17.5 C
Kosovo
17/09/2024

Ceremoni pensionimi për arsimtarin Agim Kallaba

Arkivi

Kolektivi i ShFMU «Metush Krasniqi» në Roganë/Rogaçicë përcolli për në pension të pleqërisë kolegun e tij, arsimtar Agim Kallabën. Tufë lulesh, ushqime tradicionale, torte festive dhe buzëqeshje të pafundme nga kolektivi dhe familjarët ishin dedikim për Agim Kallabën.

Pensionimi i arsimtarit Agim Kallaba, i cili ka punuar si arsimtar i Edukatës fizike në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët «Metush Krasniqi» në Roganë për 23 vjet, është një moment i rëndësishëm për komunitetin e shkollës dhe për të gjithë ata që kanë pasur rastin të jenë në kontakt me të gjatë kësaj periudhe.

Agim Kallaba ka qenë një aktivist i dalluar në fushën e sportit, duke punuar ngushtë me nxënësit e shkollës dhe duke i nxitur ata të zhvillojnë aftësitë e tyre sportive. Mbase ky veprim ishte një çuarje e amanetit në vend, të ish-arsimtarëve të Edukatës fizike që punuan në këtë shkollë, si: Alush Spahiu, Musa Thaqi, Ymerzad Thaqi etj. Për shkak të angazhimit të tij të palodhur, shkolla ka arritur rezultate të shkëlqyera në sportin e volejbollit, për të dy gjinitë. Nxënësit e tij kanë fituar shumë kupa dhe garime sportive, duke treguar përkushtim dhe talent në këtë fushë.

Në të njëjtën kohë, Agim Kallaba ishte një koleg i shkëlqyer, gjithmonë i gatshëm të ndihmojë kolegët e tij dhe të bashkëpunojë me ta për të arritur qëllimet e përbashkëta. Ai ishte i afërt me kolegët dhe koleget e tij, duke krijuar një mjedis të përkrahjes dhe bashkëpunimit në ambientin e shkollës.

Para pensionimit të tij, një ceremoni e veçantë u organizua për të nderuar kontributin e tij të çmuar në shkollë. Drejtoresha e shkollës, zonja Belgizare Kryeziu, dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, zoti Afrim Dërvishi, folën fjalë dashamirëse dhe falënderuese për Agim Kallabën, duke e vlerësuar për punën e tij të palodhur dhe për ndikimin pozitiv që ka pasur në jetën e nxënësve dhe të të gjithë personelit të shkollës.

Gjithashtu, kolegët e tij, si Florim Kryeziu, Bajram dhe Muzafer Kallaba, folën fjalë falënderuese për Agim Kallabën, duke e përshëndetur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e edukatës fizike. Në emër të familjes, vajza e tij, zonja Matjane Kallaba Dërmaku, përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi ata për mbështetjen dhe dashurinë që kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve për babain e saj.

Pensionimi i arsimtarit Agim Kallaba është një moment i rëndësishëm për të gjithë komunitetin e shkollës së Roganës, pasi ai ka lënë një gjurmë të madhe në zemrat e të gjithë atyre që kanë pasur fatin të jenë në kontakt me të gjatë kësaj periudhe të shkëlqyer të karrierës së tij. Ai do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një arsimtar i shkëlqyer dhe një njeri i dashur dhe i respektuar nga të gjithë./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja