17.5 C
Kosovo
17/09/2024

Ndahet nga jeta Hazir Thaçi – babai i dëshmorit Asllan Thaçi nga Karaçeva e Poshtme

Arkivi

Në një mëngjes të qetë dhjetori, zemrat tona u ndjenë të rënda nga humbja e një figure patrioti të heshtur dhe një babai të dashur. Hazir Thaçi, i lindur më 17 maj 1933, na la për në jetën e përtejme më 4 dhjetor 2023.

Që nga moshë e re, Haziri, siç e njohin të gjithë, u përkushtua për bagëtinë dhe pronën e familjes së tij në Karaçevë. Në moshën 12-vjeçare, ai fillon të punojë me përgjegjësi dhe imtësi të palodhur në punët e fushës, demonstron një shembull të jashtëzakonshëm të përkushtimit dhe ndihmën ndaj familjarëve të tij.

Vitet e hershme e gjetën Hazirin në Banat të Vojvodinës, ku, edhe pse në moshë të re, punon me një qëllim të qartë – të ndihmojë atë familje që i dha jetë dhe mbështetje përbrenda fshatit të tij.

Rreth 20 vjet punoi zellshëm në firmën e ndërtimtarisë “Schmidli AG” në Rafc-Bylah, në Zvicër, ku puna e tij e palodhur zgjati deri në pensionimin e tij të parakohshëm më 1989.

Por, lufta e fundit nuk e kurseu dot xha Hazirin. Dhimbja e madhe gjatë këtij rrugëtimi ishte humbja dramatike e djalit të tij të dashur Asllanit, në maj të vitit 1999, një plagë që mbeti e hapur deri në fund të jetës së tij.

Baca Hazir, e ka ruajtur me nderim atë krenari atdhetare, ndërsa dhembjen e ka bartur me stoicizëm të admirueshëm.

Me gjithë mundësinë për të jetuar në Zvicër, Haziri zgjodhi të kthehet në vendlindjen e tij, në Karaçevë – tokën ku u rrit, ku la djersën dhe mallin e tij. Aty përfundoi ditët e tij, dhe aty dëshiroi të prehet në përjetësi, pranë të parëve dhe historisë së tij.

Në këtë ditë të përjetshme lamtumire, ne nderojmë jetën dhe karakterin e Hazir Thaçit, një njeri që edukoi breza me shembullin e tij, që ndërtoi ura ndërmjet fshatrave dhe zemrave, që mbrojti të gjallë kujtimin e të birit dhe që u dorëzua vetëm përpara ligësive të natyrshme të jetës.

Le të marrë fjala lamtumire një kuptim tjetër – jo si një fund, por si një përkujtim i një jete që nuk do të shuhet në zemrat dhe kujtimet tona. Familja e tij, fshati i tij, dhe atdheu i tij përjetshëm do t’i mbajë gjallë vlerat e tij jetësore që ai na la në amanet.

Pusho i qetë, i dashur Hazir, toka e Karaçevës do të ruajë nën dhé një pjesë të pathënë të jetës tënde, një trashëgimi që mbartet përgjatë brezave!

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja