4.5 C
Kosovo
22/11/2024

Guri peshon rëndë vetëm në vendin e vet

Arkivi

Në Dardanë/Kamenicë përurohet «Parku i ushtarëve» kushtuar tre ushtarëve të vrarë më 1991 në APJ: Florim Kosumi, Muhamed Biçku dhe Muharrem Robelli.

“Guri peshon rëndë vetëm në vendin e vet”. Kjo është një thënie e fortë, e cila përshkruan shumë saktë situatën e ushtarëve shqiptarë të vrarë në APJ. Ata ishin njerëzit që ndiqnin marshimet, që bënin detyrimisht shërbimin ushtarak, por edhe që u zgjodhën për t’u vënë në vijën e parë të fronteve okupuese gjatë luftës së APJ-së, në vitet ’90, por edhe më herët, në disa republika të ish-Jugosllavisë. Fati i shumë ushtarëve shqiptarë ishte i trishtë dhe tragjik.

Historia fillon në vitet e para të shekullit të 20-të, kur Shqipëria ishte ende një vend i ri. Fëmijët e saj e dinin vetëm luftën e ashpër që popujt e tjerë e bënin me ta për të përfituar nga pasuritë natyrore të vendit tonë. Luftërat dhe okupimi i vazhdueshëm i Shqipërisë nga fuqitë e mëdha ishin një histori e hershme, dhe për ushtarët shqiptarë kjo ishte një realitet i vazhdueshëm.

Për shumë dekada, shqiptarët u përdorën për t’i shërbyer një qeverie të huaj. Ata u morën me forcë, pa lënë dëshirat dhe ëndrrat e tyre të realizohen në trojet shqiptare.

Për fat të keq, ushtarët shqiptarë që u regjistruan në ushtrinë jugosllave nuk u trajtuan si heronj apo luftëtarë. Ata u shpërndanë në rrethe të ndryshme dhe u përdorën si “mish për top” për të luftuar sllovenët, kroatët e boshnjakët, të cilët po luftonin për lirinë dhe pavarësinë e vet. Por, ajo që nuk pritej të ndodhte ishte vrasja aksidentale e shumë ushtarëve shqiptarë. Ata vendoseshin në vijën e parë të frontit dhe rrezikoheshin të vriteshin qoftë nga kundërshtarët, kur sulmonin, qoftë nga oficerët e APJ-së, nëse dezertonin.

Florim Kosumi, Muhamed Biçku, Muharrem Robelli dhe shumë të tjerë u vranë në luftën e fundit në ish-Jugosllavi. Ata “dhunshëm” ishin pjesë e trupave jugosllave që po luftonin për të ndaluar shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata ishin pengje të një lufte të huaj dhe të mjerë. Vrasjet aksidentale, vendosjet e gabuara të ushtarëve ishin vetëm disa nga faktorët që kontribuuan në humbjen e jetëve të shumë ushtarëve shqiptarë.

Regjimi komunist në Beograd nuk e konsideronte aspak vdekjen e tyre një brengë dhe nuk i nderoi ato me nderime kombëtare. Përkundrazi, vdekja e tyre ishte dëshmi se sa e pavlerë ishte jeta e një ushtari shqiptar në regjimin e Beogradit. Protestat e nënave dhe familjeve shqiptare nuk kishin asnjë efekt, as edhe atëherë kur mijëra shqiptarë protestonin gjatë ceremonive të varrimit të atyre ushtarëve shqiptarë që silleshin të kyçur në arkivole të llamarinta. Ata mund të protestonin me qindra herë, duke kërkuar drejtësi për djemtë e tyre të vrarë, por shteti nuk i përgjigjej këmbënguljes së tyre.

Pjesëmarrja masive e ushtarëve shqiptarë në luftën e fundit e bëri atë akoma më të hidhur të pranohet fakti se përqindja e dezertimit të ushtarëve shqiptarë ishte e lartë. Ata nuk donin të përfshiheshin në konflikte të huaja dhe të jetonin nën trysninë e ushtarëve të huaj. Ata deshën ta shprehnin krenarinë kombëtare, duke shërbyer në radhët e një ushtrie për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës – në luftën e shenjtë të UÇK-së.

Por regjimi i Beogradit nuk pranoi kurrë ta kuptonte këtë. Përkundrazi, ata përdorën ushtarët shqiptarë si mish për top dhe treguan indiferencë ndaj dhimbjes dhe vdekjes së tyre. Eprorët ushtarakë serbë ishin shndërruar në një forcë okupatore që e shpërndau popullin tonë dhe jo një fuqi mbrojtëse, siç do të duhej të ishte.

Ndërsa Shqipëria arriti të fitonte pavarësinë në vitin 1912, ndjekësit e një bashkimi kombëtar nuk e panë kurrë një fitore të plotë. Ata luftuan gjithmonë për të përmbushur ëndrrën e tyre për liri dhe pavarësi kombëtare. Por historitë e vuajtjeve, tragjedia e vrarjes së ushtarëve shqiptarë dhe vuajtjet e nënave shqiptare tregojnë se guri peshon rëndë vetëm në vendin e vet. Lirinë duhet ta kemi në kështjellën e ushtarëve tanë dhe jo në kështjellën e ushtarëve të huaj.

Shi për këtë, më 11 gusht 2023, në Dardanë/Kamenicë u zbulua një pllakë përkujtimore kushtuar tre ushtarëve të vrarë në APJ, nga APJ më 1991. Në pllakë u skalitën emrat e ushtarëve Florim Kosumi, Muhamed Biçku dhe Muharrem Robelli, që patën të njëjtën vitlindje dhe të njëjtën vitvrasje (1971-1991), dhe kjo pllakë ishte e vendosur pikërisht në një gur autokton, njësoj sikur që jemi edhe ne si popull autokton në këto troje.

Po këtë ditë në sallën e shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati” të Dardanës, në praninë e familjarëve të këtyre ushtarëve si dhe të shumë qytetarëve të tjerë u bë një akademi përkujtimore kushtuar Florimit, Muhamedit dhe Muharremit, por që ishte edhe një simbolikë e përkujtimit të të gjithë ushtarëve të vrarë në armata të ndryshme jashtë shtetit amë.

Për të pranishmit u shfaq edhe një film dokumentar ku paraqiteshin, veç e veç, varrimet e tre ushtarëve të vrarë në verën e vitit 1991.

Emrat e tyre nuk munguan as në vargjet poetike të deklamuara nga vogëlushi Muharrem Robelli (nip i ushtarit Muharrem) dhe Minivere Muja Maka.

Edhe referuesit Sami Robelli, Kadri Rahimaj, Nexhat Rexha, Fadil Sahiti, bashkë edhe me moderatorin Xhevdet Kallaba përplotësuan këtë akademi me peshën që i dhanë këta ushtarë një pjese të historisë sonë kombëtare.

“Dashuria për atdheun është fitore e sigurt, pra siç ka ndodhë edhe fitorja ynë në Republikën e Kosovës me luftën e fundit të UÇK-së”, tha mes tjerash kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj.

Me këngën “Hej ju male”, kënduar nga Blerina Kallaba Pacolli, në përcjellje instrumentale të Ylberina Isufi Ibrahimaj, sikur u bë një analogji me luftërat tona të vazhdueshme çlirimtare që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët tona.

Pas akademisë pasoi një ecje e qetë protestuese e të gjithë pjesëmarrësve, në kujtim të viteve ’90, që nga shtëpia e kulturës deri te guri përkujtimor i vendosur në “Parkun e ushtarëve” ku u përjetësuan, tashmë, Florim Kosumi, Muhamed Biçku dhe Muharrem Robelli./Xhevdet Kallaba/

- Advertisement -spot_img

Më shumë

- Advertisement -spot_img

Familja