-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Zelli i nxënësve për gjuhën mahniti turistët zviceranë

Arkivi

Një grup turistësh zviceranë prej 15 personash vizituan shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan. Kryesi i detyrës së drejtorit z. Fatmir Selimi dhe pedagogia zonja Drita Kallaba mundësuan që mysafirët të jenë pjesë e orës së mësimit me nxënësit e klasës së V/6 të mësueses Ismete Isufi.

Pas një dreke tradicionale e me shije, në restorantin “Vila Maestro”, në periferi të Gjilanit, grupi i turistëve zviceranë, në organizim të bashkatdhetarit z.Hamit Zeqiri, udhëheqës në qendrën kompetente për migracion – FABIA, në Lucern të Zvicrës, mësynë shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan. Një mikpritje dhe prezantim të përzemërt të shkollës, për mysafirët, e bënë kryesi i detyrës, z. Fatmir Selimi dhe pedagogia e shkollës, zonja Drita Kallaba.

Me një mirëdita të zgjatur e në këmbë nxënësit e klasës së pestë, bashkë me mësuesen Ismete Isufi, po ashtu shprehën përzemërsinë e tyre mikpritëse ndaj zviceranëve.

Sipas programit ora e tretë e mësimit ishte nga lënda – Gjuhë shqipe. Hyrjen në orën e mësimit, mësuesja Ismete e filloi me kontrollimin e detyrave të shtëpisë për të vazhduar me paraqitjen e disa fotografive mbi dërrasën e zezë. Ato lexoheshin nga nxënësit, të cilët jepnin sqarimin për përmbajtjen e tyre. Nga nëntë fotografi, sa u paraqitën në tabelë, u regjistruan fjalë të mjaftueshme prej të cilave u thurën ese prej pesë-gjashtë fjalish, dhe atë në kohën prej rreth pesë minutash.

Komentimi i fotografive ishte po ashtu një brumë i mjaftueshëm që lidhej me njësinë mësimore. E veçanta e kësaj ore ishte, në shenjë nderimi për mysafirët zviceranë, përkthimi dhe prezantimi i drejtpërdrejtë i materies, nga vetë nxënësit, edhe në anglisht.

 

Pas një pune të nxënësve, të ndarë në katër grupe, ora mësimore mori kahen e përfundimit të saj. Punimi në letër-hamer i pesëvargëshit dhe i vizatimeve ishte rezultati përfundimtar i orës, ndërkohë që pasuan edhe pyetje-përgjigje për mysafirët zviceranë. Në orë të mësimit ishte e pranishme edhe praktikantja, Albina Hazizi, studente e vitit të dytë të Fakultetit të Edukimit në Gjilan.

Disiplina, puna vetëmohuese dhe shprehja e rrjedhshme e mendimeve të nxënësve në shqip dhe në anglisht ishin mbresat e zviceranëve, që i morën me vete nga kjo klasë e shkollës fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan.

Në fund pedagogia e shkollës, zonja Drita Kallaba, falënderoi mësuesen Ismete dhe nxënësit e saj për orën e realizuar për mrekulli, në prani të mysafirëve zviceranë dhe i trimëroi me fjalinë: “Uroj që edhe hera të tjera të jenë po kaq të mirë, dhe t’i japim shembull botës se ne dimë, mundemi dhe ia dalim”.(Xh.K.)

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja