12.5 C
Kosovo
22/11/2024

Mbjellja e dashurisë për gjuhë e flamur, në Mërgatë

Arkivi

Gjatë një ndeje familjare, Faik R. Shabani, me banim në Mississauga të Kanadasë, rrëfeu, mes tjerash, edhe storjen rreth vendosjes së flamujve të Kosovës dhe atij kombëtar në një shkollë ku nipi i tij Deoni shkonte në një klasë parashkollore.

Deoni katërvjeçar kishte një kohë të gjatë që po e vizitonte kopshtin e fëmijëve, që prej moshës 18 muajshe. Tashmë ishte me katërvjeçarët dhe ambientimi me mësues e me nxënësit tjerë ishte i vetëkuptueshëm. Ai ishte tejet i shoqërueshëm, kështu që edhe integrimi në shoqëri të reja ishte fare i lehtë. Në këtë moshë katërvjeçare drejtoresha e sistemoi në një klasë me disa nxënës nacionalitetesh të ndryshme. Kishte meshkuj e femra. Deoni ishte mjaft aktiv. I interesonte gjithçka që e rrethonte në klasë, përkatësisht brenda rrethojës së shkollës. I tillë ishte edhe në shtëpi.

 

Një ditë prej ditësh, në shkollë kishte vërejtur një numër të madh flamujsh të shteteve të ndryshme. Në shtëpi kishte dy flamuj, për të cilët gjyshi Faik qysh moti i kishte treguar se njëri ishte i Republikës së Kosovës, kurse tjetri, kuq e zi, ishte flamuri kombëtar. Deoni ishte shumë i lidhur për ata flamuj. Shpesh i puthte, njësoj siç bënte edhe gjyshi Faik.

Ditën e radhës ai u ndal në hyrje dhe po shikonte nëse në mesin e gjithë atij grumbulli flamujsh do ta vërente edhe ndonjërin nga flamujt çfarë i kishte në shtëpi. I shikoi një për një dhe sërish filloi nga a majta në të djathtë, por asnjëri nuk i përngjante me flamujt e gjyshit. Sapo u kthye nga shkolla i shkoi gjyshit në prehër dhe i tha: gjysh, pse në shkollë janë gjithë ata flamuj, por asnjëri nuk i përngjet flamujve tanë. Kur dëgjoi gjyshi për këtë, e kapi një sëkëlldi. Si bëhet që të mungojë flamuri ynë aty, derisa të tjerët janë të pranishëm?!

Faik Shabani me qindra herë e kishte përdorë flamurin kombëtar në ballë të demonstratave ose aktiviteteve të ndryshme sportive në provincën e Ontarios dhe më gjerë në Kanada, për këto 35 vjet të qëndrimit të tij në Kanada. – Duhet të jetë ndonjë gabim, sepse drejtoria e shkollës nuk e bën qëllimshëm këtë lëshim. Sidoqoftë, atë natë, nuk bëri fare gjumë të rehatshëm. Iu duk se Deonit dhe popullit të tij po i bëhej një diskriminim në një shtet demokratik siç është Kanadaja.

 – Deon, nesër të dërgoj unë në shkollë, i tha nipit pak para se të shkonte në dhomën e tij të fjetjes dhe ia puthi sytë, duke e uruar për vëmendjen e tij ndaj këtij rasti. Të nesërmen, më herët se zakonisht, mori Deonin për dore dhe shkoi në shkollë. Drejtoresha u habit kur i pa se kishin ardhur më herët, ndaj iu drejtua Faikut. Zoti Faik, sot paskëshi ardhur më herët, keni gabuar orarin apo keni ndonjë arsye? Faiku, që zemra i kishte gufuar nga sëkëlldia, u përpoq të përmbahej, dhe me një qetësi artificiale iu drejtua drejtoreshës. – E nderuara zonja drejtoreshë, Deoni dje ka ardhur tejet i shqetësuar nga shkolla në shtëpi, madje sapo erdhi në shtëpi, më përqafoi dhe filloi të qante. U përpoqa ta qetësoja dhe të mësoja për shkakun e atij shqetësimi. – Në shkollën tonë valojnë të gjithë flamujt shokëve të mi, kurse për mua nuk është vendosur as ai i Kosovës dhe as ai kuq e zi me shqiponjën e zezë. U përpoqa ta qetësoja, duke i thënë se do ta bisedoj këtë çështje me Drejtorinë e shkollës. Prandaj, zonja drejtoreshë po ju lutem që ta vendosni së paku njërin flamur: atë të Republikës së Kosovës ose atë kombëtar. Drejtoresha shikoi flamujt një për një dhe nuk e pa asnjërin nga ata flamuj. – Ju lutem z. Faik a ka mundësi që të mos e bëni këtë çështje të madhe, kurse unë personalisht do të angazhohem që ky lëshim të evitohet, po ju premtoj.

Pas disa ditësh, drejtoresha i kishte vendosur të dy flamujt shqiptarë: atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, përkatësisht flamurin kombëtar. Deonit i kishte rënë menjëherë në sy ai ndryshim. Me të ardhur në shtëpi i ishte afruar gjyshit në vesh: – gjysh e kam një risi për ty. – po, i tha gjyshi – ma thuaj! Sot jam tejet i lumtur, sepse në shkollë, bashkë me flamujt tjerë po valojnë edhe dy flamujt tanë, madje ngjitas njëri me tjetrin.

Gjyshi Faik e kishte përqafuar Deonin dhe e kishte lutur që të nesërmen të shkonin bashkë në shkollë. Ashtu dhe u bë. Sërish ishin nisur më herët, por kësaj radhe kishin ndaluar në shitoren e luleve për të blerë një buqetë lulesh. Shitësen e luleve e kishte lutur që t’ia formësonte një tufë lulesh në vlerë prej rreth 50 dollarësh. Deonin e kishte lutur që këtë buqetë ai vetë t’ia dorëzonte drejtoreshës, në shenjë falënderimi për vendosjen e flamujve shqiptarë në shkollë dhe për respektimin e dinjitetit tonë kombëtar. Nga dyqani i luleve kishin vazhduar drejt e në shkollë. Sapo hynë në korridor takuan edhe drejtoreshën e cila e përshëndeti Faikun për dore, kurse Deonin e përkëdheli në kokë.

– Mirë se erdhët z. Faik. A po i shihni flamujt, ngarendi drejtoresha ta njoftonte gjyshin simpatik. – Po zonja drejtoreshë, prandaj edhe erdha sot që t’ju përgëzoj për këtë gjest. Madje, me dëshirën e Deonit, sot blemë edhe këtë buqetë lulesh që ju dedikohet juve. – Vav, një buqetë kaq të madhe, me gjithë këtë asortiment lulesh, nuk e kam marrë as ditën e martesës sime, shprehu ngazëllimin e saj drejtoresha. Ju falënderoj tej mase, tha ajo dhe përqafoi përzemërsisht Deonin, prej të cilit sapo pranoi buqetën e luleve që ishte gati sa gjysma e trupit të tij.

Pasdite, në të kthyer në shtëpi, gjyshi Faik e mori Deonin dhe shkuan në një ëmbëltore. – Deon, mund të porositësh çfarë të duash për të ngrënë. E ke shpërblim për reagimin tënd për vendosjen e flamujve tanë shtetërorë e kombëtarë bashkë me flamujt tjerë në shkollë. Pra, duhet ta mbash në mend se gjithçka që të takon ty duhet ta kërkosh dhe ta realizosh kërkesën tënde. Ishte krenar për këtë symprehtësi të Deonit.

Pasioni dhe dashuria e prindërve ndaj simboleve kombëtare ka rezultuar me këtë reagim të katërvjeçarit, Deon Shabani, që është edhe një porosi jetësore.

Tregoi: Faik Shabani (shënoi: Xhevdet Kallaba)

Mississauga, 20 mars 2024

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja