-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Me bagazhin e suksesit në Zvicër, për pushime në Kosovë

Arkivi

Në Roganë, që nga 10 korriku po zhvillohet turneu i futbollit ku janë përfshirë 32 ekipe nga vende të ndryshme të Kosovës. Qindra shikues, shumë prej tyre edhe nga mërgata, po i përcjellin lojërat e këtij turneu, për çdo lakmi. Këto ditë, në mesin e këtyre shikuesve, është edhe talenti i ri i futbollit që jeton në Winterthur të Zvicrës, Ensar Rrudhani.

Bashkë me lindjen e Pavarësisë së Kosovës, në Zvicër, më 2008 u lind Ensar Rrudhani. Babai i tij Sadati, në qershor të vitit 1995, pa i mbushur 16 vjet, i ishte bashkuar babait të tij, Hakiut që në Zvicër punonte që nga viti 1979.

Ky shkrim, që në spikamë ka talentin e futbollistit – Ensar Rrudhani, pa dyshim se do të merret edhe me prindërit që përfaqësojnë dy gjenerata të mëhershme, të cilat kontributin e tyre jetësor e kanë dhënë dhe po e japin në shtetin helvetik – Zvicrën.

Derisa Hakiu i gjeneratës së parë ishte punëtor krahu, Sadati i gjeneratës së dytë, tashmë ka një firmë të veten që e menaxhon me bashkëshorten, Mimozen dhe 6 punëtorët e punësuar. Ensari i gjeneratës së tretë është nxënës i klasës së nëntë, por që ka edhe një angazhim shtesë në sportin e futbollit. Ai, prej vitit 2015 është aktivisht i lidhur me këtë sport, dhe tani luan qendërsulmuesin e majtë në FC Winterthur në kategorinë U16. Nga modestia ai nuk pohon nëse është më i miri, por babai i tij, Sadati, është tejet i kënaqur me paraqitjen e Ensarit në atë klub.

Një mirënjohje të veçantë, përveç prindërve të vet, Ensari ia drejton edhe trajnerit të tij z. Domenico Lorenz, pa ndihmesën e të cilit nuk do të arrinte këtë nivel të futbollistit, në veçanti, dhe të sportistit në përgjithësi.

Duke mos e lënë anash shkollimin e rregullt, Ensari ushtron futboll pesë ditë në javë, madje të martave dy herë gjatë ditës nga, së paku, 90 minuta.

Për prindërit e Ensarit angazhimi i tij në futboll, gjithsesi, është një sfidë shtesë në jetën e tyre, sepse njëri nga prindërit (babai ose nëna) duhen të jenë bashkë me Ensarin, qoftë duke e dërguar në ushtrime, e sidomos duke e transportuar në garat e ndryshme ku merr pjesë ai në nivel kantonal ose edhe më gjerë.

“Natyrisht, mundi ynë si prindër nuk është asgjë kur kemi parasysh rezultatet që i ka arritur Ensari në futboll, pa e lënë anash edhe mësimin”, thotë Sadat Rrudhani nga Fshati i Ri i Roganës së Kosovës.

Ndonëse prindërit e Ensarit për çdo vjet vijnë për pushime në Kosovë, ai vetë nuk ka qenë tash e pesë vjet, si pasojë e angazhimit të tij në FC Winterthur, edhe pse siç pohon edhe vetë: “Më merr shumë malli për Kosovën”.

Si duket Ensari është një sportist energjik i cili gjatë lojës jep maksimumin e tij. Madje angazhimi i tij e përkujton me atë të Milot Rashicës, të cilin e ka edhe si idol futbolli, ndërkohë që nga të huajt parapëlqen futbollistin e Parisit, Neimar.

Ensari nuk është majtak, por suksesin e tij e tregon, sidomos, si sulmues i majtë.

Gjatë pushimit të sivjetshëm Ensarin e takova në tribunat e shikuesve të turneut tradicional “Rogana” në Roganë të Kosovës. Përqendrimi i tij në lojërat e këtij turneu ishte maksimal, ndonëse i vinte keq që bashkëmoshatarët e tij, por edhe më të vjetrit duhet të luajnë në një fushë të asfaltuar, ku cilësia e lojës është shumë më e dobët sesa në fushën e mbuluar me bar.

Përndryshe, lojërat e këtij turneu në Roganë përcillen edhe nga shumë moshatarë të Ensarit që vijnë nga shtete të ndryshme perëndimore, të cilët për tri javë rresht kanë mundësinë që, çdo pasdite, t’i ndjekin tri deri në katër ekipe pjesëmarrëse të turneut “Rogana 2023” në Roganë të Kamenicës, finalja e të cilit luhet më 30 gusht 2023./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja