12.5 C
Kosovo
22/11/2024

Në Stubëll të Vitisë u mbajt edicioni i 34-të “Takimet e dom Mikel Tarabulluzit 2023”

Arkivi

Si përherë, të shtunën e fundit të muajit shtator, në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë, mbahet manifestimi tashmë tradicional kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”. Kështu, më 23 shtator 2023 Stublla priti mysafirë nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, që madhështuan takimet e dom Mikel Tarabulluzit.

Në hapje të takimeve, Fatmir Koliqi – famullitar i Stubllës dhe kryesues i Shoqatës së Takimeve të Dom Mikelit u uroi mirëseardhje të gjithë mysafirëve në takimet e 34-ta të Dom Mikelit, dhe u bëri me dije se ata sot janë tubuar në një vend ku ka filluar një histori e famshme dhe e bukur e mësimit shqip, jo vetëm në vitin 1905, por qysh në shekullin e 16-të, dhe Dom Mikeli është një vazhdues i atyre prelatëve dhe meshtarëve e mësuesve të famshëm dhe të vyeshëm që e ka lëvrue dhe nuk e ka lënë me vdekë gjuha jonë shqipe.

Famullitari Fatmir Koliqi bëri të ditur se ky edicion i 34-të i kushtohet 120-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh Ernest Koliqi, dhe se në këto takime do të referojnë njerëzit kompetentë, profesorët e nderuar, të ftuar nga të gjitha pjesët e trojeve tona shqiptare, ku u diskutua për çështjen e identitetit tonë kombëtar.

Ai, krahas të të gjithë të pranishmëve përshëndeti në veçanti shkëlqesinë e tij, ipeshkvin imzot Dodë Gjergjin, që ishte edhe nikoqiri kryesor i këtyre takimeve, pastaj ish-kryeministrin z. Ramush Haradinajn; nënkryetarin e komunës së Vitisë z. Hasan Aliun, përfaqësuesit e Universitetit të Gjilanit, që janë edhe bashkorganizatorë të këtyre takimeve, pastorin e nderuar Fehmi Cakollin; kryetarin e Bashkësisë Islame të Vitisë – Hysamedin Hoxhën, përfaqësuesit e Kforit, të Policisë së Kosovës, dhe të gjithë miqtë përfaqësues, shkrimtarë, gazetarë etj., me theks të veçantë ligjëruesit e këtij manifestimi nga Shkodra, Shkupi, Prishtina e Gjilani.

Në emër të Universitetit “Kadri Zeka”, zonja Nevrije Ismajli bëri të ditur se Universiteti Kadri Zeka ka shtatë vjet që ka një bashkëpunim të ngushtë me këtë manifestim madhështor, duke i komplimentuar stubllasit për organizim të suksesshëm.

Mirëseardhje të përzemërt mysafirëve, në emër të vetin dhe të kryetarit të Vitisë u uroi edhe nënkryetari i Komunës së Vitisë, z. Hasan Aliu. Ai shprehu kënaqësinë që në mesin e mysafirëve janë të pranishëm dy profesorë të nderuar të Anamoravës: Mehmet Halimi e Isak Shema

Z.Aliu tha se kjo ngjarje lidhet edhe me hapjen shkollës së parë shqipe në Kosovë, duke i dhënë edhe më shumë vlerë kulturore e arsimore, jo vetëm Vitisë dhe Kosovës, por edhe arsimit shqip.

Takimin e përshëndeti edhe ish-kryeminstri dhe tash deputeti i parlamentit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj: “Ne jemi bashkuar sot në Stubull për të folur për arsimin shqip, dhe veçanërisht me kujtue një nisje, nisjen e shkollës së parë shqipe këtu, dhe me ia dedikue, me vazhdue me falënderue, siç thuhet: atyre që kanë bërë një shërbim, me i thënë faleminderit për shërbimin, pra ne gjithnjë do të bashkohemi këtu me i thanë faleminderit për shërbimin dom Mikel Tarabulluzit që filloi mësonjëtoren e parë shqipe mu këtu në Stubëll. Po ashtu nuk harrojmë asnjëherë me i falënderue ata që ndihmuan identitetin tonë, jo vetëm gjuhësor, por kombëtar, dhe kësisoj sot me të drejtë nderojmë një prej figurave që ka lënë gjurmë në identitetin tonë gjuhësor, pra edhe në arsimin shqip e që është Ernest Koliqi, i cili në kohërat më të vështira, pra të Luftës së Dytë Botërore arriti me e shpërnda, me e mbërri Kosovën me shumë mësues, me shumë përhapës të arsimit shqip”, tha ndër të tjera z. Haradinaj.

Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti Monsinjor imzot Dodë Gjergji: “Paqja me juve; është kënaqësi me ju pa kaq shumë, kaq të mirë e kaq të dijshëm të vendit tonë. Dëshiroj t’i përshëndes të gjithë që nga rreshti i parë deri tek ai i fundit, duke ju përshëndetur me një përshëndetje shumë njerëzore: vllazën e motra!

Në radhë të parë dëshiroj ta falënderoj Zotin dhe juve, popullin tonë dhe paraardhësit e mi që mund ta shohim njëri-tjetrin në sy, dhe s kemi nevojë të turpërohemi për atë që ishim, për atë që bëmë e për atë që jemi.

Takimet e Dom Mikelit filluan në kohën më të vështirë. E mbaj mend takimin e parë, sepse isha meshtar i ri, ishin gjigantët tanë para nesh Nikprela, Mark Krasniqi etj, etj.

Takimet e Dom Mikelit filluan në kohën e zjarrtë të vullnetit të popullit tonë për liri, filluan në kohën kur vlonte shpirti ynë për ta gjetur paqen, jo vetëm paqen e brendshme por paqen reale për të jetuar në liri.

Vëllezër e motra fort të dashtun, në të kaluarën dëshiruan të na mësojnë të harrojmë, sepse fitorja më e madhe e armikut ishte – ta harrojmë vetveten, sepse atëherë mendonte se do të na kishte. Por kisha, në ekzistencën e saj, edhe në veprën e saj është përpjekur me një qëllim të shenjtë që të japë kontributin e vet e t’i kujtojë njeriut tonë gjithmonë të vërtetën, që të mos e harrojë vetveten. E, s’e kemi harrue, prandaj edhe jemi këtu bashkë, ani pse jemi do myslimanë, e do protestantë, do katolikë e do mendojmë që e ardhmja duhet të ecën në këtë drejtim e do mendojmë që e ardhmja duhet të shkojë në atë drejtim; disa shohim pak më larg sesa na merr mendja, e disa nuk shohim as para hundës edhe pse e dimë. Prandaj dëshiroj në këtë takim të ftoj gjithë njerëzit vullnetmirë se sot nuk na mungon dija. Por, sot s’po jemi të aftë me përtyp dijen me mendjen tonë të ndryshkur. Prandaj na vyen që ta mprehim mendjen si majën e lapsit, sepse me shkrue shkruan çdo majë e lapsit, trashë e holl, ama ne na vyen me mpreh mendjen që shkronja jonë e shkrueme A e deri në Zh të jetë e pashme, e lexueshme dhe e bukur”, ishin fjalët e imzot Dodë Gjergjit, në hapje të Takimeve të Dom Mikelit, në Stubëll.

Për mbarëvajtjen e tryezës shkencore me tema kushtuar jetës dhe veprës së Ernest Koliqit si poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg dhe themelues i tregimit modern shqiptar, u kujdesën prof. Nevrije Ismajli, prof. Namon Maloku dhe prof. Sarë Gjergji.

Referuesi i parë i tryezës shkencore ishte prof. dr. Romeo Gurakuqi (Tiranë): Në përpjekje për të paraqitur aktivitetin e Ernest Koliqit, si rezultat i punës së tij kërkimore-studimore, në mënyrë skematike dha disa sentenca përkufizuese, duke bërë të qartë se cili ka qenë pozicioni i Ernest Koliqit në jetën politike shqiptare, në jetën intelektuale shqiptare dhe në udhëheqësinë më të përparuar properëndimore të Shqipnisë dhe të Kosovës. Pra, ai dha një përmbledhje për Ernest Koliqin, formimin e tij të përgjithshëm nga vjen Ernest Koliqi si ministër i Arsimit, si ideator i Institutit të Studimeve shqiptare; kontributin e Ernest Koliqit në krijimin e sistemit shkollor në gjuhën shqipe në Kosovë dhe në viset tjera të liruara në periudhën e LBD (Luftës së Dytë Botërore); kontributi i Ernest Koliqit në udhëheqësinë e rithemelimit të toponomastikës së Kosovës në periudhën e LBD-së për ta shqiptarizuar esencën pozitive dhe kthimin e saj në dinjitetin pararendës iliro-arbnor;

Prof. Gurakuqi vlerësoi lart kontributin e Koliqit për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Një moment mjaft i veçantë, që në planin kombëtar merr rëndësi të dorës së parë në karrierën e ministrit të arsimit – Koliqi, ka qenë edhe nisma e tij e aksionit të hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në trevat shqiptare të liruara pas dezintegrimit të Jugosllavisë, në vitin 1941.

Në vitin 1943 pa u mbushur dy vjet nga koha e integrimit të Kosovës në Shqipëri, në viset e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi punonin 511 shkolla fillore në gjuhën shqipe dhe rolin kryesor në këtë themelim e ka luajtur Koliqi, tha ndër të tjera prof. Gurakuqi (kumtesat e këtyre referuesve do të publikohen në një shkrim të veçantë në portalin inforogana.com)

Profesor Merxhan Avdyli (Gjilan) referoi mbi temën: “Ernest Koliqi figurë poliedrike në kulturën shqiptare dhe kontributi i tij në zhvillimin e arsimit shqiptar”.

Një prej personaliteteve të tilla, një figurë poliedrike në kulturën shqiptare është pa dyshim Ernest Koliqi, i sprovuar në disa fusha, i dëshmuar në letërsi dhe një kontribuues i veçantë dhe i jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit shqiptar. Historia e arsimit shqip është sa e lashtë po aq edhe krenare me gjithë vështirësitë dhe sakrificat e zhvillimit të saj. Themi e lashtë për faktin se shqiptarët nuk pushuan së punuari në arsimin shqip në trojet e tyre etnike. Historia e arsimit shqip është mbushur me ngjarje të mëdha të lavdisë dhe të krenarisë, deri në sakrificat që bënë mësuesit shqiptarë, por edhe arsimdashësit e profileve të tjera. Madje, ata duke qenë të vetëdijshëm se arsimi është arma kryesore e çdo populli dhanë çdo gjë nga vetja e tyre për ngritjen, zhvillimin dhe konsolidimin e arsimit shqip. Gjenerata të shumta atdhetarësh kanë dhënë kontributin e tyre në arsimin shqip, që nga i pashembullti që ishte mësuesi i parë shqiptar Pandeli Sotiri e duke vazhduar me Sevasti dhe Qerasim Qirijazin, Luigj Gurakuqin, Ali Harshovën etj, etj.

Në gjithë këtë plejadë arsimdashësish një vend mëse të merituar në panteun e arsimit shqip e ka pa dyshim Ernest Koliqi, njëra nga figurat më poliedrike të kulturës shqiptare kontributi i të cilit është tepër i çmueshëm për arsye se ai në veprimtarinë e tij të përgjithshme në arsimin shqip bëri atë që nuk e kishte bërë askush deri atëherë, sepse kontribuoi konkretisht në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngritjen, zhvillimin dhe konsolidimin e arsimit shqip në Kosovë, duke i forcuar themelet e arsimit shqip në Kosovë, përkatësisht duke e ndërtuar një godinë kulture e cila u qëndroi stuhive të kohës dhe erdhi deri në ditët e sotme.

S do mend se mësuesit nga Shqipëria ndikuan në fuqizimin e ndërgjegjes kombëtare, jo vetëm në mjediset shkollore, por edhe në popullatën shqiptare në Kosovë, referoi, ndër të tjera, prof. Merxhan Avdyli.

Prof. dr. Veton Latifi (Shkup): “Diplomacia arsimore e Koliqit”

Prof. Latifi u përqendrua nga këndvështrimi i filozofisë politike të Ernset Koliqit, i bindur që kishte një vizion të mbështetur në një filozofi politike. Në punën e tij kërkimore-studimore ai kishte arritur t’i identifikonte disa nga emrat e mësuesve të parë që Ernest Koliqi i kishte dërguar në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit e që i lexoi emër për emër në këto takime. Ai vlerësonte lartë Koliqin që, falë punës së tij, shqiptarët kishin shtuar kontaktet e tyre në të gjitha fushat: qarkullimi, njohja, mishërimi i shqiptarit me shqiptarin, nga njëri cep në cepin tjetër, dhe për këtë punë meritor ishte vetë Koliqi.

Hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Çamëri si dhe  lansimin e librave shqip në këto vende, nga Ernest Koliqi, prof. Latifi i vlerëson si diplomaci arsimore. “Ç’është e vërteta, në atë kohë diplomacia arsimore nuk ishte aq e zhvilluar, as që ndokush kishte folur për diplomacinë arsimore. Por, edhe vetë Koliqi mbase nuk e dinte se kjo një ditë do konsiderohej arsimore. Por, sot nga kjo distancë kohore unë e shoh me një dioptri reale shkencore, e prandaj e kam pagëzuar si diplomaci arsimore të Ernest Koliqit”, u shpreh prof. Veton Latifi.

Ishte për t’u vlerësuar referati i prof. Veton Latifit dhe përmbyllja e tij me një mesazh të Ernest Koliqit drejtuar intelektualëve që futen në politikë: – o futu në politikë me një projekt të madh, si ky që e bëri ai (Koliqi) – o mos u fut hiq dhe vazhdo studio e vazhdo jep kontributin tënd si intelektual!

Prof. dr. Xhavit Beqiri (Prishtinë): Ernest Koliqi, pajtori i traditës dhe modernes

Prof. Beqiri tha se Koliqi e cilësoi poetin tonë kombëtar Gjergj Fishtën interpret i shpritit shqiptar. “Shëmbëllyeshëm me Fishtën ky epitet do t’i rrinte shumë mirë edhe vetë Ernestit qoftë si krijues, qoftë si veprimtar. Përderisa Fishta e krijoi në vargje Lahutën e Malësisë si ep të shpirtit e të kujtesës nacionale Koliqi këtë shpirt e këtë kujtesë e shndërroi në art të përbotshëm letrar nëpërmjet teksteve në prozë: “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e narçizit”, nisi kumtesën e tij prof. Xhavit Beqiri. Ai, më tej, shpjegoi se si Koliqi kishte lexuar dhe interpretuar edhe letërsinë e shkrimtarëve të Kosovës, duke i trajtuar veçoritë letrare eseistike të poetëve të asaj kohe, si: Esad Mekuli, Adem Demaçi, Latif Berisha, Enver Gjerqeku e të tjerë.

“Koliqi pati ndjeshmëri unike për lirikën dhe talent të rrallë për tregimin. Ai krijoi si modernist me vetëdije e kujtesë të jashtëzakonshme për trashëgiminë letrare, kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të vet, për edukimin dhe emancipimin e të cilëve dha kontribut shumëdimensional. Vepra e tij letrare e shkruar në variantin shkodran të gegërishtes veriperëndimore, me gjatësinë e vokaleve, me nazalitetin dhe simbolizmin tingullor të tingujve përbën një monument gjuhësor e artistik, pa  dyshim një ndër më të pasurit e gjithë letërsisë shqipe. Stabiliteti zhanror, qartësia e shprehjes, koherenca mahnitëse logjike dhe gramatikore janë veçori të krejt krijimtarisë letrare të tij. Madje, vepra e tij mund të konsiderohet si më e pasura, sa i përket koloritit leksikor dhe transpozicionit semantik të fjalës, në tërë trashëgiminë tonë letrare. Po ashtu Koliqin e bën të veçantë aktualiteti i përhershëm i krijimeve të tij. Tregimet e tij në mesazhet artistike që përçojnë, me idetë dhe tematikën e tyre, duken si të ishin shkruar sot”, referoi ndër të tjera prof.. Beqiri në “Takimet e Dom Mikelit”.

Pjesë e këtij manifestimi ishte edhe dhënia e dy çmimeve për dy veprimtarë të Anamoravës. Shoqata kulturore shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi” në Stubëll i dha çmimin “Dr. Gjergj Gjergji – Gashi” akademikut Mehmet Halimi për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e dialektologjisë  dhe mbështetjen e vazhdueshme të manifestimit kulturor, letrar e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, si dhe në kuadër të “Takimeve të Dom Mikelit” u dha edhe çmimi i “QESHK SH. Ukaj” (veteran i arsimit) që iu dakordua prof. Engjëll Koliqit, për kontributin e tij në fushën e arsimit, në Komunën e Vitisë.

Ajo që përherë i jep freski këtyre takimeve, pa dyshim është Ora e madhe letrare, e cila gjithnjë e më tepër po sjell dashamirë të fjalës së shkruar në këtë manifestim. Në fakt, kjo orë letrare la për të dëshiruar praninë e poetëve të moshës rinore, të cilët janë të pakët edhe në manifestime tjera letrare.

Moderatori i kësaj ore letrare, prof. Nexhat Rexha ftoi në skenë rreth 25 poetë për të deklamuar poezitë e tyre të shkruara enkas për këtë manifestim.

Ishin këta poetë nga të gjitha trevat shqiptare që me poezitë e tyre ia shtuan peshën takimeve të Dom Mikelit.

Juria në përbërje të prof. dr. Luljeta Isaku, dr. Ilire Zajmi dhe prof. Mehmetali Rexhepi përzgjodhën tri poezitë më të mira të kësaj ore letrare.

Me këtë rast, në një konkurrencë të fortë, u përzgjodhën tri poezi për shpërblim: shpërblimin e parë e fitoi Dije Demiri – Frangu me poezinë “Njerëzit janë edhe të marrë”, kurse shpërblimin e dytë dhe të tretë i ndanë poetët: Enis Reçica dhe Irena Gjoni.

Manifestimi vazhdoi me ekspozitën me dokumente nga arkivat e Vjenës të përgatitur nga dom N. Shabani dhe publicisti Albert Ramaj.

Për mysafirët organizatori kishte përgatitur drekë për ta vazhduar manifestimin nga ora 18 me programin muzikor Fest Folk Stublla, me ansamble nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Zvicra dhe Italia./Xhevdet Kallaba/

 

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja