-0.5 C
Kosovo
23/11/2024

Udha miqësore e brushës – në kujtim për Agim Ramadanin

Arkivi

Krijuesit, zakonisht dhe spontanisht, ndërtojnë udhët e tyre me mjetet e dhuntisë shpirtërore. Piktura dhe vargu poetik qenë udha magjistrale, që Agim Ramadani ndërtoi për miqtë e vet. Kësaj rruge i kam rënë edhe unë, madje shumë herë, si pjesë e ekspozitave ose e takimeve letrare të organizuara nga Agim Ramadani.

Xhevdet Kallaba – opinion për Agim Ramadanin

Me Agimin u njoha më 23 shkurt të vitit 1997, në ekspozitën e pikturave të Sylë Mujës, hapur në Cyrih të Zvicrës. Jo të gjithë të pranishmit ishin piktorë, por dashamirës të pikturës, gjithsesi. Një fjalë hyrëse për ekspozitën e mbajti kritiku i kësaj fushe, z. Xhemal Ahmeti, ndërkaq unë me kamerë amatore po regjistroja gjithë këtë ngjarje kulturore. Më vonë, me transferimin e klubit të punëtorëve “Përparimi” nga Weststrasse në Albulastrasse, në Altsteten të Cyrihut, i cili u riemërtua Bashkësia Shqiptare “Përparimi”, si dhe me hapësirën më të përshtatshme për funksionim cilësor të shumë klubeve dhe shoqatave shqiptare, kjo bashkësi nën kulmin e vet mblodhi disa shoqata e klube. Në këtë bashkësi anëtarësia më zgjodhi për sekretar dhe ndërmjetës kulturor me palën zvicerane dhe me shoqatat shqiptare. Shi për këtë, me Agimin më ra hise të bisedoja disa herë për një bashkëpunim të ngushtë, sidomos në prezantimin e punimeve artistike të punuara nga vetë ai, por edhe nga piktorë të tjerë, anëtarë të  Qendrës Kulturore Shqiptare, drejtuar nga Agim Ramadani. Agimi, si askush më shumë, iu gëzua kësaj forme të bashkëveprimit të klubeve e shoqatave, me aludimin e tregimit të “Shtatë thuprave”, se, bashkërisht, jemi më të fortë.

Si dashamirës i kulturës, por edhe i këtij bashkëveprimi, Agimi merrte pjesë në takime të shumta që organizoheshin nga BSH “Përparimi”. Kontribut të çmuar dha me sjelljen e pikturave të tij të shumta në manifestimin “Java e Kulturës Shqiptare në Zvicër”, në kuadër të festës së 28 Nëntorit 1997, organizator i secilës ishte  BSH “Përparimi”, ndërkaq moderimin e bëja unë.

Me rreth dyzet tema fushash të ndryshme, me mysafirë të shumtë shqiptarë e zviceranë, përgjatë shtatë ditëve, në katin e sipërm qëndruan pikturat e Agim Ramadanit, ndërkaq në përdhes ato të Agron Bajramit. Pikturat e tyre i jepnin shpirt e gjallëri gjithë manifestimit.

Kjo miqësi me Agimin më trimëroi që veprimtarinë e tij krijuese ta ndiqja edhe në ekspozita, në qytete të tjera, si në: Birmensdorf, Hëri-Bylah, AKS “Kumanova” në Cyrih e gjetkë, prej nga botoja shkrime ose reportazhe për gazetën e përditshme “Bota Sot”.

Agimi ishte tejet elokuent në komunikim me njerëz. Pedanteria dhe korrektësia e tij, në raport me publikun, ishin tipare përafrimi për krijuesit shqiptarë në Zvicër.

Si specialist i artit ushtarak, si askush tjetër, Agimi ndërtoi trekëndëshin e këtij arti me atë letrar dhe të pikturës që, si trinom, që përmblidhte në vete lirinë e veprimit, të shprehjes e të imagjinatës.

Kur u dha kushtrimi për mbrojtjen e atdheut, Agim Ramadani la familjen e ngushtë në Zvicër për t’i shkuar në ndihmë familjes së tij të madhe e të shenjtë – Atdheut, me moton: Ejani me mua ta çlirojmë Kosovën e robëruar! Dashuria për ta parë atdheun të lirë, Agimit i prinin vargjet himn: “M’u shtershin sytë, nëse vdes pa luftue”, të shkruara shumë kohë më herët.

Dhe, vërtet Agimi luftoi për çlirimin e atdheut, – ra në altarin e lirisë, por prapa la Kosovën të lirë dhe emrin e tij simbol të lirisë për jetë e mot.

Si rrjedhojë e kësaj njohjeje me Agim Ramadanin, por edhe si ndjekës medial i veprimtarisë së tij dhe QKSH-së që ai e drejtonte, pas rënies së tij heroike në luftën e Kosovës, më 11 prill 1999, më ra hise që ta shkruaja librin “Rrugëtimi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Zvicër”, botuar në vitin 2010. Në libër edhe një herë u madhështua shpirti krijues i Agim Ramadanit, duke prezantuar një kronologji të veprimtarisë së Qendrës, të cilën e drejtoi ai, por edhe inercia e të cilit vazhdoi nga kolegët e Agimit, e sidomos nga bashkëshortja e tij, Shukrije Ramadani, e cila, pandalshëm, lartësoi veprimtarinë kulturore, artistike e luftarake të heroit të saj e tonit – Agim Ramadanit.

Bashkëjetesa me veprimtarinë artistike të Agimit, me manifestimet e përvitshme të majit, në Zhegër: “Ditët e Agimit”, si dhe manifestimet e herëpashershme me emrin e tij, por edhe e gjithë kujtesa nga vitet e bashkëpunimit në Cyrih të Zvicrës, ma ruajnë qartë, e në formë të kristaltë, fytyrën porosidhënëse të Agimit: “Gjithçka për atdheun – gjithçka për të ardhmen e Kosovës”!

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja