17.5 C
Kosovo
17/09/2024

Në Roganë të Dardanës/Kamenicës përfundoi Turneu futbollistik “Rogana 2024”

Arkivi

Në një atmosferë spektakli sportiv, në Roganë të Dardanës përfundoi Turneu «Rogana 2024». Ndeshja finale ndërmjet ekipeve KF “Flaka” nga Muçivërci dhe ekipit “Mercedes ARDITI” nga Lipjani u përmbyll me rezultatat 3:2 për Lipjanin.

Ndonëse me vapë temperaturash të larta verore, për tri javë rresht, në Roganë të Komunës së Dardanës/Kamenicës, 32 ekipe bënë gara në kuadër të Turneut, tashmë, tradicional “Rogana”.

Ndeshja finale ishte, madje, një spektakël që tuboi rreth 6000 shikues, thonë organizatorët.

Në moderim të Ali Kryeziut, pas ekzekutimit të Himnit të Kosovës dhe atij kombëtar, finalja e turneut u hap nga kryetari i Komunës z. Kadri Rahimaj, i cili falënderoi rininë roganase për organizimin e suksesshëm të këtij turneu në kujtim të dëshmorëve Selver dhe Emin Kryeziu. Ai gjithashtu shprehu falënderimin e tij për mërgimtarët dhe për zhvillimin e sportit në komunën e tyre.

Kryetari Rahimaj gjithashtu falënderoi kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi, për mbështetjen e vazhdueshme të turneut dhe premtoi se edhe komuna do të vazhdojë ta mbështesë këtë turne edhe në të ardhmen. Në fund, kryetari Rahimaj dhe të gjithë pjesëmarrësit në turne uruan për suksesin e arritur dhe u inkurajuan të vazhdojnë të promovojnë sportin dhe solidaritetin në komunitetin e tyre. Fituesit u nderuan me çmime dhe medalje, ndërsa të gjithë lojtarët u inkurajuan të vazhdojnë punën e tyre në futboll dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.

Uverturën e finales e bëri ndeshja emocionuese mes ekipit të fëmijëve të klubeve KIKA nga Hogoshti dhe GS Gjilan, ku fitoi ekipi i KIKËS me rezultat 4:0, ndërsa ndër mysafirët e veçantë të pranishëm në këtë spektakël sportiv ishin doajeni i futbollit z. Muharrem Sahitaj, deputetja e KK Arta Bajralija, kryetari i Federatës Rajonale z. Armend Misini, mysafiri i përhershëm nga mërgata z. Besnik Thaqi, si dhe shumë e shumë mysafirë të tjerë nga mërgata dhe nga Komuna e Dardanës.

Vlen të ceket se gjatë gjithë turneut pati shikues të shumtë, sidomos të rinj e të reja të gjeneratës së tretë me qëndrim në Perëndim, por që pushimet e tyre i kanë akorduar pikërisht në kohën e mbajtjes së këtij turneu në Roganë.

Ekipet KF FLAKA nga Muçivërci dhe Mercedes ARDITI nga Lipjani u dëshmuan gjatë gjithë turneut për cilësi futbolli, saqë në garën finale hynë, pothuaj, të barabartë. FLAKA pati një tifozëri të theksuar e cila tërë kohën e mbështeti atë, por nuk munguan duartrokitje sportive edhe për futbollistët nga Lipjani. Rezultati final 3:2 për ekipin Mercedes ARDITI ishte edhe pjesë e fatit që fitorja dhe kupa e Turneut “Rogana 2024” të shkojë në Lipjan. Një përqafim miqësor i lojtarëve të të dy skuadrave ishte dëshmia dhe bujaria se sporti është aktiviteti më përbashkues i të rinjve.

Ky turne, si edhe më parë, ishte një shans i shkëlqyer për të rinjtë e komunës së Dardanës për të treguar talentin e tyre në futboll dhe për të promovuar solidaritetin dhe bashkëpunimin nëpërmjet sportit. Organizimi i këtij turneu tregon angazhimin dhe pasionin e komunitetit lokal për zhvillimin e sportit dhe promovimin e vlerave të mira nëpërmjet aktiviteteve sportive. Procesi i organizimit tregoi angazhimin dhe dashurinë e komunitetit lokal për zhvillimin e sportit dhe promovimin e vlerave pozitive në shoqëri.

Pos për finalistët, kupa dhe medalje u ndanë edhe për lojtarët e ekipeve të fëmijëve nga Klubi i Futbollit «KIKA» nga Hogoshti dhe “GS Gjilan” nga Gjilani. Ndeshjet e Turneut i referuan: Përparim Jakupi dhe Ermal Veseli. Po ashtu nga organizatori i turneut u shpërblyen: portieri më i mirë – Arbër Meluka, golashënuesi më i mirë – Mark Milica dhe lojtari më i mirë – Agon Llugiçi nga Lipjani. Me këtë rast u ndanë mirënjohje për Shërbimin Policor të Kosovës për mbajtje të rendit, për Qendrën e Mjekësisë Familjare për përkujdesjen mjekësore, për zjarrfikësit, si dhe për sponsorët e shumtë që ndihmuan realizimin e këtij turneu futbollistik, sidomos sponsori kryesor “Brinishta Group” nga Rogana. Me çdo respekt duhet falënderuar edhe pjesëtarët e stafit të realizimit të këtij turneu, siç ishin: Lirim Kryeziu, Gazmend Geci, Shehat Rudhani, Bujar Kallaba, Eron Kryeziu, Ali Kryeziu, Adonis Rrudhani etj./Xhevdet Kallaba/

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja