-1.5 C
Kosovo
23/11/2024

Madhështia e ndjenjave të përziera

Arkivi

Dardanë/Kamenicë, 22 prill 2023

Në Dardanë, në kuadër të manifestimit të përvjetshëm “Lulëkuqet e Prillit”, në amfiteatrin e shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati”, u mbajt akademi përkujtimore kushtuar heroit të kombit Isa Kastrati, e me rastin e përurimit të shtatores, në sheshin “Metuah Krasniqi”.

Familjarë, bashkëluftëtarë, bashkëvendës dhe miq të shumtë të heroit Isa Kastrati sa vjen e po mbushnin ulëset në sallën dykatëshe të kinemasë. Katër rendet e para ishin shënjuar “të rezervuara”, mbase për miq më me peshë a nga largësi fizike, por, sot, secili mysafir kishte peshën e vet – ata kishin ardhur për të nderuar figurën e madhe të Isa Kastratit, të cilën e ndërtoi vetë Isa, fillimisht me angazhimin e tij politiko-shoqëror e ushtarak në mbrojtjen e Kosovës dhe shtetndërtimin e saj, e deri në flijimin e jetës së tij për atdheun, në Betejën e Marecit, më 21 prill 1999.

Pas këndimit të himnit kombëtar dhe atij të miqësisë nga Eliot Kastrati, moderatorja  Lidiona Matoshi përshëndeti mysafirët e pranishëm që vinin nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare, pastaj lexoi telegramin përshëndetës të kryeministrit Albin Kurti dhe, më pas, paraqiti një biografi të ngjeshur për figurën e Isa Kastratit.

Meqë manifestimi po mbahej nën patronatin e kryetarit të Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, në skenë u ngjit kryetari Rahimaj për një fjalë rasti, për të thënë se ky moment është më shumë se një inaugurim, në këtë ditë po nderojmë veprën dhe sakrificën e një njeriu që idealin e vendosi përpara qenies së tij.

Kryetari Rahimaj përkujtoi një pjesë të një fjalimi të Isa Kastratit mbajtur me rastin e shënimit të 15-vjetorit të demonstratave studentore në Roganë, duke cituar fjalinë: “Nuk mjafton të jemi vetëm faktor stabilizues, por duhet te jemi edhe potencialisht faktor destabilizues. Kur konsiderojnë se je potencial për destabilizim, atëherë mund edhe të shfrytëzohet si shans për t’u imponuar tek faktori ndërkombëtar».

Për jetësimin e Isa Kastratit përmes shtatores së bronztë në sheshin “Metush Krasniqi” në Kamenicë, z. Rahimaj u shpreh: “Të gjithë ne s’jemi, e ai është. Dashuria për atdheun, veprat, idealizmi, filozofia dhe intelekti janë prezente kudo që kërkohet modeli i luftës kundër nënshtrimit, ndërsa kjo shtatore le të jetë simbol fizik i identifikimit të këtyre virtyteve”.

Në emër të Shoqatës së të burgosurve politikë foli Xhevat Bislimi. Ai tha se sot është një ditë e shënuar jo vetëm për Dardanën, por për gjithë Kosovën – po vendoset shtatorja e një veprimtari të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, shtatorja e një luftëtari të dalluar për luftën e tij për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, siç ishte betimi i UÇK-së.

Kryetari i Shoqatës së familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së, z. Xhavit Jashari tha se nuk kishte rreshtuar rreshta fjalësh për këtë akademi i vetëdijshëm se çdo ditë thuhen fjalë për dëshmorët dhe sakrificat e tyre për luftën e lavdishme për çlirimin e Kosovës, por ajo që duhet të thuhet me shumë zell është, se lirinë nuk na e ka falë askush – lirinë e kemi fituar me luftë dhe përpjekje të pareshtura e cila kulmoi me luftën e lavdishme të UÇK-së. Përmes heroit të kombit Isa Kastrati, që veprimtaria e tij është shumëdimensionale, kujtojmë dhe nderojmë të gjithë luftëtarët dhe sakrificën e tyre për të ardhur deri këtu, tha mes tjerash në fjalën e tij z. Xhavit Jashari.

“Ne e dimë rrugën në të cilën ka kaluar populli ynë, dhe në gjirin e këtij populli ka qenë një familje e cila në të gjitha periudhat ka dhënë shembullin se si duhet atdheu, e kjo është familja Kastrati”, përkujtoi të pranishmit ish-komandanti i ZO të Karadakut, z. Ahmet Isufi, duke përgëzuar, njëkohësisht, të pranishmit dhe gjithë banorët e Komunës së Dardanës për ngritjen e shtatores së heroit Isa Kastrati, në qendër të qytetit. Me vetë faktin që Isa emërohet për komandant për moral dhe politikë tregon zgjuarsinë e tij, inteligjencën e tij, gatishmërinë e tij për t’i bindur dhe angazhuar luftëtarët e rinj, sepse ushtarët e rinj dhe të reja kanë qenë në vijën e frontit, e Isën e kanë pasur edhe mësuesin edhe luftëtarin e vërtetë pas të cilit duhet të shkohet, dhe është shembulli më i mirë për një luftëtar lirie. Prandaj, rënia me Afrim e Sokol Sopën, me Afrim Vitinë e Besnik Marocën, Musli Ymerin, Jahir Bahtirin, Brahim Oruçin, të cilët në një periudhë të shkurtër kanë rënë në të njëjtën pritë, tregon se Isa, jo vetëm që ka luftuar në front drejtpërdrejt me armikun, por edhe ka bërë bartjen e atyre të cilët kanë qenë të plagosur gjatë luftës. Dhe cili është rezultati i sotëm – është liria e Kosovës përmes luftës së Isa Kastratit dhe gjithë dëshmorëve tjerë”, nënvizoi veç tjerash në fjalën e tij Ahmet Isufi.

Afrimi e Sokoli nuk më besuan mua në detyrën e komandantit – i besuan pedagogut të vet

Më pas në skenë doli bashkëluftëtari i Isa Kasatratit, z. Adem Shehu nga Brigada 153 “Hyzri Talla” – Zona Operative e Llapit.

Fjala e Adem Shehut: E respektuara familje e heroit të popullit, shokut, kolegut tim, bashkëluftëtarit -Isa Kastrati. Të dashur vëllezër dhe motra, unë erdha nga Tirana. Takova djemtë e UÇK-së në Tiranë, njëri nga ata është hero, bashkëluftëtar i këtij burri, Agron Rrahmani, takova Fatmir Mbollin dhe në pjesë të atyre djemve që u prezantuan si studentë të Universitetit të Tiranës, po faktikisht morën diplomat në UÇK, u bënë komandantë, u bënë luftëtarë të zotë dhe fituan përjetësinë.

Unë shërbejsha në Divizonin e Pestë – Tiranë, me detyrë luftarake në drejtim të Kosovës, dhe pata fatin: u rreshtova në organikën e Zonës së 5-të Operative të Llapit në Brigadën 153, si vullnetar i saj. Mbas 24 ditë udhëtimesh arrita në  Gollakun tim dhe tuajin bashkë. Së pari takova Isën, i ashpër në paraqitje, por me zemër të madhe, me një përqafim dinjitoz.

E fituam luftën sepse hyri në luftë Tirana, të cilës ia kishte trasuar rrugën Krasniqi – komandanti nga Dardana, Rexhep Mala, bashkëveprimtari që kish shtyrë gjithë rininë e vet në burg – Adem Demaçi. Kolegët e mi nuk kishin akademi ushtarake, unë që po flas kam mbaruar një akademi ushtarake, por akademinë e mirëfilltë ushtarake e pashë në Gollak, në Kosovën time, pashë ata burra e ato gra që ditën të bëjnë skalonimin e rezervave; ditën të ndërtojnë qendrat shëndetësore për të mjekuar ato plagë të luftës; kam doktoreshën time këtu dhe doktoreshën e gjithë Kosovës dhe kombit shqiptar (Flora Brovina v.a.); kam miqtë dhe vëllezërit e mi që janë pa akademi, po shqiptari ka një akademi – e ka lindë nëna Kosovë, nëna ime që lindë vetëm trima edhe nuk kurseu gjakun e tyre për të çliruar Kosovën. Isa ishte magjistër i shkencave ekzakte po ishte magjistër i shkenca shpirtërore, sepse të gjithë nxënësit e donin, e respektonin; edhe kishte një fuçi fjale të padiskutueshme; impononte respekt, dashuri dhe fliste hapur me djem.

Me datën 28 dhashë urdhër ushtarak dhe djemtë e zbatuan, dhe tek ajo Malësia e Marecit, te shkolla erdhën dy xhelozat e parë të Nebojshave, këtyre komshive të dreqit; Isa përqafonte djemtë, nxënësit e vet, pavarësisht se asnjëherë s’e ushtroi profesionin e matematikës; 76 vjet burg të fisit Kastrati, Mala e tjerë ishin pengu i së ardhmes. Këtë peng e shkaktoi Isa me nxënësit e vet në luftë.

Ju këtu e keni shkruar Beteja e Marecit. E drejtë. Në vendimin që mori Shtabi i Brigadës së bashku me të ZO të Karadakut bëmë përllogaritjen për të përballuar ofensivën e forcave serbe me gjithë armatimin që do villte kundër UÇK-së. Luftimet po zhvilloheshin në Ballaban, Rimanishtë, Sharban, Koliq, Grashticë, Sutezë, Mramur, Slivovë, në Viti dhe në brezin kufitar. Ata djem e treguan veten në vijën e luftimit. Në atë dhomë që kam qenë me Isa Kastratin më tregonte dhe fliste me reputacionin më të madh, me një dashuri për këta djem që nuk u tërhoqën në asnjë moment gjatë dinamikës së zhvillimit të luftimit dhe ditën e parë forcat serbe lanë pararojën e tyre, i morën armatimin dhe dokumentacionin përkatës të pushtuesve serbë. Isa i përqafonte dhe i dolën lotët: ata djem që ua mësoi matematikën, ata djem luftuan me automatikët që ua morën forcave pushtuese serbe.

Komandanti (Ahmet Isufi v.a.) foli që bashkëluftëtarët tanë dhe drejtuesit e UÇK-së sot ballafaqohen në Hagë; synimi është të ulin atë forcë politike ushtarake kundër dinjitetit të kombit tim, por nuk arrin kurrë ta ulin dinjitetin e nënës Shqipëri dhe të Kosovës sime, sepse ndërmjet është gjaku i Isa Kastratit. Ata djem të Gollakut, më datën 4 qershor, ma automatikë hynë në Prishtinën e Isa Kastratit dhe luftuan, dhe prej asaj dite nuk kemi më serbë në kryeqytetin tonë të Kosovës.

Isa nuk njihte konceptin “frikë”. Me uniformë të UÇK-së kalonte në Matiçan, në mes të ditës; nuk kishte orar; i dhimbte shpirti për Dardanën, për pjesën e Moravës tonë, prandaj mesazhi që lënë këta burra, këta bashkëluftëtarë i vlejnë moshës së re, studentëve, nxënësve dhe gjithë popullit tonë.

Faleminderit që respektoni gjakun, faleminderit që kujtoni të kaluarën, se po të mos kujtojmë këta heronj, këta dëshmorë do të marrosim para veprës së tyre. Lavdi jeta dhe vepra e dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës. Së fundi Afrimi e Sokoli nuk më besuan mua në detyrën e komandantit – i besuan pedagogut të vet.

Fjalimi i Adem Shehut ishte tejet emocionues dhe u duartrokit disa herë nga publiku, sa për ta respektuar fjalën e z. Shehu, po aq edhe për t’ia larguar paksa emocionet plot dhembje për heroin dhe bashkëluftëtarin e tij, Isa Kastrati.

Bashkëluftëtari i Isa Kastratit, z. Mehmet Hajrizi, duke e reduktuar fjalën e tij për të respektuar kohën dhe fjalën e të tjerëve dha një ecuri të aktivitetit kombëtar të Isa Kastratit para dhe gjatë luftës. Ai tha se Isa Kastrati në krye të detyrës ushtarake ra heroikisht ballë për ballë në luftë me forcat serbe në Bullaj të Marecit, në prag të çlirimit të Kosovës, më 21 prill të vitit 1999, së bashku me dy bashkëluftëtarë: Sokol Sopi dhe Afrim Vitia.

Emrin e Isa Kastratit e mbajnë disa rrugë në Kosovë dhe kjo shtëpi ku ndodhemi e që do të mbajë si stoli e krenari shtatoren e Isa Kastratit. Figura morale e patriotike e Isa Kastratit me virtytet e larta dhe vlerat që përfaqëson përbën shembull edukimi dhe frymëzimi të përkushtimit ndaj çështjes së kombit e të çështjes së atdheut. Në shenjë nderimi e respekti për familjen Kastrati, z. Hajrizi përmendi një listë emrash të kësaj familjeje patriotike për kontributin e tyre në shtetndërtimin e vendit tonë. Historia e dhembshme por krenare e saj kurrë s’e theu, as s’e mposhti moralisht familjen e qëndresës stoike Kastrati.

