8.5 C
Kosovo
22/11/2024

In memoriam: NDAHET NGA JETA DR. SHAIP MORINA (1955-2023)

Arkivi

Ndahet nga jeta Dr. Shaip (Isuf) Morina nga fshati Hodonoc.

Dr. Shaipi ishte një njeri i veçantë, një mik, një koleg, një prind, një mjek i përkushtuar.

Historia e dr. Shaipit është një dëshmi e vendosmërisë dhe dedikimit të tij ndaj profesionit që e kishte zgjedhur me shumë pasion. Si kirurg në Spitalin Rajonal në Gjilan, ka lënë gjurmë të thella në zemrat dhe jetët e atyre që u ka shërbyer me aq kujdes dhe dashuri. Kolegët e Repartit të Kirurgjisë në Gjilan do ta kujtojnë me krenari bashkëpunimin e tij të palodhshëm, jo vetëm për shërbimin kirurgjikal, por edhe për avancimin e kirurgjisë në Anamoravë, në shërbim të pacientëve, prej të cilëve, shpesh, kishte edhe nga Lugina e Preshevës.
Në vitet e tensioneve (1990 – 2000), kur regjimi serb bënte përpjekje për të shuar shpresën dhe të ardhurat e banorëve shqiptarë, dr. Shaipi, bashkë me kolegët e tij, jo vetëm që nuk u tërhoq, por u bë shembull i guximit dhe rezistencës kur, nga ordinanca e tij në Hodonoc, u vu, natë e ditë, në shërbim të banorëve të fshatrave Hodonoc, Roganë, Muçivërc, Karaçevë, Breznicë, Dajkoc, Krenidell, Shipashnicë, Topanicë etj. Banorët e këtyre fshatrave do ta mbajnë në memorien e tyre për ndihmën e dhënë pa përtesë në momente të caktuara.
Dr. Shaip Morina, bashkë me bashkëshorten, Bedrijen, ishin shtyllat e një familjeje model që ngritën një familje ku edukimi dhe kultura rrjedhin në çdo veprim, ku libri dhe fjalët janë pasuri më e çmuar se çdo e mirë materiale. Fëmijët e rritur dhe të shkolluar deri në nivel akademik janë tashmë dëshmi jetësore e vlerave që flasin më shumë se fjalët.
Në këto momente pikëllimi, ndërsa heshtja duket se mbulon gjithçka, fjalët bëhen pak për të shprehur ndjenjat tona. Por, tashmë, jo heshtja, por kujtimet, veprat dhe jeta e dr. Shaipit kanë më shumë për të treguar. Prandaj, le të ndalemi jo vetëm për të qarë humbjen, por, më së shumti, për të kujtuar me krenari jetën që ka jetuar, vlerat që ka përhapur, dhe pasionin që ka ndarë pa kursim.
Dr. Shaip Morina, për angazhimin e tij profesional dhe njerëzor meriton mirënjohje të thellë. Ai ka lënë një trashëgimi që do të jetojë përmes historive, të këshillave mjekësore dhe të qeshurave që u dha klientëve të tij. Ai është një yll që do të vazhdojë të ndriçojë në universin tonë.

Pusho në paqe, i dashuri ynë Shaip, dhe dije se do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona. /Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja