Piktorët prof. Hajrush Fazliu dhe studentja e tij Amire Demolli, nderuan vendlindjen e tyre dhe manifestimin Flaka e Janarit 2024 në Dardanë/Kamenicë me ekspozitën e tyre personale e profesinale.
Në zemrën e Dardanës buzëqeshjet e artit dhe frymëzimit shpërthejnë të pandaluara, ndërsa manifestimi «Flaka e Janarit 2024» në Dardanë/Kamenicë pasurohet edhe me një aktivitet befasues që derdhet mbi këtë vend simbolik, po aq i lashtë sa i gjallë në kultura dhe tradita. Ishin piktorët e njohur dardanë, Prof. Hajrush Fazliu dhe studentja e tij e talentuar zonja Amire Demolli, që sollën një freski artistike me ekspozitën personale të organizuar në kuadër të këtij manifestimi.
Moderatorja e mbrëmjes, zonja Lidiona Marovca dha një historik të shkurtër të rrjedhës së manifestimit të Flakës së Janarit dhe qëllimit të këtij manifestimi, duke sinkronizuar edhe diskutimet e folësve rreth këtij aktiviteti kulturor, për t’ia dhënë fjalën më pas kryetarit të Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimajt.
Gjatë përshëndetjes së tij, ai nuk kurseu fjalë lëvdatash për kontributin e Fazliut dhe Demollit në zhvillimin e kulturës lokale dhe promovimin e artit figurativ dardan.
“Ne po takohemi në shtëpinë tonë, e bashkë po na bëjnë njerëzit tanë, si: prof. Hajrush Fazliu, zonja Amire Demolli e publicisti z. Halil Matoshi, që gjeneza e tyre, e gjithçka, rrjedh nga Kameinca. Jemi të nderuar që ekspozita e sotme po zhvillohet në kuadër të manifestimit të Flakës së Janarit, ndërsa ne nuk bën të harrojmë një të vërtetë, që shumë pak e sjellim në mes nesh, e sjellim në shoqërinë tonë, që një qytezë e vogël si Kamenica, por me zemër të madhe të plot njerëzve, që nëse e ndajmë periudhën nga viti 1940 – 1999 ne gjejmë shumë veprimtarë, shumë patriotë e shumë heronj që ka dhënë Kamenica.
Është qytezë e vogël por që krahasohet me veprimtarë të shumë qyteteve të tjera që dhanë jetën për lirinë e kombin shqiptar.
Kjo ekspozitë me shumë piktura, me shumë ngjyra, që i jep kuptim edhe më tutje manifestimit të Flakës së Janarit, i jep edhe më tutje kuptim edhe lirisë sonë të përbashkët, që njerëzit e Flakës së Janarit dhe gjithë veprimtarët, edhe të luftës së fundit të UÇK-së, na bëjnë të ndihemi krenarë”, tha mes tjerash z. Rahimaj.
Është për t’u vlerësuar lartë vullneti i bashkëvendësve tanë piktorë, që punimet e tyre unike i ekspozojnë pikërisht këtu, në vendin ku kanë frymëzuar shpirtin dhe penelin e tyre.
Kuratori i ekspozitës, Halil Matoshi, na udhëhoqi në një udhëtim imagjinar përmes tablove spektakolare që i kemi përpara.
“Jemi sot këtu me shiju tablotë spektakolare të mjeshtrit Hajrush Fazliu, sikur del ylber mbi Dardanë dhe në bashkëdyzim me shtojzovallet e kështjellave, krijojnë kompozicione unike dhe mahnitëse, një kozmogoni (lindje e gjithësisë) dhe krijon një yjësi të re dhe krahas tij, shkrimjen e ornamenteve mitike me realitetin, të Amire Demollit, dy piktorë që frymëzohen nga koloriti lokal duke u dhanë tablove të tyne forcë universale shprehëse”, u shpreh z. Matoshi para artdashësve dardanë.
Përndryshe, çdo pikturë e Hajrush Fazliut dhe Amire Demollit është një tregim përjetësie, një portret pasioni dhe i pandarë nga historia dhe kultura jonë e larmishme.»
Tek shëtisnim me sytë mbi pikturat, mysafirët u përfshinë nga melodia e butë e pianos që përcillte në sallë. Ishte Hysnije Latifaj, pianistja e re e talentuar, e cila me ekzekutime muzikore të zgjedhura veçmas për këtë mbrëmje, krijoi një atmosferë magjepsëse. Nga nota klasike tek ato bashkëkohore, ajo ndërthuri universin e muzikës me atë të vizualit, duke ofruar një përvojë gjithëpranuese artistike.
«Flaka e Janarit 2024» do të mbahet mend si një festival që shndriti përmes krijimtarisë dhe pasionit të dy artistëve dardanë dhe të gjithë atyre që kontribuuan për të bërë këtë edicion kaq mbresëlënës. Kënaqësi më vete e këtij manifestimi ishte unifikimi i komunitetit lokal dhe vizitorëve nga larg e afër nën ombrellën e artit që kishte shpërthyer në spektrin e tij piktural, muzikor dhe letrar, duke treguar qartë se Dardana ka ende shumë për të dhënë në skenën kulturore.
Ekspozita do të vazhdojë të mbetet e hapur deri më 26 janar, në sallën e kulturës «Isa Kastrati» në Dardanë /Kamenicë, duke u mundësuar dashamirësve të artit të ruajnë këtë përvojë dhe të dëshmojnë vlerat e papërsëritshme që dy artistë dardanë kanë sjellë në skenën artistike lokale dhe ndërkombëtare.
Edhe prof. Hajrush Fazliu, por edhe zonja Amire Demolli u shprehën falënderues si për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, po ashtu edhe për pjesëmarrësit artdashës të kësaj ekspozite.