4.5 C
Kosovo
22/11/2024

Nga ditari i prof.mr.Tefik Geci: “Në përcjellje të amanetit…”

Arkivi

Punimet e shumta publicistike të niveleve të larta shkencore, me gjasë, ia pamundësuan larjen e një borxhi ndaj Roganës për nxjerrjen e një monografie për Roganën, amanet ky të cilin ia la gjeneratës pasuese, si domosdo e ndriçimit të zhvillimeve historiko-politike të qindvjetëshit të fundit, e pse jo edhe të shekujve të mëhershëm.

Më 26 korrik 2017 u nda nga jeta profesori e magjistri i shkencave të historisë, Tefik Geci. Atë ditë historisë shqiptare i vdiq një historian, por që la një histori pas vete. Kjo humbje dhe dhembje, njëkohësisht, preku, jo vetëm familjarët e ngushtë, por edhe shumë shokë, miq, bashkëfshatarë, ish-studentë e ish-kolegë dhe bashkëveprimtarë. Dhembje ndjeva dhe unë. Kujtova disa takime në situata e rrethana të ndryshme, herë të “nxehta” e herë të “vakta”.

Si profesor historie që ishte, i pari nga Rogana (ish-Rogaçica) dhe Anamorava, i ra hise për disa nisma me peshë historike, si: hulumtimi në distancë kohore për Roganën e roganasit dhe gjithë popullin shqiptar; pajtimi i gjaqeve; themelimi i Kuvendit të FISh-it (Forumi i Intelektualëve Shqiptarë) në Roganë (3 maj 1992); pjesëmarrja në shumë aktivitete kulturore-arsimore-politike, në Roganë e Dardanë, me bashkëveprimtarë, si Metush Krasniqi, Sejdi Kryeziu, Fehmi  Agani, Nexhmije Kallaba, Shaban Geci, Bahtijar Kryeziu etj.

I ra hise që të jetë dijeshpërndarës bashkë me mësuesin e parë roganas, Tefik Sh. Kallabën, pastaj me Shaban Gecin, Qemajl Kallabën, Sejdi Kryeziun, Hamid Kryeziun, Ramadan Kallabën, Muharrem Kallabën e shumë të tjerë. Ishte një shembull-model për gjeneratën në ardhje të punëtorëve arsimorë roganas, dhe jo vetëm. Punimet e shumta publicistike të niveleve të larta shkencore, me gjasë, ia pamundësuan larjen e një borxhi ndaj Roganës, për nxjerrjen e një monografie për Roganën, amanet ky të cilin ia la gjeneratës pasuese, si domosdo e ndriçimit të zhvillimeve historiko-politike të qindvjetëshit të fundit, e pse jo edhe të shekujve të mëhershëm.

Si pjesë e intelektualëve të Roganës, ky amanet, sikur na ndërgjegjen, me një porosi të vetëkuptueshme, se duhet ta japin kontributin tonë. Ç’është e vërteta, prej kohësh edhe unë merrem me grumbullim të një brumi, mbase jo për një monografi të detajuar, porse për një libër të përkushtuar për lindjen, rritën dhe zhvillimin e Roganës. Pa dyshim, për një vepër të këtillë më nevojitet edhe mbështetja e intelektualëve tjerë roganas, të cilët nuk janë të paktë. Mjafton të citoj burimet e publikimeve të tyre, ose ndonjë formë tjetër e ndihmës së drejtpërdrejtë. Janë të mirëseardhur edhe intelektualë të fshatrave tjera të komunës së Dardanës, të cilët, në një mënyrë a tjetër, kanë qasje në historikun e Roganës (ish-Rogaçicës).

Profesori Tefik ishte i fushës së historisë, dhe kush më mirë e më me kompetencë do ta ndërtonte një “Monografi-Kala” për Roganën, por, fatkeqësisht ai nuk arriti ta zë këtë hap. Gjithsesi, Rogana e meriton një libër-monografi, e cila me devotshmëri do t’u shërbejë gjeneratave të ardhshme. Prandaj, duhet të ngarendim që realitetin e Roganës dhe roganasve ta shkruajmë në letër, përkatësisht ta shkruajmë në histori.

Kur një herë, derisa po pinin kafe, i kërkova të më rrëfente ndonjë histori për fshatin, ai shpalosi një rrëfim, të cilin dhe munda ta “prekja” me dorë. Ishte pikërisht rrëfimi i kafes së tij të parë. E nisi kështu: – “Unë dhe kushëriri im Shabani donim ta braktisnim mësimin te hoxha për të kaluar në shkollën e rregullt shqipe. Shkurtpamësit dhe konservatorët e fshatit na pengonin, duke na i mveshur mëkatet e prishjes fetare e deri tek bërja kaurrë. Për t’u liruar nga kjo barrë, ia mësymë odës së axhes Hafez, kështu e quanim imamin e fshatit, Hafëz Shefki Kallabën. Trokitëm në derën e odës së tij, dhe pasi u kollit njëherë, na tha – hajde bujrum. Kur hymë brenda pamë që hoxha kishte qenë duke lexuar Kuran. Brofi në këmbë dhe na ofroi vendin e mysafirëve të tij të nderit. U shtangëm nga ai respekt, sa, për pak, harruam pse ishim aty. Pa arritur t’ia tregonim qëllimin ai na poqi nga një kafe në mangall. Ishin kafet e parë në jetë që i kishim pirë unë dhe Shabani. Përveç që ishte hoxhë, ishte dhe psikolog i fortë, sepse që në hyrje e vërejti se ne ishim shkuar për një hall tek ai. – Ç’hall ju solli tek unë, na u drejtua axha Hafëz, dhe ne, si në kor, iu drejtuam: Po duam të shkojmë në shkollën e rregullt, por të gjithë po na thonë se po marrim mëkate të mëdha mbi vete, dhe për këtë do të na dënojë Zoti. Pasi piu gllënjkën e kafes, ofshani thellë dhe na u drejtue: – sa për gjynahe, ato m’i lini mua, kurse ju shkoni në shkollën shqipe, ajo është e ardhmja jonë. E falënderuam me respektin më të madh, dhe që nga dita e nesërme filluam mësimet te mësuesi Xhevat Alija, i cili, më vonë kuptuam se, po ashtu, me këmbëngulësinë e Hafëz Kallabës, kishte vendosur të punonte në Roganë”./Xhevdet Kallaba/

Ditari i prof. mr. Tefik Gecit

Tefik Geci, duke reflektuar nostalgjinë për vendlindjen e tij – Roganën, ishte inspiruar që shumë gjëra t’i linte të shkruara në një ditar. Në fakt ky ditar nuk ishte i lidhur drejtpërdrejt me rrjedhat historike të Roganës, por më shumë përmblidhte intervista e dromca jete dhe atdhedashurie të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare dhe udhëheqësit të saj Gjon Serreçit (11 shkurt 1920 – 30 gusht 1947). Një “shkundje” e arkivit të tij, mbase, do të nxjerrë në sipërfaqe materiale të nevojshme në dobi të një monografie më të plotësuar për Roganën, pse jo!

Ndjehem i privilegjuar që në arkivin tim e kam Ditarin e skanuar të Tefik Gecit, pjesë nga i cili, herë pas here, do të botohen në platformën “Inforogana”, në këndin “Nga Ditari i prof. mr. Tefik Geci”. Janë gjithsej 203 shkrime dhe intervista në këtë ditar-aset për Roganën dhe Inforoganën.

Në fillim të këtij ditari prof. Geci shkruan: Këto shënime të disa intserteve të ngjarjeve historike të vendlindjes së ngushtë, Roganës, fshatrave rreth saj dhe vendjetës më të gjerë Anamoravës, u sajuan bukur vonë, prej janarit të vitit 1991 e gjer në qershor të vitit 1995. Shkrimet janë të llojllojshme dhe pa ndonjë renditje tematike. Krahas Betejës së Kikës, të parës dhe të dytës, Bislim Hogoshtit, Selman Roganës, bëhet fjalë kryesisht për NDSH.në dhe figurat që e lëvizën drejt luftës për pavarësi, e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë mëmë. Rrugës së bashkimit kurrë nuk duhet të ndalen shqiptarët në përgjithësi e kosovarët në veçanti.

Prishtinë, Mirëditë, 1 janar 1996 – Tefik Geci

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja