Tryeza e Flakës së Janarit – Shpirti i Atdhetarisë dhe Krijimtarisë në Dardanë
Një frymë e re dhe një hov i rinovuar u shfaq në Dardanë me organizimin e Tryezës së Flakës së Janarit 2024, ngjarje e cila ka zbukuruar tashmë për 32 vjet kalendarin kulturor të Gjilanit dhe që, në tri vitet e fundit, ka ndezur zemrat dhe ndërgjegjen qytetare edhe në Dardanë/Kamenicë.
Organizuar nga Klubi letrar Nositi dhe nën patronatin e kryetarit të Komunës, z. Kadri Rahimaj, tryeza e këtij viti pati për qendër trajtimin e jetës dhe veprimtarisë së dy figurave të shquara atdhetare – Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Në këtë takim simbolik, të cilin e përshëndeti edhe i pari i Komunës, z. Kadri Rahimaj, u përurua njohja dhe nderimi ndaj këtyre dy personaliteteve, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë politike dhe shoqërore të Kosovës.
Panelistët si: dr. Mentor Hasani, shkrimtari Sabit Rrustemi, dr. Sadri Ramabaja dhe prof. dr. Sabile Keqmezi-Basha (kumtesën e së cilës e lexoi prof. Nexhat Rexha), sollën për të pranishmit biografi të detajuara dhe rrëfime mbi veprimtarinë e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, duke zbuluar faqe të panjohura të jetës së tyre ndërsa përshkruanin kontributin e tyre në luftën për liri dhe pavarësi.
Në shtjellimin e kumtesës së tij, dr. Mentor Hasani paraqiti kronologjikisht rrjedhën e zhvillimeve historike të Kosovës si pjesë e okupuar disa herë nga Serbia, por edhe si pjesë përbërëse e ish- Jugosllavisë. Ai përmendi edhe shumë emra veprimtarësh që u vunë në ballë të një ngrehine të re politike për pozitën e Kosovës, si: Adem Demaçi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, vëllezërit Bajrush e Emrush Xhamajli, Berat Luzha, Nahit Hasani e të tjerë (shpresoj që pa qëllim u harrua kryepatrioti dardanas Metush Krasniqi) që synim kishin Republikën e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.
Nga ana tjetër, Sabit Rrustemi vendosi në një perspektivë historike ecurinë e Flakës së Janarit, që nga edicioni i parë që u mbajt në xhaminë e Bresalcit më 18 janar 1982.
Kjo ngjarje tradicionale ka qenë gjithmonë një reflektim i përbashkët i spektrit politik të Kosovës. Vend meritor për realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore z. Rrustemi u dha edhe krijuesve dhe aktivistëve kulturorë të kohës, si: Beqir Musliu, Isa Jakupi, Izet Kallaba e sidomos profesori i muzikës z. Xhevat Ismajli, si promotor të kësaj nisme kulturore, që, më vonë, Gjilanin do ta bëjë të njohur në gjithë hapësirën shqiptare. Në frymën e bashkimit dhe kujdesit ndaj trashëgimisë kulturore, Sabit Rrustemi propozoi që Flaka e Janarit të mbahet në të ardhmen nën patronatin e Presidencës së shtetit, një hap i rëndësishëm që do të theksojë rëndësinë e saj dhe do të bartë mesazhin e saj atdhetar akoma më larg.
Dr. Sadri Ramabaja, në mënyrë të veçantë, foli për pjesëmarrjen e Nuhi Berishës si një ndër organizatorët kryesorë të përvjetorit të parë të demonstratave të 11 marsit 1982. Dr. Ramabaja për të pranishmit ndau fragmente konkrete të veprimtarisë së Nuhi Berishës e Rexhep Malës pjesë përbërëse e të cilëve ishte edhe ai vetë, pa harruar edhe frymëzimin që e merrnin këta patriotë nga pararendësit e tyre nga periudha të mëhershme. Kjo inerci atdhedashurie e kishte trimëruar edhe vetë Sadri Ramabajën që të krijonte një celulë veprimtarie ilegale me miqtë e tij: Emin Azemi e Ahmet Hasani, për t’iu bashkëngjitur pastaj edhe Sinan Sadiku etj, më vonë, që të gjithë, bartës të aktivitetit të dendur politik në LPK-në e viteve 1987/1988.
Rikujtimi i mënyrës së arrestimit të aktivistëve dhe përdorimi i metodave më brutale ndaj tyre për zbulimin e fijeve të celulave edhe sot e kësaj dite mbetet vragë e thellë në shpirtin e personazheve të drejtpërdrejta, por edhe të bashkëkohanikëve të tyre, ndër të cilët kishte të pranishëm edhe në këtë tryezë të Flakës së Janarit 2024 në Dardanë/Kamenicë.
Edhe kumtesa e dr. Sabile Keçmezit- Bashës konsistonte në 40-vjetorin e rënies për liri të patriotëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha si binom i plotësuar me njëri-tjetrin për frontin e përbashkët të luftës së gjakosur ndër shekuj, për çlirimin e Kosovës së robëruar.
Përsëritja e historisë tek ne paraqet një brengë të vazhdueshme të historianes Keçmezi-Basha, duke zënë në gojë gllabëruesit e shumtë që i rrethojnë trojet tona.
Ndonëse kumtesat gërshetonin biografitë e këtyre dy figurave, çka reflektonin për gjatësinë e tyre, sidoqoftë gjatësia e kumtesave të përmbushura me brumë të shëndoshë të veprimtarisë së patriotëve Mala e Berisha nënkupton seriozitetin e kësaj tryeze brenda manifestimit të Flakës së Janarit.
Për të ndjekur këtë tryezë, përveç intelektualëve të shumtë të Komunës së Dardanës/Kamenicës, kishin ardhur mysafirë edhe nga Gjilani, Bujanoci e vende të tjera. Moderoi Erëblina Haxhiu.
Në ndërkohë, Flaka e Janarit vijon të flakërojë, jo vetëm me flakën e saj të nxehtë të janarit, por edhe me shpresat dhe idetë që ndriçojnë rrugën e gjeneratave të ardhshme të shkrimtarëve, poetëve, eseistëve dhe atdhetarëve. Dhe ndërsa reflektimi mbi veprën dhe jetën e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës zë vend qendror, mesazhi i përvjetshëm mbetet i qartë: kujtesa dhe përkushtimi janë fuqitë që krijojnë të ardhmen. /Xhevdet Kallaba/
- Advertisement -
- Advertisement -