“NJË FJALË SA NJËQIND FAQE LIBRI” – nga përurimi i librit “Enciklopedia imagjinare” i prof. dr. Bajram Kosumit
Më 13 shkurt, në Bibliotekën “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë u përurua me madhështi libri i Bajram Kosumit «Enciklopedia Imagjinare», në praninë e një numri të madh të dashamirësve të fjalës së shkruar: krijues, profesorë, studentë dhe intelektualë nga Prishtina dhe qytete të tjera të Kosovës.
Ky libër, i cili është një zhanër i veçantë letrar i mbiquajtur postroman, është një kontribut i vlerësuar në letërsinë shqipe.
Prof. dr. Bajram Kosumi, autor i njohur dhe i respektuar, ka punuar me përkushtim dhe pasion për më shumë se 40 vjet për të sjellë këtë libër në dritë. Ai shprehu se e vetmja kënaqësi për ta shkruajtur këtë libër ka qenë mundësia për të eksploruar dhe thelluar kuptimin e fjalëve në mënyrë të thellë dhe origjinale. «Një fjalë – sa njëqind faqe libri» është një koncept që Kosumi e ka përdorur si udhërrëfyes në këtë udhëtim letrar. Ai ka kërkuar të gjejë fjalë a frazeologji që një fjalë e ka kuptimin sa 100 faqe, si p.sh. fjala «arrë», «katran», «paga e shqiptarit» etj, etj.
Ideja për këtë libër i lindi Kosumit gjatë kohës së vuajtjes së burgut në Nish, ku ai u përball me sfidat e jetës dhe u detyrua të kërkonte kuptimin e thellë të fjalëve dhe të jetës. Ky libër është një reflektim i këtyre përvojave të rënda dhe i punës së palodhshme të Kosumit për të zbuluar dhe shprehur kuptimin e thellë të fjalëve.
Në promovim, Agim Vinca, Merxhan Avdyli dhe Ag Apolloni folën me respekt dhe admirim për punën e Kosumit. Ata e vlerësuan lart kontributin e tij në letërsinë shqipe dhe theksuan rëndësinë e këtij libri si një vepër e rëndësishme letrare.
Në paraqitjen e tij, prof. dr. Agim Vinca tha se teksti është i radhitur në dy kolona si në enciklopedi dhe shoqërohet jo rrallë edhe me fusnota si në veprat shkencore. Ai tha se kjo vepër që dekonstrukton traditën e zhanrit; roman-fjalor, roman-enciklopedi, zbulim apo risi, as njëra – as tjetra, por thjesht është një vepër letrare me përmbajtje e strukturë të mëvetësishme, për të mos thënë edhe krejtësisht origjinale. I tillë është edhe kompozicioni i kësaj vepre. Profesor Vinca tha se veprat letrare në formë të fjalorit nuk janë të panjohura në botë dhe pjesërisht as nga ne, duke marrë si shembull shkrimtarin amerikan Embrouz Birs që u bë i njohur me veprën e tij në formë fjalori, me titull “Fjalori i djallit” (botuar më 1911).
Padyshim, ka edhe shumë të tjera vepra në formë fjalori, por Bajram Kosumi e ndërton godinën e vet letrare me materialin e tij, dhe sipas konceptit të vet për artin dhe letërsinë, që është në thelb koncept postmodern, vazhdoi me fjalën e tij prof. Vinca.
Enciklopedia e Kosumit edhe mund të lexohet ndryshe nga librat e zakonshëm, pra, jo në mënyrë konvencionale – nga faqja e parë tek e fundit, siç lexohen zakonisht librat, sidomos romanet, por edhe duke nisur nga fundi a mesi për t’u kthyer sërish në pjesët tjera të rrëfimit. Hapni ku të doni këtë libër dhe do të gjeni diçka interesante që do t’ju nxis ta vazhdoni aventurën e leximit!, porositi të pranishmit profesor Vinca, përmes një fjale shumë përmbajtjesore në përurimin e librit të Bajram Kosumit “Enciklopedia imagjinare”.
Nga ana tjetër, ish-bashkëvuajtësi i burgut me Bajram Kosumin, prof. dr. Merxhan Avdyli:
duke e parë veprën e Bajram Kosumit, si të tillë, tha se patjetër që ndërlidhjet dhe fërkimet, por edhe ndikimet jo esenciale të shpien deri te përpjekja artistike letrare e Kosumit për ta krijuar një amalgamë imagjinare të komedisë hyjnore të Aligierit “Totaliteti përtejtokësor dhe përtejjetësor” dhe të komedisë njerëzore të Balzakut “Totaliteti tokësor dhe jetësor”, që do të mund të quhej komedia ishullore e Bajram Kosumit “Totaliteti aligerian dhe ai balzakian”, sepse fakti i përgjithshëm i ishullarëve të tij, i mirë dhe i keq, fatsjellës dhe fat-humbës përvijohet në të gjitha shkronjat e enciklopedisë imagjinare, renditja e të cilave është alfabetike, por gjithmonë me një sinkroni dhe diakroni asimetrike.
Ishullarëve të Kosumit nuk u mungon asgjë – as lindja, as vdekja; as drita, as errësira; as dija, as mosdija; as besa, as tradhtia; as gëzimi, as hidhërimi; as bekimi, as mallkimi; as liria, as robëria – një gjithëpërfshirje e të bëmave dhe të pabëmave njerëzore, një totalitet kozmologjik, do të thoshim, vlerësoi z. Avdyli.
Autorëve të deritashëm u ka munguar Homeri e Aligieri, u ka munguar Balzaku e Tolstoi, u ka munguar Borhesi e Markezi, madje edhe Kadareja u ka munguar ishullarëve. U ka munguar deri tash edhe Bajram Kosumi, por tash e kanë; e kanë bashkë me enciklopedinë e tyre të plotë, në skica, në sprova, në tregime, në novela, në romane, në fakt në një postroman që do ta quanim me emërtimin – Libri i Kosumit, tha mes tjerash në fjalën e tij Prof. dr. Merxhan Avdyli.
Ndërkaq shkrimtari Ag Apolloni la një dilemë të hapur duke thënë se postromani i Bajram Kosumit nuk e di se ku mund të kategorizohet, pra është një sfidë gjatë leximit, por mendoj se si postroman – autori e ka pasur fjalën për diçka që nuk lidhet me romanin, por që vjen pas romanit; s’e kemi të qartë pas cilit roman, por është një ngacmim, një provokim nëpërmjet kategorisë zhanrore, sepse nuk është antiroman, nuk është nuovoroman dhe ajo që do t’ju tërheq vëmendjen është mbledhja e informacionit, eleganca e librit, eleganca e informacionit, eleganca në stil, për çka unë e përgëzoj autorin, ishte mesazhi i Ag Apollonit.
Sidoqoftë, «Enciklopedia Imagjinare» është një libër që sfidon lexuesin të mendojë përtej kuptimit të përditshëm të fjalëve dhe të zhytet në thellësi të reja të kuptimit. Ai është një testament i fuqisë së fjalës dhe i aftësisë së saj për të komunikuar ide dhe përvoja të thella dhe komplekse.
Kosumi, me këtë libër, ka dhënë një kontribut të çmuar në letërsinë shqipe, duke na kujtuar se çdo fjalë ka një histori të sajën, një kuptim të thellë dhe të pasur, dhe se letërsia është një mjet i fuqishëm për të zbuluar dhe shprehur këto kuptime. «Enciklopedia Imagjinare» është një libër që do të kujtohet dhe do të vlerësohet për shumë vite./Xhevdet Kallaba/
- Advertisement -
- Advertisement -