Të dashur bashkëkombës dhe miq të lirisë – Sot, në këtë ditë të shënuar, përulemi me respekt dhe krenari përpara sakrificës sublime të bijave dhe bijve më të mirë të kombit, që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Pavarësia e Republikës së Kosovës është fryt i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i qëndresës së popullit të saj dhe i gjakut të derdhur nga fëmijët, gratë, burrat dhe pleqtë e pafajshëm – viktima të gjenocidit dhe dhunës së egër nga regjimi serb.
Kjo ditë lirie e pavarësie është gjithashtu kurorëzim i përpjekjeve paqësore dhe vizionare të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe Lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe demokraci, që për vite me radhë mbajtën të gjallë frymën e rezistencës dhe aspiratën për shtet të pavarur.
Në këtë rrugëtim, mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndërhyrja vendimtare e NATO-s, përmes sulmeve ajrore që ndalën makinerinë vrastare serbe, ishin jetike për çlirimin e Kosovës.
Prania e trupave të KFOR-it dhe angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë i hapën rrugë shpalljes së Pavarësisë më 17 Shkurt 2008.
Lavdi dëshmorëve! Nderim e përjetësi martirëve!
Mirënjohje të përzemërt për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, KFOR-in dhe 117 shtetet që njohën shtetësinë e Kosovës, duke u rreshtuar në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Le të vazhdojmë së bashku ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë Kosovën, me dashuri, përkushtim dhe unitet.
Gëzuar Pavarësia e Kosovës!
Me nderime, Redaksia Inforogana.com
Kryeredaktor: Xhevdet Kallaba