Këto ditë doli nga shtypi libri i dytë me poezi «Këmishë e bardhë» i autores Minivere Muja – Maka, botuar nga shtëpia botuese «Lena Graphic» në Prishtinë.
Titulli i librit me poezi «Këmishë e bardhë» është i ngarkuar me simbolika të pastra dhe të thella, ku bardhësia simbolizon fillimin, thjeshtësinë dhe thelbin shpirtëror të krijimtarisë së poetes Minivere Muja Maka. Botuar nga «Lena Graphic» në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2023, ky libër përmban 52 poezi të ndara në tri cikle që sjellin në vijimësi ndjenjat, mendimet dhe përvojat e autores.
Falë përgatitjes profesionale të autores, si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, redaktorja Selvije Vllasi – Kadriu, recensuesi Hajdar Fejzullahu dhe lektorja Ylberza Z. Halili e kishin më të lehtë punën e tyre në këtë libër.
Minivere Muja Maka është një zë i njohur në botën e letërsisë në komunën e Dardanës, dhe jo vetëm, dhe vepra e saj më e re dëshmohet si vazhdim i një tradite të begatë të angazhimit ndaj shoqërisë, të cilin ajo pret të jetë reciprok dhe i bazuar mbi respektin ndaj punës dhe dashurisë që autorja ia ofron shoqërisë. Libri pasqyron një lloj pritjeje – autorja anon ta përçojë mesazhin që çdo akt kontributi ndaj shoqërisë, ndaj njerëzve të dashur, ndaj nxënësve dhe më gjerë, meriton një vlerësim dhe mirënjohje.
Simbolikën e mbjelljes së dashurisë dhe angazhimit të saj për shoqërinë i shpreh në shumë poezi të ciklit “Fragment jete”. Ta zëmë te poezia “Në vazon e luleve” poetja shkruan:
“Në vazon e luleve mbolla copëzat e kujtimeve / I ndava në vite u fola për gjurmët e grisura/ Në vazon e luleve fala dashurinë e viteve/ E vetes i mora një varg të rënkimeve”…
Duke shpërfaqur rrugëtimin e saj jetësor, autorja lë për të kuptuar se shumëçka i ka mbetur peng në jetë, sidomos fjala e shkruar. Prandaj, në vargjet e saj plot shpresë ajo shkruan:
“N’bebzë t’syrit kam vënë lirikën time/ Do e shkruaj thashë një ditë/ Sa e bukur ishte rrëfenja/ Atë ditë që shijova lirinë”…
Një nga ciklet e veçanta në këtë libër është ai i titulluar «Ëndërr shprese», një hapësirë ku autorja shpalos ëndrrat dhe aspiratat e saj për një të ardhme të ndezur nga shpresa dhe ndryshimi. Ky cikël mund të lexohet si një shpullë e ngrohtë për lexuesin, duke ia përkujtuar që edhe pse sfidat e jetës janë të mëdha, shpresa gjithmonë duhet të mbijetojë.
“Ëndrra flet e gjumi s’të merr/ Kitara pa melodi ka tretë/ Hëna pret një rreze pas bjeshke/ Se fjala në gjysmë ka mbetë”…
Ndërsa, cikli i tretë i mban lexuesit të lidhur emocionalisht me kujtimet dhe ndjenjat që ngjallen nga «Loti i nënës». Ky segment i librit shpreh një përmallim të thellë për figurën mbështetëse të nënës, e cila me porositë e saj ka ndikuar në formësimin e autores si karakter, si mësuese, si nënë, si politikane dhe si poete e përkushtuar. Këto poezi janë një homazh për të gjitha nënat dhe rolin e tyre jetësor në formësimin e brezave të ardhshëm.
Në ndërdijen e autores shpërfaqet paragjykimi i gjeneratave të mëhershme për peshën e lindjes së vajzës si me më pak peshë në raport me djalin. Por, është nëna që i jep vendin e merituar vajzës, pa dallim ndaj djalit. Poezia “Më thanë” është çelësi i hapjes dhe i kyçjes së këtij paragjykimi, në të cilën poetja me mjeshtri e qëmton këtë temë me rrënjë të shtrira ndër gjenerata. Ja, edhe vargjet e kësaj poezie:
Më thanë se kur linda unë/ Gjysma e verës kishte ikur/ Edhe pak do fillonin shirat/ E brazdat për arën ugar.
Më thanë se gruri ishte i paktë/ E vogël kishte qenë lama në oborr/ Gjyshja kishte lëshuar një ofshamë/ Që oxhakut s’i erdhi një trashëgimtar.
Pushka qiellin s’e kishte qarë/ As qiparis nuk kishin mbjellë/ S’isha shtyllë e shtëpisë/ Por derë e huaj i kishin thënë mes dhimbjeve ASAJ.
E AJO në gjoks më kishte shtrënguar/ Lum e lum kishte thënë/ Në heshtje më kishte dhënë uratën/ Të jesh e bekuar moj pëllumbeshë!
Vepra e Minivere Muja Makës mund të konsiderohet si një pasuri letrare që synon të lë një gjurmë në shpirtin e lexuesit. Poezitë e saj janë një reflektim i ndjeshmërisë dhe i ndërgjegjes shoqërore, dhe për më tepër, ato janë një dritare drejt të menduarit dhe të ndjerit të thellë njerëzor.
Për lexuesin e sotëm, libri me poezi «Këmishë e bardhë» ofron një përvojë emocionale dhe intelektuale. Ky është libri i dytë me poezi i Minivere Muja Makës i shkruar mbi një thurje me mjeshtri të fjalës dhe të ndërgjegjes dhe mbetet një burim i frymëzimit për poetët e sidomos për poetet e reja.
Duke i uruar poetes Minivere Muja Makës suksese në veprimtarinë e saj të mëtutjeshme krijuese e falënderojmë për këtë dhuratë poezish në prag të Vitit të RI 2024!
Xhevdet Kallaba