8.5 C
Kosovo
22/11/2024

Në Langental të Zvicrës ndërroi jetë Dr. Sami Dalipi (1962 – 2024)

Arkivi

Në spitalin e Langentalit të Zvicrës, më 16 qershor vdiq papritmas psikiatri dr. Sami Dalipi. Trupi i pajetë i dr. Samiut do të sillet për varrim në vendlindjen e tij – në Dobrosin të Komunës së Bujanocit. Varrimi bëhet më 19 qershor 2024 (e mërkurë), duke filluar nga ora 16 e 45 minuta.

Dr. Sami Dalipi, u lind më 25 janar 1962, në fshatin Dobrosin të Komunës së Bujanocit – Luginë e Preshevës.

 Dr. Samiu shkollimin fillor e kreu në vendlindjen e tij dhe vazhdoi në gjimnazin “Zenel Hajdini”, në Gjilan (1977-1981). Më  pas, ai vendosi të ndjekë studimet për mjekësi në Beograd të cilat i përfundoi në Universitetin e Kosovës, në Prishtinë (1983-1989).

Në vitin 1991, si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë në Kosovë edhe  Dr. Sami Dalipi u ballafaqua me fushatën e diferencimeve dhe kërcënimeve, që pasuan me përjashtimin e tij nga puna në Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan.

Pas kësaj situate dr. Samiu vendosi të emigrojë në Zvicër për të ndjekur ëndrrën e tij për të bërë karrierë në fushën e mjekësisë. Fillimisht, ai punoi si kamerier e infermier në spitale të ndryshme dhe në shtëpi pleqsh, duke treguar një devotshmëri të jashtëzakonshme ndaj pacientëve të tij.

Pas disa vitesh pune si infermier, mjek e kryemjek, Dr. Samiu vendosi të vazhdojë studimet e tij për psikiatri. Ato i përfundoi me sukses më 14 maj 2009, kur edhe mbrojti tezën e doktoratës me temën “Intervenimet integrative psikiatriko-psikoterapeutike tek pacientët me sindromë posttraumatike nga shtetet ballkanike”, në Universitetin e Bernës.

Nga viti 2010 filloi të punojë në ordinancën e vet private, duke ofruar shërbime të specializuara në psikiatri dhe psikoterapi. Ai shkëlqeu në rolin e tij si psikiatër dhe psikoterapeut, duke shërbyer me përkushtim e ndershmëri të lartë. Me një aftësi të jashtëzakonshme dhe zemër të butë, ai bashkoi copëzat e thyera të shpirtrave të shumë pacientëve, duke i ndihmuar ata të gjejnë shërim dhe qetësi.

Dr. Sami Dalipi qe anëtar i disa asociacioneve si: anëtar i plotfuqishëm i Shoqatës së Mjekëve të Zvicrës (FMH); anëtar i Asociacionit Evropian të Psikiatrisë dhe Psikoterapisë (EAPP); anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të Psikiatrisë dhe Psikoterapisë (WAPP); bashkëthemelues i grupit të ekspertëve për psikotraumatologji në Bernë dhe koordinator i Shërbimit psikiatrik për psikiatri urgjente në Kantonin e Lucernit.

Ai merrej aktivisht edhe me shkrime publicistike dhe profesionale. Ndërkaq me filozofinë e tij humaniste dhe bindjen e thellë për solidaritetin ndër njerëz, ai la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e atyre që e njohën dhe punuan me të.

Me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe një përkushtim të palëkundshëm për të ndihmuar pacientët e tij, Dr. Dalipi u bë një figurë e njohur në komunitetin mjekësor në Zvicër.

Megjithatë, fati i tij u ndërpre më 16 qershor 2024, kur ai ndërroi jetë papritur.

Dr. Dalipi la pas gruan – Ferdezen, dy djemtë: Shkëlqimin e Naimin dhe vajzën Laurën, si dhe nipa e mbesa, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë kontributin e tij në familje dhe në fushën e mjekësisë. Familja e tij, kolegët dhe pacientët do ta ndjejnë thellë mungesën e tij.

Me humbjen e tij, fusha e psikiatrisë dhe psikoterapisë humbi një nga figurat më të shquara dhe të respektuara. Dr. Sami Dalipi do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si një mjek i shquar dhe një njeri i mirënjohur për kontributin e tij në mjekësi. Kujtimi i tij do të jetojë përjetë në zemrat e atyre që e njohën dhe e respektuan atë.

Në këtë moment të dhembjes dhe mallit, ne përqafojmë familjen e tij me dashuri, duke e ngushëlluar sinqerisht dhe duke i dëshiruar forcë për tejkalimin e këtyre çasteve të vështira.

Lavdi e përjetshme për Dr. Sami Dalipin! /Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja