8.5 C
Kosovo
22/11/2024

Shefki Abazi – një jetë mes dy Abazëve

Arkivi

GJURMËVE TË TRADITËS ATDHETARE NË ROGAÇICË – SHEFKI ABAZI

Në kalimin e shekujve dhe stuhive të historisë, shqiptarët kanë dëshmuar shpirtin e tyre të palëkundur në udhëkryqet e fatit. Jetët e tyre, shpesh të shkruara në faqe të arta dhe të errëta të historisë, japin dëshmi për heroizëm, sakrifica dhe një dashuri të pakomprometueshme ndaj atdheut. Një nga këto jetë është ajo e Shefki Abaz Kryeziut, një personalitet që falë jetës së veçantë dhe kontributit të tij, reflekton temën e thellë «Jeta mes dy Abazëve», një rrëfim për traditë, identitet dhe ndërgjegje kombëtare.

Shefki Abaz Kryeziu u lind më 1903 nga babai Abazi dhe e ëma Selvia, që ishte halla e Xhepë Beqir Dërmakut nga Shipashnica e Epërme, në një kohë kur valët e historisë sapo kishin filluar të formonin konturet e gjeneratës së re shqiptare. Fatkeqësisht, babai i Shefkiut u vra gjatë shërbimit ushtarak turk në Sanxhakun e Manastirit, mbase në fillimgusht të vitit 1903 kur në Manastir kishte plasur kryengritja e Ilindenit. Në po të njëjtin vit kishte lindur Shefkiu, duke lënë kështu Abazi pas vetes jo vetëm një familje të shkujdesur, por edhe një legjendë që do të bëhej shtysa për të birin.

Në këtë tablo luftërash dhe sakrificash, Shefkiu u rrit pa praninë e një figure BABA të cilën vetëm sa mund ta ëndërronte. Mes dy Abazëve – të atit që kurrë nuk e njohu dhe djalit të vet, të cilin e emërtoi po ashtu Abaz – Shefkiu i gjeti vetes rrugën jo vetëm të mbijetesës, por dhe të afirmimit si një individ që u përshtat dhe u ngrit mbi kushtet e kohës. Rritja pa babë e poqi dhe e pavarësoi qëherthi, duke e bërë autodidakt dhe luftarak për mësimin e të vërtetave kombëtare.

Luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore e gjetën Shefkiun në një moshë ende të re, por efektet e tyre në formimin e tij ishin transformuese. Lufta nuk ishte vetëm një sfidë ekzistenciale, por edhe një portë përmes së cilës karakteri kombëtar u ndërtua dhe u kalit. Shefkiu iu bashkua përpjekjeve për të ruajtur dhe për të ngritur kulturën dhe identitetin shqiptar, duke e gjetur veten të angazhuar në atë që shpeshherë quhet «Koha e Shqipnisë» (1941-1944). Në këtë periudhë kur shkollat dhe administrata në Kosovë udhëhiqeshin në gjuhën shqipe, ai përjetoi një ndjenjë krenarie dhe përkushtimi ndaj kauzës kombëtare.

Si jatakgji i kësaj kauze, Shefkiu u lidh me patriotët e asaj kohe të NDSH-së si Gjon Serreçi, Xhepë Shipashnica, Lam Breznica etj. Këta individë ishin fara e një qëndrese kombëtare, përhapës dhe ruajtës të vlerës së pavarësisë shpirtërore dhe politike të Shqipërisë. Marrëdhëniet e Shefkiut me këto figura përcaktonin jo vetëm rrugët e politikës, por edhe skema të mbijetesës në një kohë ku presioni i shtetit mund të ishte i paparashikueshëm dhe shpeshherë fatal.

Një nga veprimet më të guximshme dhe më kontroverse të Shefkiut ishte bindja e Xhepë Shipashnicës për t’iu dorëzuar pushtetit të atëhershëm e për ta shpëtuar familjen nga presioni i shtetit, e cila, madje, ishte bllokuar nga jeta publike, duke u penguar edhe për furnizime me ushqim. Ai akt ishte një goditje ndaj prestigjit të vet, por gjithashtu tregoi një lloj pragmatizmi dhe sakrifice për të mbijetuar dhe për të mbrojtur të dashurit e tij në një situatë të vështirë politike dhe sociale. Po të njëjtën kohë me kërcënim të njëjtë u dorëzuan edhe Lam Breznica e Hysen Zhuja (marrë nga intervista e Shefkiut dhënë prof. Tefik Gecit, më 28.11.1992 në Roganë).
Dorëzimi i Xhepës përcakton një moment historik, një veprim, që teksa u regjistrua në faqet e ngjarjeve të asaj kohe, e që lë pas mijëra pyetje dhe mësime për brezin e sotëm. (Për këtë temë në ndonjë artikull të radhës) /Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja