Më 26 nëntor 2024, në sheshin «Metush Krasniqi» në Dardanë/Kamenicë u bë Akademi përkujtimore si dhe u përurua shtatorja e Metush Asllan Krasniqit. Nga ai manifestim përkujtimor po japim fjalën integrale të Kushtrim Krasniqit (nipit të bacë Metushit).
“Vazhdoni përpjekjen, Fitoren e kem’ afër!” – amaneti i fundit i Metush Krasniqit
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës; miq, veprimtarë, heronj të gjallë të kombit tonë; i nderuar nikoqir, kryetari im i ri i Kamenicës: “Vazhdoni përpjekjen, Fitoren e kem’ afër!” këto ishin fjalët e fundit të gjyshit tim drejtuar bashkëveprimtarëve, miqve e familjarëve të pranishëm të thëna diku rreth orës 5 pasdite, të një t ‘mërkurë të zymtë vjeshte, të datës 15 tetor 1986.
Ju faleminderit të gjithë të pranishmëve këtu për nderin që po shprehni ndaj figurës së gjyshit tim, Heroit Kombëtar, Metush Krasniqi.
Ditë si kjo e ky nderim ma sjellin ndërmend një adresim që Winston Churchill i kishte bërë kombit anglez e ku thoshte: “Asnjëherë në histori nuk kemi pasur aq shumë borxh, nga aq shumë njerëz, ndaj aq pak njerëzve”. Borxhi ynë do t’mbetet përgjithmonë ndaj Nënë Terezës për Mirësi e Bujari, ndaj Bacës Adem Demaçi për Qëndrueshmëri, ndaj Komandant Adem Jasharit për Trimni, ndaj Skënderbeut për Bashkim nën një Flamur, e ndaj At Gjergj Fishtës për vargjet e tij Kushtrim për Shqiptarí. Përkushtimi i tyre i paepur, sakrifica jetësore, ideali i tyre i palëkundur bënë që t’i dalin rreth Flamurit e Kombit ashtu siç e thotë Himni ynë Kombëtar që në vargun e tij të parë.
A nuk do të ishte vallë më lehtë për Nënë Terezën të vazhdonte me shërbye në Letnicë, që Baca Adem të mjaftohej me shkrime e editoriale të cilat nuk do ta burgosnin, që Komandanti Adem Jashari të vepronte në male e t’i shpëtonte, të paktën, familja, që Skënderbeu të shërbente në ushtrinë Osmane e të rangohej edhe më lartë apo edhe At Gjergj Fishta të shkruante vetëm poezi e të mos merrej me alfabet e udhëzime për kombin?
Heronjtë tanë, në çdo udhëkryq jetësor, gjithmonë e kanë ditur se cila është rruga më e lehtë, por, pa përjashtim, kurrë se morën atë rrugë. Siç do të thoshte Nëna Terezë: “Gjâja ma e lehtë – Gabimi, Gabimi ma i madh – Dorëzimi”. Pra, dorëzimi do të ishte më i lehtë, mirëpo edhe gabim i madh për aq sa është rruga e Rrethit të Madh Kombëtar.
Të dashur miq, më ka rastisur që në vitin 2016 ta takoj një albanolog japonez, Dr. Kazuhiko Jamamoto që merret me studimin e kodeve etike e që ka shkruar edhe një libër rreth ngjashmërive të Kanunit Japonez me Kanunin Shqiptar. Në një bashkëbisedim shterues rreth ngjashmërive, ku ai i sheh mes dy kulturave tona, një bashkëbisedim aq i gjatë e i ngarkuar sa gruan e tij e zuri edhe gjumi në tavolinë, arrita ta kuptoj se ku qëndron esenca e zhvillimeve të ndryshme shoqërore – ata shumë të zhvilluar, e na jo edhe aq. Edhe pas disa herësh që ia bëra pyetjen – Pse, pse, pse ky dallim Yamamoto(?), ai më përgjigjet: – Krasniqi, juve kurrkush s’ua ka mbyllur rrethin e shkatërrimit e me ju çu’ deri n’shfarosje totale. Populli shqiptar është e do të rrojë! – vazhdon ai; fiset japoneze e luftuan njëri-tjetrin deri në shfarosje totale duke mos lanë as bagëti, male, fusha e ushqim pa djegë, e pa prerë burra, fëmijë e gra. Shtrëngimi i këtij rrethi deri n’palcë, të këtij rrethi shkretues, bëri që fiset japoneze të mblidhen e ta pleqërojnë këtë problem deri sa përfundimisht do ta zgjidhnin një prijës të Japonisë – Perandorin Tokugawa. Ky Perandor arrin që t’i qetësojë interesat fisnore e ta përbashkojë Perandorinë Japoneze duke spikatur rreziqet e jashtme e minimizuar ato të brendshme që ata do t’i kishin krijuar vite më parë.
Kjo Japoni e përbashkuar që në gjirin e vet mban me fanatizëm kulturën e vjetër, vetëm gjatë shekullit XX e mundi Rusinë, pushtoi Kinën dhe e gjunjëzoi Amerikën në aspektin e politikave të jashtme, përderisa në politikat e brendshme arriti që ta etablojë shoqërinë e vet deri në majat e një demokracie të një vetëdije shumë të lartë, atë të demokracisë koncensuale.
Për t’u kthyer te Kombi ynë, siç e pamë edhe te lufta jonë e fundit, armiku u kujdes që me organizue një operacion të quajtur “Patkoi”, të kumtuar disa vjet më herët nga sharlatani-çetnik, Shesheli; operacion ky kështu i emërtuar për shkak të formës që ia dhanë fushatës se tyre gjenocidale e dëbuese. Ata nuk e quajtën atë operacion “Rrethi”, sepse nuk e kishin ndërmend të na vetëdijesonin, por që të na largonin nga vatrat tona e të na nëpërkëmbnin dinjitetin e identitetin tonë Kombëtar.
Patkoi e lë një derë çelë gjithmonë për t’ikur, për t’u tretur e çnderuar, ndërsa, Rethi, Rrethi miq të dashur, të vetëdijeson, se ta bjen punën ngushtë, saqë prej tij nuk iket, por të obligon të merresh me të për aq sa t’jeshë gjallë!
Ne shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë Administrative bëmë përpjekje të vazhdueshme për t’na u njohur e drejta jonë për Vetëpërcaktim dhe Bashkim në trojet tona, por, edhe përkundër luftës Ballkanike, asaj kaçake, asaj të Dytë Botërore, reprezaljeve e burgjeve, edhe përkundër kërkesës sonë të vazhdueshme e demokratike, na u dashtë të mobilizohemi sërish për luftë me Serbinë, të cilën e fituam me ndihmën e miqve tanë Anglo-Amerikan. Po, edhe pas gjithë atyre përpjekjeve e pamë se qysh qe me shpallë Kosovën shtet të pavarur, një shtet me krejt pak kompetenca; qe16 vjet e pamë qysh qe me i zhvillua shumë prej këtyre kompetencave e sot po jemi dëshmitarë të rënies së heronjve të sovranitetit që po na kallëzon se qysh është me ia qitë rrethin vendit tonë e çështjes sonë Kombëtare.
Të nderuar miq, nuk ka fitore me pak mund! Shtetet e ngritura e fitimtare asnjëherë nuk e edukojnë popullin e vet se bën edhe me humbë, e që veni i dytë s’asht bash edhe aq i keq, e që dikur me menduar se ne edhe s’meritojmë më shumë, e dikur që na besa me menduar që s’meritojmë bash hiç kurrgjë! Ata përkundrazi i mësojnë që me humbë nuk bën hiç, e se krejt këto tjerat janë punë e mund i madh deri n’fitore po pa e nxjerrë prej kontekstit triumfin asnjëherë.
Mendimi ynë popullor, që ta jep hakun për çfarëdo përpjekje, nuk na bën t’këqij, t’ligë, apo t’padijshëm, – JO, por na bën ma pak të gatshëm për sakrificat e për mund më t’madh, i cili na e sjellë fitoren e lavdinë e Kombit, na sjellë vetëdijen Kombëtare duke na afruar te gjendja ku ne mund t’ia qesim Rrethin synimeve tona Kombëtare. Nuk është se ne nuk dimë a nuk duam; se shumë muret e gardhet i kem’ mbaruar ne për t’u ndarë prej mëhallëve tjera, kojshive, kushërinjve e vllaznive, veprime këto që flasin për kërkimin tonë identitar, vetëm se në një nivel më të ulët, jo në atë që do të na mbronte sot nga kërcënimet e armiqve të moçëm. Në Evropë edhe popujt më t’butë janë çua për t’i ruajtur kufijtë, identitetin e vet, për t’i shtrënguar rrathët e vet e për t’u mobilizuar, e për t’u këshilluar bashkëkombësit se qysh t’veprojnë në rast lufte, mirëpo jo ndërmjet veti, por me të tjerë – me ata armiq që i kem’ edhe ne.
Prandaj, miq të nderuar, edhe për ne këtu, nga ky cep i skajshëm i Shqipërisë, le të dëgjohet si një thirrje e jehonë e këtyre Heronjve, të cilët e kuptuan kurthin e Patkoit, por zgjodhën rrugën e Rrethit të Madh Kombëtar ata të dinjitetit e të fitores.
Le t’i vazhdojmë përpjekjet me ia qitë Rrethin Kombit tonë – fitorja është afër!
LAVDI HERONJVE! RROFTË SHQIPËRIA! RROFTË FLAMURI!
Ju faleminderit!