-0.5 C
Kosovo
22/11/2024

Nga Arkivi: Studentët e Etnologjisë dhe trashëgimia kulturore në Roganë

Arkivi

Nga vizita e studentëve të Fakultetit filozofik – Departamenti i Etnologjisë në Prishtinë bërë Roganës, më 29 maj 2007

Të nxitur nga një shkrim i publikuar  në revistën periodike “Inforogana” nr. 2, ku paraqitet një shtëpi karakteristike e familjes së “Sinanëve” (mbase shtëpi e patriotit Selman Shehu – 1780 – 1848), por edhe të arritura të tjera, profesorët Dritë Statovci – Halimi dhe Ukë Xhemaj, përmes prof. Emin Krasniqit, kontaktuan botuesin e Inforoganës –Xhevdet Kallabën për të organizuar një vizitë në këtë fshat.

Në pritje të këtij grupi studentësh ishin edhe Salih Kallaba, Bajram Kallaba, Nexhat Rexha,  Sadri Kryeziu, Ruzhdi Kryeziu, Remzije Kryeziu, Nexhmije Kallaba, Ilaz Rrudhani, Enver Rrudhani, Avni Kryeziu, Florim Kryeziu etj.

 

Kështu, më 29 maj 2007, 27 studentë të vitit I dhe III të Departamentit të Etnologjisë pranë Fakultetit Filozofik, në Prishtinë, në shoqërim të personave të sipërpërmendur, vizituan fshatin Roganë. Grupi, fillimisht vizitoi lapidarin e ushtarëve Selver dhe Emin Kryeziu, të rënë në luftën e Kosovës (1999), pastaj u nisën drejt shtëpisë së familjes së Sinanve ku i priti pronari, Sadri Kryeziu dhe nëna e tij zonja Nafije Kryeziu e lindur në Muhoc dhe e martuar në Roganë. Zonja Nafije kishte njohuri rreth trashëgimisë së dokeve të shtëpisë shqiptare, çka nuk ngurroi t’u shpjegonte studenteve e studentëve për tema të interesuara rreth jetesës në fshat. Studentët dhe profesori hapën temën e festës së Shëngjergjit, ndërsa zonja Nafije u përgjigj në disa pyetje të studentëve.

E “Enjtja e Bardhë”

Tri të enjte para dhe tri të enjte pas Shëngjergjit (e Enjtja e Bardhë) nuk bën të lahemi, sepse na zbardhen flokët, thoshte zonja Nafije, ndërkaq ditën e Shëngjergjit nuk bën fare të punohet, madje as me therje (qëndisje) e asgjë tjetër, sepse të ha gjarpri. Nuk bën as të punohet sepse dhëmbin krahët, këmbët etj. Pasuan edhe shumë pyetje tjera, të cilave zonja Nafije u përgjigjej në saje të njohurive që kishte.

Shtëpi e dy periudhave të ndërtimit

Profesor Ukë Xhemaj, duke u shpjeguar studentëve për ndërtimin e kësaj shtëpie dykatëshe, në një qoshe të zhveshur nga suvatimi, vërejti se shtëpia, ndërkohë, ishte meremetuar. Ai tha se deri në fund të shekullit ’19 shtëpitë e tilla janë ndërtuar: në pjesën e brendshme të mureve është vendosur një gardh i lyer me llaç, kurse pas vitit 1900 muri punohej nga qerpiçët dhe lyhej me llaç dheu. Shpjegimi i tij përputhej me shpjegimin e pronarit të kësaj shtëpie të ndërtuar nga disa mjeshtër të Shipashnicës së Epërme rreth vitit 1850 dhe e meremetuar rreth vitit 1900 (shih Inforogana nr. 2).

Në vazhdim, në ambientin e kësaj shtëpie prof. Ukë Xhemaj mbajti një ligjëratë rreth ndërtimit të shtëpive që nga kohët primitive gjer në ditët e sotme: – Dikur, njerëzit kanë jetuar në kasolle të punuara nga druri e të mbuluara me kashtë, kallam ose gjëra tjera, varësisht prej vendit. Aty kanë jetuar njerëzit dhe kafshët. Më vonë evoluon ndërtimi i kasolleve nga një në dy kthina. Derisa ishte vetëm një kthinë, zjarri ishte në qendër dhe nuk kishte oxhak; porta ishte e vogël dhe njerëzit duhej të kërruseshin kur hynin; nuk kishte dritare. Si element mbijetese nga modeli i asaj kohe, sot kemi, të ashtuquajturat, stanet e dimrit në Bjeshkët e Nemuna (Alpet shqiptare) të punuara nga shpatulla druri, në formë rrethore, të cilat mbulohen me dushk ahu. Pra nuk kanë oxhak, por kanë vetëm një portë të vogël.

Kështu, siç u tha më sipër, evoluon zhvillimi dhe nga kasollja me një kthinë jeta vazhdon në kasolle me dy kthina. Tashmë jeta me bagëtinë zhvillohet ndaras, pra në njërën kthinë jetojnë njerëzit, kurse në tjetrën kafshët (bagëtia), por gjithnjë së bashku me bagëtinë brenda një kasolle. Zhvillimi evoluon edhe më tej dhe nga dy kthina njeriu ndërton kasollen (shtëpinë) me tri kthina. Kthina e mesme mbetet e zjarrit, kurse dy tjerat anash shërbejnë, njëra për familjen, kurse tjetra për bagëtinë.

Gjendja evoluon edhe më tutje, kështu që, varësisht nga terreni, shtëpisë i shtohet edhe një gjysmëkati, ose ndërron struktura lëndore e kasolles, prej gardhit fillon të punohet me qerpiç (tullë e papjekur). Dhe në vend të hunjve të gardhit, në muret e shtëpisë vendosen disa hatulla për ta lidhur konstruksionin e shtëpisë. Në këtë shtëpi hatullat janë të punuara nga druri i bungut që njihet për fortësinë e tij. Një hatull vendoset në pjesën e brendshme dhe një në pjesën e jashtme dhe ato lidhen mes veti me disa kushakë dhe nuk lejojnë që të hapen hatullat. E tërë shtëpia tashmë lyhet me llaç prej dheu. Në këtë zhvillim bagëtia nxirren për të jetuar jashtë shtëpisë në një hapësirë të veçantë e cila quhet pleme ose pojatë. Prej kësaj periudhe paraqitet shtëpia në kat; në vendet e pjerrëta janë ndërtuar shtëpi gjysmëkatëshe. Në katin e parë ku është gdhendur dheu është futur bagëtia, kurse në katin e dytë kanë jetuar familjarët. Me zhvillimin e mëtejshëm na paraqiten shtëpi me çardak, siç është kjo shtëpi. Këto shtëpi kryesisht ndërtohen në terrene të rrafshëta. Muret e katit të parë punohen nga qerpiçët, diku edhe nga guri, varësisht se çfarë lënde ka afër, respektivisht në çfarë zone gjendet shtëpia, dhe kati i dytë kryesisht punohet me dërrasa druri dhe shërben për banim.

Kati i parë në shumë vende shërben vetëm për bagëti, në disa vende për shtëpi zjarri. Këtu, në këtë shtëpi, kemi një kombinim: poshtë është shtëpi zjarri ku kanë qëndruar gratë, të cilat kanë kryer disa punë shtëpie, siç është gatimi, përpunimi i qumështit, djathit etj. Në këtë kat kanë qenë të gjitha almiset që duhen për të gatuar. Në këtë shtëpi roganase oxhaku është i punuar me një kulm, i cili quhet baxho e oxhakut (punishte e vogël, zakonisht afër staneve, ku mblidhet e përpunohet qumështi). Ky kulm varej në trarët e shtëpisë, pra nuk kishte bazament, kishte vetëm disa gurë dhe vazhdoi të çohej prej aty, dhe tymi dilte mbi pullaz jashtë. Në anën e kundërt të çardakut kemi bagëtinë ku shihet sërish jeta e përbashkët me kafshët. Në katin e sipërm është oda e burrave, pritja dhe dy hapësira për fjetje. Këtu pra kemi shtëpinë e tipit çardak. Çardaku është tip i shtëpisë së lehtë. Fjala çardak rrjedh nga turqishtja: pjesë e hapët, e rrethuar zakonisht me  parmakë dhe e shtruar me dërrasa, në katin e dytë të shtëpive të vjetra, që shërbente për të pritur miq ose për të ndenjur në verë; çardaku është faza paraprijëse e kullës, shpjegoi prof. Ukë Xhemaj para studentëve të Departamentit të Etnologjisë.

Më pas grupi i studentëve dhe profesorët vizituan edhe Tyrben e Roganës ku morën shpjegimet e duhura rreth ritit të vizitës së tyrbes, sidomos në natën e Shëngjergjit, nga zonja Imrije Kallaba.

Studentët u njoftuan nga afër edhe me një pjesë të fshatit Roganë, me  ç’rast u impresionuan nga zhvillimi i infrastrukturës së fshatit./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja