Komunikim mbi varrin e profesorit
Kohë më parë Ilmi Hysen Kryeziu nga Rogana ma dërgoi një letër dedikuar ish-profesorit të tij Ekrem Kallabës, të cilën po e botoj pikërisht në 15-vjetorin e ndarjes së Ekrem Kallabës nga kjo botë. (Xh. Kallaba).
Për ty profesor!
Sot pas disa vitesh ndarjeje fizike nga ju, erdha pranë shtëpisë Tuaj të përjetshme. Qenka e vërtetë se thellësinë e dashurisë e njohim vetëm atëherë kur po vika ora e ndarjes.
Profesori im, Ekrem Tefik Kallaba, për ty nuk kam lot, por kam shumë falënderime. Profesor, ti ke qenë si një burim i pashtershëm me ujë të pijshëm e të kthjellët si loti, që e shuan etjen ata njerëz që kanë pas nevojë. Gjithashtu ke qenë edhe yll i rrallë në hapësirën qiellore që afrove dritë e orientim për ata njerëz që e kanë kërkuar dritën edhe rrugën e jetës. Të urtit kanë thënë: pesha e qiellit edhe vlera e profesorit nuk mund të maten, kjo thënie qenka e vërtetë. Na mësove me urtinë, dashurinë e me ngrohtësinë më të ëmbël njerëzore.
Në ty takova të gjitha vuajtjet e dhembjet e vendit tonë. Zemra ime e vogël, hyri në zemrën tënde të madhe, duke kaluar rrugën e ndërtuar nga akademia e vuajtjeve. Takova në ty, në qenien tënde, burimin e butë e të njomë e të freskët të dijes, të aromës pranverore, të një njeriu të madh, që dhënien e pate gëzim e ndihmën e pate shërim. Jetës ia dite frymëmarrjen, gjithashtu njeriut ia njohe dhembjet.
Emri i profesorit shquhet në radhë të parë si njeri i fjalës, i punës, i dijes, i disiplinës. Prandaj edhe sot e kësaj dite mbahet gjallë e nderohet kujtimi për të.
Atdheu ynë i njohu vuajtjet deri në asht. Shumë punove pa përtesë, kurrë nuk i harruat këto përpjekje bamirësie dhe gjithashtu ishe mirënjohës. Sot atdheu ynë është i lirë falë atyre që ia dinin vlerën lirisë dhe dashurinë njerëzore, si Ju. Sot, në moshën mbi 80-vjeçare, jam shumë i lumtur e njeri me shumë fat që të pata profesor, që e ndjeva frymën e shpirtit të përndritur e që do të jetojë gjithmonë në mua.
Dashurinë duhet ta kërkojmë gjithkund, madje edhe në Planet, e kur ta gjejmë duhet ta ruajmë si sytë e ballit.
Rogoçicë, fundgusht 2023
Ilmi Hysen Kryeziu, pensionist
- Advertisement -
- Advertisement -