8.5 C
Kosovo
22/11/2024

Izet Kallaba: «Frymë atdhe-dashurie» – përurimi i një vepre letrare në nderim të vendlindjes

Arkivi

Familjarë, bashkëvendës, ish-kolegë të shkollës fillore, të mesme e të studimeve, si dhe kolegë të punës dhe aktiviteteve të lira kulturore, në ditë të mira dhe të vështira, u bënë pjesë e përurimit të librit me poezi “Frymë atdhe-dashurie” të autorit Izet Kallaba nga Rogana me banim në Gjilan.

Kjo ngjarje ishte pjesë e projektit (festivalit) «Angros – Roganë» në bashkëpunim me bujtinën «Kallaba Guest House», në Roganë.

Fillimisht, në hyrje të programit u soll një program muzikor nga këngëtarët Sedat Kuqi dhe Berat Krasniqi, për të sjellë një atmosferë të veçantë për rreth 80 mysafirët e pranishëm, ndër ta pjesa dërrmuese arsimtarë, profesorë e doktorë shkencash. Pastaj, bujtina “Kallaba” ofroi një shumëllojshmëri ushqimesh tradicionale për të gjithë të pranishmit, duke i kënaqur ata me shije autentike dhe të veçanta.

Promovimi i librit u bë nga shtëpia botuese «Beqir Musliu» nga Gjilani nën udhëheqjen e redaktorit Sabit Rrustemi, i cili prezantoi veprën me referimet e recensentëve: prof. dr. Bahtijar Kryeziu dhe prof. Nexhat Rexha.

Redaktori Rrustemi shprehu kënaqësi që i kishte rënë hise redaktimi i një libri siç ishte ky i Izet Kallabës, i përmbushur me vlera sa letrare, po aq edhe me sens muzikor. Gjithsesi, z. Rrustemi kishte pritur një vepër të suksesshme si kjo e Izet Kallabës, duke pasur parasysh aktivitetet e përbashkëta shumëvjeçare që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, qoftë në projektin madhor të Flakës së Janarit, qoftë edhe në manifestime të tjera, për disa dekada, në komunën e Gjilanit dhe më gjerë. Me këtë rast redaktori Sabit Rrustemi deklamoi vargjet e poezive me titull “Të ecësh” dhe “Në jetën time”.

Recensentët vlerësuan librin si një kontribut të rëndësishëm për letërsinë shqiptare dhe e cilësuan si një vepër të shquar në fushën e poezisë.
“Poezitë e faqeve të kësaj përmbledhjeje, përveç cilësisë dhe vlerës poetike që e veçojnë autorin në kuadër të poezisë sonë bashkëkohore, në to mund të ndeshim edhe disa veçori mbase të përgjithshme. Fjala është për koincidenca dhe analogji, më tepër të frymës intonative, të vizionit dhe formës së transfigurimit me poezinë e shumë autorëve të tjerë, që nga rilindësit tanë e këtej. Megjithëkëtë, ky aspekt, çështjen e individualitetit dhe të origjinalitetit të shprehjes së autorit nuk e bën të kontestueshme, assesi, mbështetur edhe në titullin e veprës, kur dihet se binomi atdhe dhe dashuri (dy nocione, që kanë ndërmjet tyre lidhje të dyanshme), e të cilat fjalë te të tjerët i ndeshim si një kompozitë: atdhedashuri, pra, dashuri ndaj atdheut…, tek Izeti, kujtoj unë, jo rastësisht, këtë kompozitë e ndeshim si një sintagmë: atdhe dhe dashuri, e që, sipas perceptimit tim, kemi të bëjmë me dy nocione që nuk janë një me kompozitën atdhedashuri, por për nostalgji e mallëngjim për atdheun (të shumtat) dhe poezi erotike, disa prej tyre, e ndonjë edhe me motiv tjetër”, ishte një fragment nga recensioni i prof. dr. Bahtijar Kryeziu për librin me poezi të bashkëvendësit të tij, prof. Izet Kallaba. Profesor Bahtijari vë në spikamë hapjen e këtij vëllimi me poezinë «Në prag të luftës», në të cilën autori parandien luftën, i bindur se ajo sjell vetëm kob e zi, sjell skëterrë për njerëzimin dhe, i mllefosur, pyet:

«Sa lule do t’vyshken pa u dhuruar me hirësi

sa zemra të njoma do treten pa dashuri

nga plumba mizorësh që botën e shohin vetëm nën dry…».

Më tej prof. Bahtijari tregon sesi autori Izet Kallaba temën e luftës e të zisë e trajton edhe te poezitë: «Gjaku im i trazuar në shtegtim», i cili, pasi përmend Bosnjën, thotë se:

«..Të bëmat fam’keqe dhe Kosovën mbuluan/ buzë shekullit të ri katrahurat na shkundulluan (Bonx NY, f. 8), si dhe në disa poezi të tjera, por ai, megjithëkëtë, mbledh forcën e nuk vajton. Beson në lirinë, një përbërës tjetër i atdheut, që do ta gëzojmë, ngase e di se: «Mjerë kush ngacmon shqiponjën // … në kthetrat e saj // do të stërkeqen eshtra sorrash // për jetë e deri në amshim» (Post scriptum, f. 9) dhe lut kushërirën tonë, Feruza Kallabën, identifikuar dhe personifikuar me shqiponjën: «Fluturo shqiponjë qiellit mbi korba të natës, fëmijëve të Kosovës sillu gëzimin e paqes» («Fluturo Shqiponjë», f. 10), duke mos anashkaluar assesi NATO-n, e cila atëherë solli lirinë e hëpërhë mbështet sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, shprehur përmes titullit të poezisë «Roje të kësaj lirie» (f. 15).

