16.5 C
Kosovo
12/03/2025

Në vigjilje të “28 Nëntorit”, në Dardanë/ Kamenicë përurohet shtatorja e atdhetarit – Metush Krasniqi

Arkivi

Sheshi «Metush Krasniqi» në Dardanë/Kamenicë tashmë bëhet edhe me shtatoren e atdhetarit Metush Krasniqi, e cila u përurua në praninë e disa qindra qytetarëve nga Kosova, Maqedonia Veriore, Lugina e Preshevës etj.

Në Dardanë, më 26 nëntor 2024 u bë përurimi i shtatores së atdhetarit Metush Krasniqi. Në përurim morën pjesë: Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, zonja Donika Gërvalla Shwarc, kryetari i Dardanës/Kamenicës z. Kadri Rahimaj, familjarë të Metush Krasniqit, ish të burgosur politikë dhe bashkëqytetarë nga të gjitha trojet shqiptare.

Në shqëpinë e kulturës «Isa Kastrati» në Kamenicë paraprakisht u mbajt një Akademi përkujtimore për përurimin e kësaj shtatoreje, ku me nga një fjalë rasti u paraqitën: kryetari i komunës, z. Kadri Rahimaj, kryeministri, z. Albin Kurti, kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politikë, z. Shefik Sadiku dhe nipi i Metush Krasniqit, z. Kushtrim Krasniqi.

“Njeriu është më shumë se një trup fizik; ai është ide, vizion dhe një ideal. Kur një individ i përkushtohet plotësisht një ideali të madh si liria dhe dinjiteti kombëtar, ai bëhet simbol, dhe më pas një dritë që ndriçon rrugën e brezave. Sot, në këtë përurim të shtatores së Metush Krasniqit, nuk përkujtojmë thjesht një njeri, por një epokë që ai mishëron – një epokë vuajtjeje, sakrifice, por edhe shprese të palëkundur”, tha ndër të tjera kryetari Rahimaj në fjalën e tij, në Akademinë kushtuar përurimit të shtatores së Metush Krasniqit.

Ndërkaq kryeministri i vendit, z. Albin Kurti fjalimin e tij e nisi me konkludimin se: «Me ngritjen e shtatores së tij në Kamenicë, ne përveçse e nderojmë personalitetin e Metush Krasniqit, e fiksojmë figurën historike që ai përfaqëson dhe i bëjmë vend traditës politike të cilës i takonte ai dhe trashëgimisë politike të lënë pas ndër ne prej saj dhe prej vetë atij”. Ai po ashtu shprehu lavdi për veprën e Metush Krasniqit dhe të gjithë atyre që e sakrifikuan jetën e tyre duke u angazhuar sikur ai për lirinë e atdheut.

Tubimin e përshëndetën edhe kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politikë z. Shefik Sadiku, si dhe nipi i Metush Krasniqit, z. Kushtrim Krasniqi, të cilët po ashtu përcollën mesazhet e atdhedashurisë dhe sakrificës që i mësuam nga atdhetari Metush Krasniqi.

Me këtë rast kryetari Kadri Rahimaj për familjen Krasniqi ndau çmimin «Metush Krasniqi», çmim ky i cili tash e tutje do t’u jepet figurave eminente në fushën e atdhetarisë dhe kontributin për përparimin e shoqërisë sonë. Çmimin e pranoi vajza e Metush Krasniqit, zonja Teuta Krasniqi.

Më pas u bë zbulimi i shtatores së vendosur në sheshin “Metush Krasniqi”. Zbulimin e bënë: kryeministri Albin Kurti, ministrja Donika Gërvalla, kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe stërnipi i Metush Krasniqit, Kron Krasniqi. Pasuan vendosje lulesh dhe përulje para shtatores nga individë dhe përfaqësues institucionesh të ndryshme. Në shenjë respekti ndaj patriotit Metush Krasniqi shumë nga të pranishmit bënë homazhe dhe fotografi pranë shtatores së tij./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja