Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira
Në ambientet e Bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u bë përurimi i librit të Mr.sc. Hasan Hoti me titull “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira”.
Duke përshëndetur të pranishmit e këtij përurimi, avokatja dhe moderatorja e kësaj ngjarjeje, zonja Albulena Ukimeri tha se ky libër është një dëshmi e fuqishme e aftësisë krijuese të z. Hasan Hoti si dhe një shpërblim i punës së tij të palodhshme. Pas një biografie të shkurtër të autorit Hoti, zonja Ukimeri fjalën ia kaloi recensentit të librit, prof. asoc. dr. Fejzullah Hasani.
Vetë fjala gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira tregon se vërtet ishte vështirë të ishe avokat dhe gjyqtar në atë kohë, për faktin se, siç dihet, pas vitit 1981 çdo kontest, sa më i thjeshtë që ishte, hidhej në taborin e nacionalizmit shqiptar, madje edhe atëherë kur ishte një kontest qoftë edhe një rrënim i mezhdës mes një serbi e një shqiptari për çka gjithmonë tentohej që të instrumentalizohej dhe t’i jepej një konotacion politik, tha mes tjerash z. Fejzullah Hasani. Zoti Hasani vlerësoi lart punën e z. Hoti duke vlerësuar këmbëngulësinë e tij krijuese dhe duke i uruar suksese të mëtejme.
Me një fjalë rasti për vlerat e librit foli recensenti tjetër i këtij libri, dr.sc.spec. Shemsedin I. Pira. Ai tha se brumi i këtij libri është subjekti njeri i vjelë nga proceset e ndryshme gjyqësore, duke i trajtuar nga një vështrim shumë i veçantë specifik, duke mos i fryrë a zmadhuar proceset e mbajtura gjyqësore, por duke i paraqitur në mënyrë objektive. Z. Pira vlerësoi lart guximin intelektual të z. Hoti i cili në thellësi ka respektuar kontinuitetin e rrjedhave të gjykimeve dhe me besnikëri ka theksuar përmbajtjen e shkresave të cilat janë procesuar. Aktgjykimet e përpiluara nga Hasan Hoti kanë qenë dhe mbeten art i pashlyeshëm për gjeneratat e ardhshme. Me tërë integritetin intelektual, moral e profesional avokati Hoti ka luftuar që të drejtën ta vë në binarë të drejtësisë, prandaj autorit më së miri do t’i atribuohej thënia e lashtë latine “Le të fitojë drejtësia dhe le të përmbyset bota”, tha ndër të tjera recensenti i këtij libri z. Shemsedin Pira.
Edhe vetë autori i librit mbajti një fjalë rasti, duke folur për librin dhe grumbullimin e brumit të tij. Veç tjerash autori Hoti theksoi peshën e gjyqtarit në një shoqëri për të thënë: “Nuk ka mision më të mirë në këtë botë reale sesa me qenë gjyqtar, jo avokat, jo prokuror, përkundër të mirave që i kanë këto funksione. Pra të jesh gjyqtar dmth, ta ndash drejtësinë prej momentit kur e fillon karrierën e deri në përfundim të saj, duke përmendur edhe disa raste konkrete, të cilat i prezanton edhe në libër.
Një tjetër folës për librin ishte ish-kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli. Ai bëri një analizë dhe një vështrim kritik për librin “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira”.
Në ekspozenë e tij ai konstaton se autori përmes punës së tij si gjyqtar, përmes rasteve gjyqësore, në një mënyrë e ka pasuruar edhe fatin e popullit në drejtësinë e atëhershme. Gjatë punës së tij si prokuror dhe gjyqtar autori në libër përshkruan vetveten sesi profesionit të gjyqtarit i kishte hyrë me një entuziazëm të lartë të përgatitjes së tij profesionale, por edhe situata shumë të vështira të ndërhyrjes së politikës në sistemin e drejtësisë për të cilat gjyqtari Hoti assesi nuk pajtohet. Z. Havolli çmoi lart guximin profesional dhe njerëzor të z. Hoti, duke i përmendur me emër rastet të cilat i kishte marrë përsipër avokati Hoti e që i kishte përfunduar në favor të tij.
Në mesin e audiencës pati edhe ish-klientë të avokatit Hoti, të cilët evokuan momente nga gjykimet, respektivisht mbrojtja dinjitoze e tyre nga avokati Hasan Hoti.
Halim Hyseni vlerëson lart librin e z. Hoti duke e komplimentuar për stilin e shkrimit të tij, por edhe për përzgjedhjen autentike të personazheve si dhe reflektimin e emocioneve që paraqesin rastet e përpunuara në libër. Nga pikëpamja e një pedagogu, z. Hyseni preferon që libri “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira” duhet të jetë pjesë e bibliotekës e secilës familje, sidomos pjesë e bibliotekës së studentëve të Fakultetit të Drejtësisë
Raste personale e të mbrojtur nga avokati Hasan hoti evokuan edhe Reshat Maliqi e Hamdi Hyseni që ishin po ashtu pjesë e këtij libri.
Për të pranishmit familja e z. Hasan Hoti kishte përgatitur një apero, ndërkaq një kontingjent i librit ishte shpërndarë që më parë./Xhevdet Kallaba/
- Advertisement -
- Advertisement -