Recensenti tjetër i këtij libri poetik, profesori dhe kritiku letrar Nexhat Rexha, i inspiruar nga poezitë, nxjerr në spikamë titullin e vlerësimit të tij “Kur pulsimet ngarendin kah ti”.

Kështu, sipas z. Rexha, vëllimi poetik ”Frymë Atdhe-dashurie” i Izet Kallabës, në vete ka të koordinuara idenë dhe konfiguracionin e parashtrimit poetik si realitet i përjetimeve të gjata në vargënimet e shtegtimeve të tij.

Poezia brenda këtij vëllimi determinon në depërtime të artikuluara, si kërkimtare dhe si shpërndarëse e trajtueshmërisë në konceptim të radhitjes së ambientaur artistike.

Poezia dhe meditimet specifikojnë në unin dhe botën e brendshme poetike të Izetit. Ai në këto shtrirje ka hapëruar kujdesshëm, për t`i dhënë poezisë fuqinë e fjalës, e cila rrezaton melodinë e brendshme shpirtërore të tij.

Vëllimi poetik ” Frymë Atdhe-dashurie hapet me poezinë “Në prag të luftës”, në këtë poezi testament i dikurshmes me të tashmen ka racionalizim të fjalës dhe ajo të dikton në dashurinë e pashtershme të botës së tij, vlerëson recensenti Nexhat Rexha.

Pulsimet në poezinë e Izetit kanë shtrirje të mallit, ato zjarrmuan në këto pulsime, sidomos kur njeriu jeton larg atdheut. Pjesa më e madhe e poezive të këtij vëllimi janë shkruar në kohën kur Ai ishte në SHBA, shton z. Nexhat Rexha, duke e falënderuar autorin për këtë prurje në letërsinë shqipe të ditëve tona.
Gjatë përurimit pati edhe dy paraqitje muzikore nga solo këngëtarja Ylberinë Avdyli, e shoqëruar nga Argëtim Bajrami me violë dhe Mentor Latifi me fizarmonikë. Këto pika muzikore, njëra “Vajtojcat e Rekës” kompozuar nga Izet Kallaba sipas tekstit të Ali Podrimjes dhe “Vallja e luleve”, kompozim i Izetit, i shtuan vlerë ngjarjes dhe e bënë atë edhe më të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Përurimi i librit në vendlindje është një moment i rëndësishëm për autorin, pasi ai ndien një ndjenjë të veçantë kur vepra e tij promovohet në komunitetin ku ka lindur dhe është rritur. Kjo vlerë e shtuar për krijuesin e librit është një motivim i madh për të vazhduar të punojë dhe të krijojë vepra të tjera të mrekullueshme për lexuesit e tij.

Në fund, përurimi i librit «Frymë atdhe-dashurie» ishte një sukses i madh dhe një moment i rëndësishëm për letërsinë shqiptare. Autori Izet Kallaba tregoi talentin dhe pasionin e tij për poezinë në këtë vepër të rrallë, duke lënë një gjurmë të thellë në zemrat e lexuesve të tij. Kjo ngjarje tregoi se letërsia shqiptare është ende e gjallë dhe e pasur me talente të mëdha, siç është edhe autori Izet Kallaba.

I emocionuar nga vlerësimet e recensentëve, por edhe nga paraqitja e motrës së tij, Hamide Kallaba, e cila, po ashtu me emocione, evokoi rrugëtimin muzikor e krijues të Izetit, autori Izet Kallaba pranoi se vlerësimi i librit të tij, por edhe i krijimtarisë muzikore, kishin tejkaluar pritjet e tij vlerësuese. Kjo bëri që ai t’u shpreh mirënjohje recensentëve, dhe, në veçanti, edhe organizatorëve të kësaj ngjarjeje, Xhevdet dhe Nexhmije Kallaba, pronarë të bujtinës “Kallaba” si dhe udhëheqësit të projektit “Angros – Roganë”, z. Fisnik Isufi, të cilët pakursyeshëm u angazhuan që ky përurim të realizohet sa më suksesshëm. Ai gjithashtu falënderoi edhe kryetarin e Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, i cili bashkë me institucionin që udhëheq e mundësoi financimin e këtij projekti, pra botimin e librit dhe përurimin e tij.

Me këtë rast, krahas falënderimeve, autori Izet Kallaba deklamoi edhe vargjet e poezisë “Lulishtja ime e lindjes”, e cila u prit me duartrokitje të gjata.

Për t’i dhënë një kolorit edhe më të madh kësaj ngjarjeje letrare-kulturore, në skenë, me një program muzikor, u paraqitën edhe dueti Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi, si dhe Korab Kallaba me grupin e tij muzikor.

Duhet cekur se ky projekt ishte paraparë të realizohej në ambientet e bujtinës “Kallaba Guest House”, por për shkaqe të motit me shi u realizua në objektin e Shkollës së mesme “Sejdi Kryeziu”, për çka e falënderojmë drejtorin e DKA-së z. Afrim Dervishi, drejtorin e shkollës z. Agim Shkodra dhe stafin e tij teknik. /Xhevdet Kallaba/ Fotot: Xh.Kallaba & Gani Kryeziu

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja