8.5 C
Kosovo
22/11/2024

Në dyzetvjetorin e rënies heroike të atdhetarëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha: Dy GURËT e shtetndërtimit

Arkivi

Sot, kur përkujtojmë 40-vjetorin e rënies heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, ndjejmë përsëri atë ndjenjë respekti dhe krenarie që mantelohet në shpirtin e çdo shqiptari që aspiron për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar. Ecuritë e tyre tronditëse, të mbartura me sakrifica dhe përballje ndaj regjimit serbojugosllav, janë përsosur në një frymëzim të pashtershëm për të gjithë ata që i janë përkushtuar shtetkërkimit dhe shtetndërtimit.

Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha u lindën dhe u rritën në një kohë kur aspiratat kombëtare shqiptare po formoheshin dhe merrnin pamje nën udhëheqjen e patriotëve dardanë si Metush Krasniqi, Gjon Serreçi, Adem Demaçi e të tjerë, të cilët ishin të përkushtuar në shkollimin dhe formimin e idealit për liri dhe pavarësi. Mendimet dhe veprimtaritë e këtyre burrave u bënë krijesa e një kulture rezistence që do të gjendej në zemrat e shumë brezave pasardhës.

Gjatë viteve ’70, burgosjet e Rexhep Malës forcuan edhe më shumë nismën dhe vullnetin e palëkundshëm për të qenë të lirë dhe të barabartë me popujt e tjerë të atëhershëm të Jugosllavisë. Ai, nëpër qelitë e errëta të burgut, jo vetëm që i përjetoi tragjeditë e ashpërsitë e regjimit, por edhe i shihte dhe i ndjente në thellësi të zemrës së tij deformitetet dhe padrejtësitë e shumta që vazhdimisht u bëheshin shqiptarëve.

Përjetimi në burg, ku konfrontimi me të vërtetat e hidhura ishte i pashmangshëm, veçse e thelloi vendosmërinë e tij për të vazhduar rrugën drejt lirisë. Në atë ambient represioni dhe kontrolli, Rexhepi i shndërroi dhimbjet dhe pështjellimet në motive që iu servuan atij dhe shokëve të tij si pije e fortë frymëzuese.

Tek Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, sakrifica ishte një vendim i vetëdijshëm dhe i heshtur; ata nuk kërkonin as rrugëdalje në famë e as ta shpëtonin veten nga dhuna që iu bë një populli të tërë. Ata ishin vizionarë që kuptonin se liria nuk duhet të ishte e kushtëzuar dhe se aspiratat kombëtare nuk parapëlqejnë kushte të imponuara nga të tjerët, e sidomos nga pushteti terrorizues.

Kështu, në natën mes 11 e 12 janarit 1984 këta dy viganë ranë heroikisht në betejën për ndërtimin e “godinës urë” të një shteti natyral shqiptar në ardhje. Ranë të dy bashkë për të qenë shembull i një përbashkësie të përgjithshme mbarëshqiptare.

Në këtë 40-vjetor, le t’i kujtojmë me lavdi të përjetshme Rexhep Malën e Nuhi Berishën! /Xhevdet Kallaba/

PS: Në album – disa foto kujtimi nga 11 janari i vitit 2003

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja