-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Xhevat Ismaili – pedagogu muzikor që ia shtoi vlerën lëndës së muzikës

Arkivi

 

Sa herë vjen 10 prilli, që menatë, FB ma kujton ditëlindjen e nipit, profesorit të muzikës dhe kontribuuesit të fushës së kulturës në Gjilan, Anamoravë e më gjerë, prof. Xhevat Ismailit.

Vdekja e parakohshme Xhevatin e kishte ndarë që në mashën 64-vjeçare, më 5 shtator të vitit 2012, por në kujtesën e nxënësve, studentëve, kolegëve dhe familjarëve do të mbetet gjithherë.

Duke kujtuar profesorin Xhevat, pa dyshim, kujtoj historinë e arsimit në Kosovë, me gjithë copëzat e mozaikut të tij. Ato copëza mund të jenë me qindra e mijëra syrësh, nga profile të ndryshme në kohë dhe hapësirë. Dhe, sapo e kërkon nevoja ato mund të dalin në sipërfaqe për të prezantuar portretin e akëcilit pedagog. Nga ky mozaik, për lexuesit e Inforoganës.com, po e jap portretin e profesorit të muzikës, themeltarin e shkollës së muzikës në Gjilan, prof. Xhevat Ismailin, duke prezantuar kështu pjesë nga biografia e tij. Po të ishte në jetë prof. Xhevat Ismaili sot do të ishte 75 vjeç, dhe, sigurisht, me një bagazh edhe më të madh të kontributdhënësit në fushën e arsimit e të kulturës në Gjilan, dhe jo vetëm.

Xhevat M. Ismaili (10.4.1948 – 5.9.2012)

U lind në Kopërnicë – Komuna e Kamenicës. Rrjedh nga një familje e varfër, por bujare. Më 1951 babai i tij, Murati sëmuret dhe më 8 prill të të njëjtit vit vdes në spitalin e Vranjës, për të lënë pas veti një vajzë dhe tre djem. Xhevati ishte fëmija më i vogël në familje. Falë traditës shqiptare, por edhe jetës tradicionale fshatare, për Xhevatin trevjeçar dhe fëmijët e tjerë, përkujdesej e ëma Fetija e ndihmuar nga gjyshja Gjylishahe dhe axhallarët e Xhevatit: Zahiri e Isahu. Babai i Xhevatit, ndonëse i ri, ai kishte arritur të krijonte një autoritet të theksuar në fshat e më gjerë. Kjo bëri që edhe pas vdekjes së tij, familja, përkatësisht fëmijët e tij të respektoheshin nga banorët e lagjes e të fshatit.

Ninullat që i këndonin gjyshja Ghylishahe dhe nëna Fetije sikur ia trasuan rrugën e ardhmënisë muzikore. Për aktivitete muzikore ishte i nxitur edhe nga vëllezërit Hyseni e Mehmeti dhe motra Ilfetja, të cilët posedonin zë të bukur dhe karakteristik e që këndonin në shumë ahengje familjare dhe më gjerë.

Më 1955 regjistrohet në shkollën fillore dhe gjatë tërë shkollimit fillor ishte i angazhuar në programet muzikore si solist, këngëtar në kor, dhe valltar. Pas përfundimit të shkollës fillore në Kopërnicë dhe Hogosht, më 1963 regjistrohet në shkollën e mesme të muzikës “Josip Slavenski” të Prizrenit. Si shumë nxënës të tjerë të lokaliteteve rurale edhe Xhevati, në fillim, pati vështirsi gjuhësore, sepse, në Prizren, mësimi kryesisht zhvillohej në gjuhën serbokroate. Gjatë shkollimit të mesëm në Prizren ishte aktiv edhe në SHKA “Agimi”. Pas përfundimit të shkollës së mesme, më 1967 kthehet dhe fillon punën në shkollën fillore “Vuk Karaxhiq” të Gjilanit dhe pas një viti edhe në gjimnazin “Zenel Hajdini” të po këtij qyteti. Krahas procesit edukativo-arsimor merrej edhe me aktivitete të tjera kulturore si, bie fjala në SHKA “Zenel Hajdini” ku luante me fizarmonikë

Më 1972 regjistrohet në Fakultetin e Arteve, dega muzikës, në Universitetin e Sarajevës ku studion seksionin teorik. Studimet i përfundon në qershor të vitit 1976 dhe kthehet në Gjilan ku fillon punën në shkollën Normale, e cila, pas një viti, shndërrohet në Akademi Pedagogjike me dy cikle.

Në vitin 1978/79 ishte njëri ndër nismëtarët për themelimin e shkollës së muzikës në Gjilan, me ç’rast edhe zgjidhet drejtor i kësaj shkolle, të cilën e udhëheq 8 vjet.

Punën pedagogjike me studentë e filloi në vitin akademik 1982/83 si ligjërues për lëndën Metodikë të Edukatës Muzikore.

Prej janarit të vitit 1986 konkurron dhe pranohet si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” të Gjilanit. Për të njëjtën punë dhe me të njëjtën thirrje (profesor) rizgjidhet edhe në vitin 1992 e pastaj edhe më 1997.

Përveç angazhimit në procesin edukativo-mësimor ka pasur edhe angazhime të tjera në Shkollën e Lartë Pedagogjike, si p.sh.: Shef i degës për edukatore gjatë viteve1990 – 2005; zëvendësdrejtor gjatë viteve: 1994 – 1998, pastaj më 2003 – 2005 këshilltar pedagogjik për lëndën Edukatë muzikore i angazhuar në Entin Pedagogjik Rajonal të Gjilanit.

Në vitin akademik 2002/03 angazhohet në Fakultetin e Edukimit ku ligjëron lëndët: Art muzikor me metodologji, Muzikë vokale dhe Interpretim në një instrument. Më pas është angazhuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në përpilimin e programeve për Edukatën muzikore në nivelin e parë të shkollës fillore {Kl. I – V } dhe hartimin e programit për Edukatë muzikore për parashkollorë.

Angazhimi i profesorit Xhevat në fushën e arsimit dhe të kulturës është një model që duhet të studiohet nga studiuesit muzikorë, në veçanti dhe ata arsimorë, në përgjithësi, ndërkaq institucionet arsimore t’ia arkivojnë kontributin e tij dhe të gjeneratës së tij, për të arriturat arsimore në Kosovë.Xhevdet Kallaba

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja