Në 89-vjetorin e lindjes së Atë Antonio Bellushit (Bellusci), një personalitet i çmuar i Frasnitës së Kalabrisë, ka ardhur koha të reflektojmë mbi kontributin e tij të pazëvendësueshëm për bashkësinë arbëreshe. Ditëlindja e Atë Antonio Bellushit sjell më vete kujtime të jashtëzakonshme, suksese të shumta dhe një vizion të madh për të ardhmen e popullit tonë.
Gjatë gjithë jetës së tij, ai i ndihmoi të tjerët të arrijnë tërheqjen e vëmendjes së publikut drejt çështjeve të rëndësishme të shqiptarisë, si dhe të tregonte një maturi të thellë për të gjitha aspektet e diasporës arbëreshe.
Frasnita, vendi i tij i lindjes, u bë një qendër ku nënvizoheshin ndryshimet e mrekullueshme që ai kishte arritur. Atë Antonio ka krijuar një rrjet aktivistësh kulturorë, që u rrit me kalimin e kohës, dhe përfshinte aktivitete të ndryshme për të promovuar trashëgiminë kombëtare të arbëreshëve. Njëri prej projekteve më tërheqëse ishte krijimi i një biblioteke, e cila edhe u pagëzua me emrin e tij. Kjo bibliotekë u bë shumë më shumë se një institucion: ajo u bë një vend i shenjtë ku ëndrrat dhe dëshirat e secilit mbahen të gjalla përgjithmonë. Çdo vizitë që i bëhej Atë Antonio Bellushit lidhej edhe me bibliotekën. Nëpërmjet kësaj biblioteke arbëreshët kanë mundësinë të hyjnë në kontakt me trashëgiminë e tyre të pastër, të mblidhen dhe të bashkëjetojnë me kulturën shqiptare.
Katarina Bellushi, e motra e Antonios, ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për vëllain. Ajo ka qenë gjithmonë pranë tij, bashkëpunon me të në çdo veprimtari atdhetare dhe e ndihmon atë në veprën mahnitëse që ai bëri dhe po bën ende. Motra Katarina ka qenë një frymëzim për të gjithë shoqërinë tonë dhe një shembull i gjallë i atdhetarizmit të vërtetë.
Kur më 27 shtator 2022, bashkë me bashkëshorten time, Nexhmijen, vizituam familjen Bellushi, Katarina e kishte derën të hapur për mysafirë.
Pra, gjatë vizitës në Kalabri, adresa jonë e radhës ishte shtëpia dhe biblioteka e Atë Antonio Bellushit dhe e motrës së tij, Katarina.
Morëm këtë rrugë dhe u ndalëm para bibliotekës arbëreshe që po mbante emrin: Antonio Bellusci. Nuk pati fare nevojë t’i binim ziles. Prapa perdeve që rrinin në anën e jashtme të derës hyrëse u lajmërua një zë kumbues femre të moshuar. Ejani, futuni brenda e zoti (Ati) është lart në bibliotekë! Hymë brenda dhe së shpejti nga Katarina u gostitëm me pjekurina biskotash e me nga një gotë raki. Sapo u prezantuam ajo filloi këngën mikpritëse “Japim dorën o vëllezër, se na jemi gjaku i shprishtë”. Katarina ishte një grua shumë e përzemërt me mbi 80 vjeçe, dhe fliste shumë mirë shqip.
Pas pak arriti Atë Antonio me dy zonja. Ishin nënë e bijë: zonja Vavolise Ilde me vajzën Braile Rozita. Zonja Rozita kishte ardhur në bibliotekë për të kërkuar materiale për shkrimtarin dhe intelektualin frasnitas Vicenzo Dorsa, ndërkaq profesori Bellushi ishte vënë në dispozicion bashkë me bibliotekën e tij, me mbi gjashtë mijë tituj.
Mikpritja ishte më shumë se vëllazërore, saqë pas një vizite të bibliotekës dhe shpjegimit rreth grumbullimit të të gjithë atyre librave dhe arkivimit të tyre, Atë Bellushi gëzimin e mikpritjes e shprehu me një dolli mikpritjeje dhe me fjalinë: “Sot kam festë, sepse kam mysafirë nga Kosova”, dhe shkoi drejt këndit ku e kishte flamurin e Kosovës, në mes të atij shqiptar dhe italian. Gëzimi shihej në fytyrën e tij ngazëlluese. Ndonëse, sapo kishte mbushur 88 vjet, Atë Bellushi, pa përtesë, fliste për autorë të shumtë që kanë zënë vend në vitrinat e bibliotekës së tij. Në bibliotekën e tij kishin zënë vend libra e revista nga të gjitha fetë dhe regjimet shqiptare, që i jepnin vend lirisë së fjalës shqipe.
Me rastin e kësaj vizite, për bibliotekën e Atë Bellushit dhurova librin tim të fundit “Kallaba – gjurmë në kujtesë”, si dhe dy ekzemplarë të librit të mikut tim Rexhep Rifati “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim”, parathënien për të cilin e kishte shkruar vetë Atë Antonio. Për kundërshpërblim, mora dhuratë dhe me dedikim librat me autorësi të tij: “Rrugëtimi i një arbëreshi”, “La Biblioteca arbëreshe bizantina “A.Bellusci”, “Regesto”, “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade”, disa numra të revistës “Lidhja” dhe librin me këngë “Canti sacri tradizionali albanesi”.
Rreth orës 19 erdhi edhe vëllai i Antonios, z. Toma, avokat. Ishte një takim i shkurtër, por plot përzemërsi dhe emocione. Natyrisht, emocionet nga kjo mikpritje na kishin kapluar edhe mua e Nexhmijen. Më pas Atë Bellushi na shoqëroi deri në hotelin e fshatit “Tre stelat” ku edhe kaluam natën. Nga pronarja e hotelit, kuptova se shpenzimet e hotelit i kishte mbuluar vetë z. Bellushi.
Veprimtaria e Atë Antonios si pedagog, prift dhe shkrimtar e bëri vendin e tij të vlerësuar, të njohur dhe të respektuar brenda dhe jashtë bashkësisë arbëreshe. Ai ka botuar mjaft libra ku ka trajtuar shumë tema sa historike, po aq edhe shkencore.
Feja dhe besimi ishin shumëçka për të, dhe vlerat e krishtera si dhe ato njerëzore u bënë pikënisje për të gjitha kontributet e tij. Kisha ishte institucioni ku ai shprehte pasionin për të ndihmuar të tjerët, për të mësuar dhe për të bërë që njerëzit të ndjehen të pranishëm në një mjedis të bekuar dhe të ndryshëm. Toleranca, mikpritja dhe vlerat e krishtera ishin dhe janë ende të rëndësishme për Atë Antonion dhe për të gjithë bashkësinë e tij.
Dhe, padyshim, dashuria për atdheun është një forcë e pashembullt e tij. Familja Bellushi pati vënë baza të forta të dashurisë për atdheun në zemrën e tyre, kështu që Atë Antonio e shfaqi këtë dashuri dhe përkushtim në të gjithë veprimtarinë e tij. I ndjekur nga ndjesia e thellë e detyrës ndaj vendit dhe kulturës shqiptare, Atë Antonio u vu në shërbim të mbrojtjes së vlerave atdhetare si dhe të përhapjes së traditave, vlerave dhe identitetit kombëtar. Dhe, ky detyrim, për të shijuar tërësinë e atdheut tonë, ishte ajo që e dha zgjidhjen e udhëtimeve të shpeshta në Kosovë, ku ai u përpoq të ndihmojë në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Seminaret shkencore ishin edhe një mundësi e çmuar për Atë Antonion, një platformë ku ai mundi të transferonte dijen, përvojën dhe idetë e reja te të rinjtë, që në të ardhmen do të ishin udhëheqësit e komunitetit tonë.
Gjithashtu, dëshira e vërtetë për të grumbulluar libra shqip nga të gjitha trevat shqiptare ishte një tjetër projekt i madh i Atë Antonios. Ai dëshironte të krijonte një koleksion të pasur librash që përmbanin kulturën, historinë dhe prozën e shqiptarëve, me fjalë tjera – trashëgiminë tonë. Duke grumbulluar libra të ndryshëm, Atë Antonio shpreson të ndihmojë në ruajtjen e identitetit të komunitetit arbëresh dhe këto vlera t’i bartë edhe tek brezat e ardhshëm.
Përmbledhtas, Atë Antonio Bellushi është një personalitet i jashtëzakonshëm, i cili thellësisht është i angazhuar në promovimin e kulturës dhe arsimit shqiptar.