8.5 C
Kosovo
22/11/2024

Në 38-vjetorin e ndarjes nga kjo botë të atdhetarit – Metush Krasniqi

Arkivi

Si sot, para 38 vitesh (15 tetor 1986), në varrezat e fshatit Dajkoc të Dardanës, në moshën 58-vjepare, u varros atdhetari Metush Asllan Krasniqi. Metush Krasniqi la pas tij një frymë atdhetarie, e cila do të mbillet e shpërndahet te të gjithë ata shqiptarë që e duan një Shqipëri me gjuhë e me komb shqiptar.

PRAPA GRILAVE

(Metush A. Krasniqit)

Kur dëgjoja dikë që lëshonte atdhenë

sytë më mbusheshin lot,

buzët më bëheshin shkrumb

e në gjoks ndjeja zjarr

si një  vullkan.

Eh,

ky popull do mbrojë vend e do mbajë vatan.

Shikoj përtej gjembave rrethues

dhe pres atdhetarë të devotshëm

që përtej vetvetes

synojnë atdhe pa pranga

mua më shohin mburojë hekuri

e katapult thërmiash diturie

dhe shumë fëmijë në banka.

Për çdo celulë organizuar jashta

dënohesha brenda me një qeli

ku bashkëbanues do kisha

ndonjë të marrë a ndonjë mi.

Egërsia barbare e inspektorëve

nuk më bënte përshtypje

veç ndonjë pakurrizori, kolegu a fqinji

që hijen e vet kish frikë,

e nga dika e madhe

verbërinë e kish bërë këmishë.

Sa herë gjendesha në bankën e zezë

në horizont shihja ditë të bardhë

sakrifica ishte kundërvlerë

për ditë të mira në një shtet kombëtar.

Metush Krasniqi lindi më 19 gusht 1928 në fshatin Dajkoc të Komunës së Kamenicës (Dardanës). Shkollën fillore katërklasëshe e kreu në gjuhën serbe, në fshatin Hodonoc, ndërsa katër klasat tjera i kreu në Gjilan, në gjuhën shqipe, gjatë viteve 1942-1946.
Gjatë viteve 1947-1949 ishte pjesë e kurseve pedagogjike në Pejë dhe Gjakovë, ndërsa në vitin 1950 diplomoi në Shkollën Normale të Gjakovës. Në vitin 1950-1951 filloi punën si mësues në shkollën fillore në Shipashnicë të Epërme. I frymëzuar nga veprimtarët e LNDSH-së, në Shipashnicë, së bashku me kolegët e vet themeloi organizatën ilegale «Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë». Autoritetet e arsimit vetëm një vit më vonë Metush Krasniqin e transferojnë në shkollën fillore të Strezovcit, fshat ky po ashtu në komunën e Dardanës. Aty punoi një vit dhe u transferua në Hogosht. Bashkë me arsimtarin e gjuhës shqipe Ndue Nekajn banorët e Hogoshtit e mirëpritën ngrohtësisht ardhjen e tij. Më pas punoi edhe në Muçivërc e Roganë, por gjatë gjithë kohës ishte në përcjellje të organeve të UDB-së.
Në vitin 1957 pas ndjekjeve dhe burgosjeve detyrohet të shpërngulet në Shkup. Me vete merr edhe familjen e ngushtë. Atje, krahas punës në arsim, me një përkushtim të veçantë, vepron në organizatën «Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”. Në nëntor të vitit 1958 Metush Krasniqin e burgosën dhe e dënuan me 18 vjet burg të rëndë prej të cilave i ka mbajtur 8 vjet. Pas daljes nga burgu Metush Krasniqi një kohë e kalon në Dajkoc, por i entuziasmuar për dije e shkollim kryen Fakultetin Juridik në Prishtinë, për t’u punësuar më 1970  në Shkollën e mesme teknike «19 Nëntori» në Prishtinë. Mirëpo, bacë Metushin as këtu nuk e lënë të punojë i qetë.
Meqë atdhetari ynë Metush Krasniqi gëzonte një autoritet të madh në mesin e rinisë shkollore dhe universitare në Kosovë e në Maqedoni, ai kishte formuar një rreth të gjerë shokësh besnikë, si: Hasan Dermakun, Rexhep Malën, Skënder Kastratin, Njazi Korçën, Kadri Zekën, Ethem e Fehmi Bajramin, Rexhep Elmazin, Rafet Bajramin, Jusuf e Zeqir Gërvallën, Sabri Novosellën, Shefqet Jasharin e shumë të tjerë. Metushi kishte një respekt të pafund te këta persona, dhe jo vetëm. Madje gëzonte autoritet edhe te një shtresë e mësimdhënësve universitarë, ndonëse fizikisht nuk kishte ndonjë afri me ta. Ishte i afërt dhe afrues me njerëz shtresash dhe moshash të ndryshme.
Në vitin 1976 Metush Krasniqi vihet në krye të Organizatës «Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi» LNÇKVSHJ. Gjatë atyre viteve bën përpjekje për bashkimin e të gjitha grupeve ilegale në një organizatë të fuqishme. Metush Krasniqi gjatë viteve ‘80 punoi në ilegalitet të thellë, por megjithatë UDB-ja, përmes informatorëve shqiptarë, kishte mësuar për aktivitetin e Metushit, dhe, më 4 nëntor 1981, sërish burgoset e torturohet rëndë nga punëtorët e UDB-së. Pas katër muajsh lirohet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Më 4 nëntor 1985 Metush Krasniqi sërish burgoset. Pas shtatë muaj e pesëmbëdhjetë ditëve, sa qëndroi në burgjet e Prishtinës e të Mitrovicës, ku torturohet në mënyrat më mizore, dhe pasi ishte i dërrmuar për vdekje nga UDB-ja, më 16 qershor 1986, lirohet nga burgu, dhe më 15 tetor 1986 ky atdhetar i devotshëm, duke mos pasur shërim, ndërroi jetë. Varrimi i tij u bë në fshatin e lindjes në Dajkoc të Dardanës, në survejim të shumë bashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilët edhe penguan pjesëmarrjen e qytetarëve në varrim./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja