto ecejake të mësuesve nga vendi në vend, bile shpesh edhe jashtë komunës përkatëse. Kjo shihet edhe nga shembulli i mësuesit Remzi i cili gjatë karrierës së tij arsimore punoi në katër komuna të ndryshme (Kamenicë, Medvegjë, Bujanoc dhe Gjilan). Në këtë kontekst, gjatë vitit shkollor 1962/63 pasuan edhe disa largime të mësuesve nga procesi arsimor, sepse pushtetit aktual i pengonte personeli i kualifikuar arsimor shqiptar, kështu që në këtë kohë përjashtohet Tefik Kallaba, Halit Maliqi, Shaban Geci, Remzi Morina e të tjerë. Megjithatë situata sa vjen e stabilizohej, sepse ishte krijuar një vetëdije më ndryshe nga vitet e mëparshme dhe padrejtësitë ishin të padurueshme për të gjithë mësimdhënësit, pastaj, gjithsesi, edhe Kushtetuta e vitit 1974 mundësonte një akomodim më të favorshëm për arsimin shqip dhe jo vetëm arsimin. Prej 1 shtatorit 1966 mësuesi Remzi vendoset në shkollën fillore „1 Maji“ të Roganës për të punuar deri në pension (1.1.991). Ai, gjatë kësaj periudhe ndjehet i lumtur, sepse dijen që e kishte marrë nga mësuesi në bankat shollore të Roganës po ia kthente, edhe më të përsosur, gjeneratës pasuese të nxënësve të kësaj shkolle, pas plot 20 vjetësh. Për angazhimin e tij mësimor flasin me admirim shumë ish-nxënës të tij.
Mësuesi Remzi, ndonëse në moshë të shtyrë, ndjehet ende i freskët, dhe edhe pas 16 vjet largimi nga procesi arsimor, ai, pothuajse, çdo ditë ecën deri në afërsi të shkollës, duke takuar kështu nxënës, të cilët vazhdimisht i ëndërron dhe duke evokuar me kënaqësi kohën e kaluar në arsim.
Sabit Halim Basha:
U lind në Hodanoc, më 18 tetor 1934. Shkollën fillore e kreu në Roganë, kurse mësimet e Gjimnazit të Ulët i ndoqi në Hogosht, Roganë e Muçiverc. Më 1967 diplomohet në Normalen e Prishtinës, kurse më vonë, gjithmonë pa shkëputje nga puna, kryen edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike – Drejtimi Klasor.
Detyrën e mësuesit e ka filluar në Muhoc, në vitin 1955 për të vazhduar një vit më vonë në Dajkoc e më pas edhe në Muçiverc. Prej vitit 1968-1981 punon si mësues në Shkollën fillore „1 Maji“ të Roganës. Pas dy vjet angazhimi në strukturat politiko-shoqërore të komunës së Kamenicës, sërish kthehet në arsim, në Roganë për të punuar si zv.drejtor i Shkollës fillore „1 Maji“ (më vonë „M. Krasniqi“) deri në pension, më 1.1.1991. Tani edhe me tutje jeton me familje në Hodanoc.
Ramiz Sylejman Krasniqi:
U lind në fshatin Dajkoc, më 21 dhjetor 1934. Pas mbarimit të shkollës fillore në Roganë dhe Gjminazit të Ulët në Gjilan, regjistrohet në Normalen e Prishtinës. Pas Normales kryen Fakultetin filozofik -Dega e Historisë. Në arsim kishte filluar të punonte pas mbarimit të Normales dhe atë në shkollën fillore të Koretinit, në vitin shkollor 1958/‘59. Më vonë Ramiz Krasniqi ndërron komunën dhe kalon me punë në Pogragjë, ku punon prej 1 shtatorit 1962 e deri më 31 gusht 1966. Më 1 shtator 1966 pranohet në Shkollën fillore „1 Maji“ të Roganës dhe, dy vjet më vonë (1.9.1968) emërohet drejtor i shkollës, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1974. Më pastaj një vit punon si zv.drejtor i shkollës së Roganës, për të vazhduar në detyrën e arkëtarit të shkollës, të cilën e kryen gjer në pension, më 1.9.1991. Ramiz Krasniqi tani jeton në Dajkoc.
Vehbi Hasan Spahiu:
U lind në Muçiverc, më 20 shkurt 1935. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, ndërsa Normalen dhe provimin profesional për mësimdhënës në Prishtinë. Akademinë Pedagogjike -Drejtimin klasor e ka kryer në Gjilan. Karrierën e tij prej mësuesi e ka filluar jashtë Roganës, në Muhoc, por në shkollën e Roganës fillon të punojë prej vitit 1963. Pas dhjetë vjetësh pune në Roganë, kalon në paralelen e ndarë të Roganës, në Muçiverc, në ciklin e klasëve të ulëta të fillores. Që nga 1 qershori i vitit 1992 është pensionuar dhe jeton në Muçiverc. Në kohën kur po merrnim këto shënime ai ndjehet i nderuar dhe falënderohet për kujdesin e treguar të InfoRoganës.
Muharrem Bedi Hashani:
U lind në Muçiverc më 20 maj 1936. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike – Dega e Historisë në Prishtinë. Fillimisht me punë filloi në Dabishec, në vitin 1954, për të punuar pastaj edhe në fshatrat Topanicë e Koretin dhe së fundi, që nga viti 1962 në Roganë. Në periudhën 1992-1996 ishte edhe zv.drejtor i Shkollës fillore „Metush Krasniqi“. Muharrem Hashani pensionohet më 1996 dhe tani jeton në Muçiverc, gjithmonë i interesuar për ecurinë e procesit arsimor në shkollën e Roganës.
Ilmi Arif Morina:
U lind në Hodanoc, më 21 korrik 1936. Pas shkollimit fillor kishte filluar të ushtronte detyrën e mësuesit si i pakualifikuar, por në vitet 1955-‘58 vijon kurset përkatëse pedagogjike që organizoheshin aso kohe në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. Pa shkëputje nga puna kryen edhe Normalen në Gjilan e më vonë edhe Shkollën e Lartë Pedagodjike – Drejtimi Klasor, po ashtu në Gjilan.
Si mësues kishte filluar të punojë qysh nga viti 1954 në Tugjec, për të vazhduar më pas edhe në Muçiverc, Shipashnicë e Epërme, Laçiq, Sedllar, Kopernicë dhe Poliçkë. Prej vitit shkollor 1958-‘59 ka punuar në Shkollën fillore „M.Krasniqi“ të Roganës, paralelja e ndarë në Hodanoc. Pensionohet më 1.1.1991 dhe tani jeton në vendlindjen e tij në Hodanoc.
Sadri Sali Spahiu:
U lind në Muçiverc, më 9 shkurt 1937. Shkollimin fillor e ka mbaruar në vendlindje dhe në Roganë. Shkollën normale e mbaron më 1968 në Gjilan, kurse më vonë mbaron edhe Akademinë Pedagogjike- Drejtimi Klasor po ashtu në Gjilan. Pas punës arsimore që e fillon më 1958 në Gërbac për ta vazhduar pastaj edhe në Gjyrishec, Zajçec, Busavatë e Topanicë, në vitin shkollor 1966/67 punësohet në Roganë, përkatësisht në paralelen e ndarë në Muçiverc, ku edhe pensionohet në vitin 1991. Mësuesi Sadri edhe sot e kësaj dite ndjehet i lumtur kur i takon ish-nxënësit e tij dhe të cilët ende e përshëndesin me thirrjen e këtyrehershme „shok mësues“.
Bajram Mehmet Kryeziu:
U lind në Roganë, më 15 shkurt 1941. Shkolën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen (Ekonomiken) dhe SHLP-Drejtimi Klasor në Gjilan. Prej 1 tetorit 1962 ka punuar në Shkollën firllore „M. Krasniqi“ të Roganës – paralelja e ndarë në Krenidell. Më vonë ka punuar sekretar i shkollës së Roganës dhe pak para pensionit, disa vjet, ka punuar mësues i ciklit të ulët në Roganë. Mund të thuhet se Bajrami është mësuesi i parë roganas i pensionuar në Shkollën fillore „Metush Krasniqi“ të Roganës, në vitin 2006. (xhk)
Vërejtje: Për pensionistët e sipërpërmendur mund të gjenden shënime më të përmbledhura në librin „Shkolla fillore ‚Metush Krasniqi‘ e Roganës 2000-2005 (I dhe II)“ të autorëve: Dr. sc. Bahtijar Kryeziu – Mr. sc Xhavit Kryeziu.
Xhevdet Kallaba
Botuar në revistën periodike «info Rogana» – mars 2007