8.5 C
Kosovo
22/11/2024

KËNGË E ZGJUAR – NJË ANTOLOGJI QË PËRFSHIN 34 POETË TË DARDANËS

Arkivi

Vështrim mbi antologjinë e poetëve të Dardanës përmbledhur në librin “Këngë e zgjuar” të autorit Sinan Sadiku, botuar nga Klubi letrar “Nositi” në  Dardanë.

Në jehonën e letërsisë bashkëkohore, antologjitë luajnë një rol të rëndësishëm në përmbledhjen e veprave të autoreve dhe autorëve, si dhe në dhënien e një pasqyre sa më gjithëpërfshirëse të fushës poetike. Një antologji poetësh është si një mozaik i pashtershëm, ku çdo copëz luan rolin e pandarë për të formuar një pikturë të plotë dhe të ndjeshme. Kjo antologji që marrim në shqyrtim përfshin 34 poetë, dhe, me krenari, mund të themi se është një përmbledhje e 280 poezive, ku çdo strofë përjeton një kapitull të ri dhe shkruan një faqe të panjohur të letërsisë.

Nëpërmjet kësaj antologjie, secili poet, kuptohet edhe poete, formon universin e vet të ndjeshëm dhe të perceptuar ndryshe në botën e ndërgjegjes së lexuesit. Liria e shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve është thelbi i kësaj përcjelljeje letrare, dhe është e theksuar në çdo vjershë të kësaj përmbledhjeje. Ky tipar është pasqyrë e pasionit të thellë që çdo poet ndien dhe shpreh ndaj artit të fjalës dhe krijimtarisë.

Po ashtu, një element thelbësor në vlerësimin e kësaj antologjie është roli i kritikut që nxjerr në dritë perlat e fshehura mes rreshtave. Kritiku merr detyrën e një eksploruesi që zbulon thesaret e fjalëve dhe ndjenjave, dhe jo rrallë herë ai vetë bëhet pjesë e përvojës letrare gjatë analizës së poezive. Vlerat letrare dhe talenti i poetëve për thurjen e fjalës bëhen evidente përmes kthimit të këtyre poezive në interpretime të thella dhe të vlefshme për lexuesin.

Kjo antologji është dëshmi e qartë se arti është si pasqyrë e jetës, ku secili poet i ka dhënë poezisë ngjyrat e ndjenjave dhe perspektivat e mendimeve të tij të veçanta. Është një kartolinë e kohës ku ndërthuren ëndrrat, hallet, gëzimet dhe trishtimet e të gjithë atyre që kanë lënë gjurmë në faqet e kësaj përmbledhjeje. Në këtë antologji, secili poet, në vargjet e tij, jep frymëzim dhe jetë, duke krijuar një spektër emocionesh dhe idealesh që mbushin zemrat dhe mendjet e atyre që i lexojnë.

Siç mund të pritet, kritika nuk është e përqendruar vetëm te gjetja e defekteve të vogla, por në bashkëfestimin e pasurisë së gjallë të mendimit poetik. Çdo kritikë është e frytshme nëse në thelb ka një dashuri të thellë dhe respekt për punën e poetëve, dhe ky është ndër qëllimet më të larta të kësaj antologjie. Kur kritika është e shëndoshë dhe e ndërtuar mbi bazat e mirëkuptimit të poezisë, ajo bëhet një partner jetësor në procesin e ndarjes së letërsisë me lexuesin.

Një vëmendje e veçantë duhet kushtuar faktit që në antologji nuk janë përfshirë të gjithë poetët e kësaj treve dhe kjo është diçka që vë në pah kufizimet natyrore të çdo përmbledhjeje të këtij lloji. Kjo nuk duhet të jetë shikuar si një mangësi, por më tepër si një mundësi për edicionet e ardhshme që mund të zgjerojnë horizontin e poetëve të përfshirë dhe të japin një panoramë edhe më plotësuese të një peizazhi poetik. Do të kisha pasur dëshirë që edhe ndonjë poezi imja të përfaqësohej në këtë antologji; mbase autori do të duhej të përdorte një krehër më të shpeshtë e të përfaqësojë edhe ndonjë poet më shumë, edhe ndonjë poezi më shumë. Sidoqoftë, kjo përzgjedhje e autorit Sinan Sadiku nuk duhet të demotivojë poetët dhe poeteshat në ardhje, përkundrazi le të jetë kjo antologji një dridhje sizmike për gara në poezi cilësore. Kështu fiton poezia, kështu fiton antologjia e radhës.

Megjithatë, nën pena të poetëve të zgjedhur, çdo poezi është një lundrim nëpër mbretërinë mbresëlënëse të artit, ku secila fjalë e zgjedhur ka fuqinë të krijojë imazhe të forta dhe të ndezë ndjenja të thella. Çdo poezi është një udhëtim unik i shpirtit dhe mendjes që flet për fuqinë e jashtëzakonshme të krijimit artistik dhe të lidhjes mes njerëzve përmes fjalës të shkruar.

Në përfundim, kjo antologji është një testament i pasurisë dhe diversitetit të poezisë. Ajo është një urë midis botëve emocionale të autorëve dhe lexuesve, dhe një burim i madh frymëzimi dhe kënaqësie për të gjithë ata që vlerësojnë artin e poezisë. Kjo përmbledhje nuk është thjesht një libër; ajo është një oazë për shpirtin në kërkim të bukurisë së fjalës, të ndjenjës së hapur dhe të mendimit të lirë. E tëra që u mbetet lexuesve është ta ndiejnë dhe ta shijojnë secilën vjershë si një kohë të re të artit poetik.

Gjatë kohës së leximit të kësaj antologjie unë kalova një mbrëmje letrare me 34 burra e gra. Një pasuri e llojit të vet.

Ndaj, me këtë rast po përpiqem që këtë antologji ta “vështroj” edhe me disa vargje poetike si dëshmi se poezia ka rreze të forta laserike, prandaj trimëroj poetet e poetët që të krijojnë më tepër vetëbesim, duke u matur edhe me poetë jashtë kufijve të tyre administrativë, krahinorë, shtetërorë e kontinentalë./Xhevdet Kallaba/

NË VËSHTRIM TË ANTOLOGJISË “KËNGË E ZGJUAR”

Nga tingujt që shpërthejnë në çdo fjalë,
e poetët si yje në qiellin e letërsisë ndriten
në një antologji, ku tridhjetë e katër zëra bashkohen,
e dyqind e tetëdhjetë poezi rrjedhshëm renditen,

faqe më faqe lexoj vargjet, si të ishin fletët e jetës.

Çdo strofë përjetimi një kapitull të ri shkruan

çdo poet, si një magjistar, universin e vet formon

me penën si çekan në thellësinë e ndjenjave gjurmon

ndër vargje është liria dhe në rreshta pasioni,
është dashuri e shkruar, është lufta, është misioni.

Për këtë antologji të zemrave poetike
kritiku zbulon artet e holla,
nxjerr në dritë perlat e fshehura mes rreshtave
ngre në piedestal talentin e zënë në oda e në shkolla.

Mos hulumto defektet e vogla në një vështrim kritik
festo frytet e pasurisë së gjallë të mendimit poetik!

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja