Turneu Tradicional i Pingpongut “Musa Thaçi” vazhdon në Muçivërc të Dardanës/Kamenicës
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 15 shkurt 2025, në fshatin Muçivërc të komunës së Dardanës (Kamenicës), u mbajt edicioni i radhës i turneut tradicional në pingpong, i dedikuar kujtimit të profesorit Musa Thaçi. Vendin e parë, për herën e pestë e fitoi Jeton Azizi nga klubi «Artana» nga Artana.
Ky turne, tashmë i shndërruar në një traditë vjetore, organizohet për të nderuar veprimtarinë e ish-profesorit të edukatës fizike, z. Musa Thaçi, i cili me përkushtim dhe pasion ka kontribuuar në edukimin dhe frymëzimin sportiv të shumë gjeneratave në shkollën fillore “Metush Krasniqi” në Roganë të Dardanës, por edhe në shkolla të tjera të komunës së Dardanës/Kamenicës. Ai mbetet një figurë shembullore e pedagogut sportiv me vlera të larta arsimore dhe profesionale.
Cilësia e garave në këtë edicion ka shënuar ngritje të dukshme, ndonëse interesi i publikut për të ndjekur ndeshjet mbetet ende nën pritshmëri. Gjithsej 34 garues të grup-moshave dhe gjinive të ndryshme konkurruan në dy tavolina, sipas sistemit “Me skelet” për të arritur deri në ndeshjet finale. Të pranishëm gjatë finaleve ishin edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, z. Afrim Dervishi me përgjegjësit e DKRS-së z. Shehat Rrudhani e z. Agim Abdullahu, si dhe arsimtarë e profesorë të kulturës fizike nga Komuna e Dardanës/Kamenicës.
Besueshmëria e procesit garues u sigurua nga puna profesionale e jurisë, e përbërë nga z. Gazmend Kastrati me ndihmësin z. Krenar Sermaxhaj, për tavolinën e parë dhe z. Rexhep Thaçi me ndihmësin z. Ilmi Spahiu, për tavolinën e dytë.
Mes të pranishmëve kishte edhe familjarë të prof. Musa Thaçit, të cilët shprehën mirënjohje për organizatorët me dëshirën që në të ardhmen të ketë më shumë pjesëmarrës dhe shikues në turne. Një krenari të theksuar për këtë turne e reflekton bashkëshortja e pedagogut Musa Thaçi, zonja Pashije Thaçi. Ajo ndihet tejet e nderuar për punën dhe autoritetin e bashkëshortit të saj – Musa Thaçit. Për simbolikë, turneu u hap me një lojë pingpongu nga nipi i Musa Thaçit – Lis Halit Thaçi dhe z. Rexhep Thaçi.
Aktiviteti sportiv u zhvillua në ambientet e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Muçivërc, pavarësisht kushteve modeste të infrastrukturës, me shpresë që në të ardhmen do të gjenden hapësira më adekuate për organizime të këtilla, për shkak të pritshmërive për rritjen e numrit të pjesëmarrësve dhe shikuesve.
Kësaj radhe garat u zhvilluan në dy kategori, duke përfshirë garues (meshkuj e femra) nën moshën 15 vjeçe dhe garues (meshkuj e femra) mbi moshën 15 vjeçe.
Fitues të kategorisë nën 15 vjeç u shpallën: Vendi I – Odej Sherifi, nga Gjilani; vendi II – Arbresha Hashimi, nga Artana (e cila aktualisht luan për KP «Liria» në Prizren dhe vendi III – Ris Smajli, nga Gjilani.
Nga kategoria mbi 15 vjeç u shpallën këta fitues: Vendi I – Jeton Azizi, nga Artana; vendi II – Adriatik Maloku, nga Ferizaj dhe vendi III – Alma Mehmeti nga Gjilani.
Mirënjohjet për tre më të mirët për të dy kategoritë u ndanë nga familjarët e prof. Musa Thaçit dhe nga gazetari Xhevdet Kallaba, i cili edhe bëri hapjen e turneut.
Një falënderim të veçantë në emër të familjes, për sportistët dhe shikuesit, e shprehu Fitim Thaçi.
Familja Thaçi u nderua me një mirënjohje të veçantë në shenjë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme në organizimin e këtij turneu. Ndërkaq, fituesit e tri vendeve të para u shpërblyen edhe financiarisht: vendi i parë me 200 euro, vendi i dytë me 150 euro dhe vendi i tretë me 100 euro. Për fituesit e kategorisë nën 15 vjeç vendi i parë fitoi 50 euro, vendi i dytë 40 euro dhe vendi i tretë 30 euro. Shpërblimet u mbuluan nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Dardanës/Kamenicës.
Jeton Azizi, i cili me lojë dëshmuese për herë të pestë rrëmben vendin e parë në turnetë e organizuara në Muçivërc, në një prononcim për Inforogana.com, u shpreh mirënjohës për organizimin e ngjarjes, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm në popullarizimin e pingpongut në Anamoravë. Z. Azizi duke qenë edhe trajner i klubit të pingpongut për femra në Artanë vlerëson se interesimi i të rinjve dhe të rejave për pingpongun është në rritje e sipër, prandaj pret një të ardhme më të mirë për pingpongun në Anamoravë. Ai u shpreh falënderues për garuesit nga Ferizaj dhe Artana që, bashkë me garuesit nga Gjilani, e begatuan këtë turne pingpongu, duke shprehur gatishmëri për pjesëmarrje edhe në turnetë e ardhshëm.
Sponsor medial, si edhe në turnetë e mëhershme, ishte Platforma elektronike “Inforogana” me kryeredaktor Xhevdet Kallabën.
Ajo që lë për të dëshiruar është themelimi i një klubi të pingpongut nga komuna e Dardanës/Kamenicës. Përndryshe, deri tani garuesit e kësaj komune kanë marrë pjesë në cilësinë e nxënësve ose të qytetarëve./Xhevdet Kallaba/
- Advertisement -
- Advertisement -