Duke hedhur dritë mbi këtë familje të shquar të patriotizmit luftarak i kontribuojnë vënies në vend të së vërtetës së shtrembëruar dekada me radhë për luftën e patriotëve shqiptarë si: Shaban Palluzha, Mulla Idris Gjilani, Demë Ali Pozhari, Adem Gllavica e Muharrem Fejza, Ymer Berisha e Avdyl Dura, Lot Vaku e Sylë Zarbinca, Shefki Desivojca, Shyt Mareci, Hysen Tërpeza, Lam Breznica, Haki Efendiu e shumë të tjerë që luftuan kundër ripushtimit të Kosovës dhe viseve të tjera gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, tha ndër të tjera z, Mehmet Hajrizi.

Moderatorja Matoshi, pasi lexoi një fragment nga një mesazh dërguar familjes Kastrati nga bashkëveprimtari Xhafer Shatri, fjalën ia kaloi Qendron Kastratit, djalit të heroit Isa Kastrati.

Qendron Kastrati përshëndeti të pranishmit, një numër syresh edhe me emra, për t’u drejtuar me fjalët: “Babi ka qenë një ndër mijëra qytetare e qytetarë që nga dashuria për liri, nga dashuria për barazi ka qenë i gatshëm me dhënë edhe jetën, e madje ka rrezikuar edhe familjen. Kjo, për ne duhet me qenë frymëzim që të angazhohemi çdo ditë e më shumë që ta zhvillojmë këtë vend e që brezat e rinj ta shijojnë këtë liri dhe të kenë sa më shumë prosperitet. Unë në emër të familjes dhe në emrin tim po e shfrytëzoj rastin që në këtë rast në veçanti sot ballafaqohemi edhe me një problem siç është një tendencë për ta rishkruar historinë e UÇK-së. Kisha kërkuar edhe nga shoqëria edhe nga institucionet që të bëjmë sa më shumë, sepse dënimi i Sali Mustafës është i padrejtë, gjykimi i Pjetër Shalës është i padrejtë. Edhe gjykimi i drejtuesve: z. Krasniqi, z. Thaqi, z. Veseli e z. Selimi është i padrejtë dhe nuk janë duke u gjykuar vetëm ata personalisht, por është një qëllim që diçka që është shumë e lavdishme për ne, e që do të dukej inspirim, ta cenojnë e ta rrezikojnë”.

Në këtë manifestim, një bashkëveprimtar tjetër i Isa Kastratit, z. Selatin Novosella, pas një evokimi të shkurtër për Isa Kastratin, kryetarit të Komunës z. Kadri Rahimajt dhe vajzës së heroit Kastrati, Krijonë Kastratit ua dhuroi librin me titull “Kryengritësi i përjetshëm” kushtuar heroit të kombit Isa Kastrati.

Pjesën artistike të manifestimit e plotësuan Hysnije Latifaj dhe Enkelejda Arifi.

Në vazhdim të gjithë të pranishmit e Akademisë përkujtimore  shkuan në sheshin “Metush Krasniqi” për të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së heroit Isa Kastrati. Shtatoren e zbuluan: Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës, Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Fitore Malaj, vajza e heroit të kombit Rexhep Mala, Ismete Kastrati, motra e heroit Isa Kastrati, Krijonë Kastrati, vajza e heroit Isa Kastrati, Ibrahim Mehmeti, bashkëluftëtar i Isa Kastratit, Adem Shehu e Ahmet Isufi.

Me të zbuluar të shtatores foli edhe autori i shtatores, skulptori Idriz Ballani nga Durrësi i cili përshëndeti të pranishmit, duke u falënderuar që vepra e tij, tashmë, do të jetë pjesë e qytetit të Kamenicës.

Shpresojmë që së shpejti në sheshin “Metush Krasniqi” ta shohim edhe një shtatore dinjitoze të atdhetarit dhe mësuesit të atdhetarëve të Anamoravës e të Kosovës, Metush Krasniqit!

Xhevdet Kallaba

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja