Rreth 4000 shikues u bënë pjesë e ndeshjes finale ndërmjet ekipit “Muhaxhirët” nga Rogana dhe “KF Kalaja” nga Kopërnica. “Muhaxhirët” fituan me rezultat 3:0.
Dje (30 korrik 2023), në fushën sportive të ShFMU “Metush Krasniqi”, në Roganë u tubuan rreth 4000 shikues nga fshatrat e Komunës së Kamenicës, dhe jo vetëm, për të ndjekur ndeshjen finale ndërmjet ekipeve “Muhaxhirët” nga Rogana dhe “KF Kalaja” nga Kopërnica, e cila u zhvillua në kuadër të Turneut tradicional “Rogana 2023”, filli i të cilit është që nga viti 2002.
Ndonëse organizatorët e turneut herë pas here ndërrohen, vitin e kaluar dhe sivjet ishte i njëjti grup i të rinjve roganas që morën përsipër barrën e organizimit të këtij turneu. Ishte një barrë goxha e rëndë për këtë organizim, por falë angazhimit të tyre turneu përfundoi me sukses, duke mbledhur mijëra shikues gjatë tri javëve sa edhe zgjati turneu, në të cilin morën pjesë 32 ekipe nga Komuna e Kamenicës, dhe pjesë të tjera të Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
Një pjesë e konsiderueshme e shikuesve, gjatë gjithë turneut, qenë mërgimtarë nga vende të ndryshme të Evropës, SHBA-së etj, të cilët edhe pushimet e tyre i kishin akorduar pikërisht në këtë periudhë kur edhe organizohet ky turne futbolli. Kështu që për tri javë rresht Rogana ishte edhe një vendtakim i shumë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë në Perëndim.
Shikuesit ishin moshash dhe gjinish të ndryshme, ndonëse pjesa dërrmuese ishin të rinj. Ky aktivitet sportiv ishte, si të thuash, një fllad sportiv në korrikun e nxehtë të kësaj vere përcëlluese.
Siç dihet ky dhe turnetë e mëparshëm organizoheshin në nderim të dëshmorëve roganas Selver dhe Emin Kryeziu, si dhe aktiviteteve të tjera për lirinë e këtij vendi.
Ndeshjes finale i parapriu paraqitja e fëmijëve të klubit gjimnastik “Halil Alidema” nga Gjilani, të cilët lanë mbresa tek shikuesit.
Kohëve të fundit ky turne ka edhe mbështetjen institucionale, si nga Komuna e Kamenicës, po ashtu edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ndaj, me këtë rast, një fjalë rasti, e paraqiti kryetari Kadri Rahimaj i kënaqur me organizimin e këtij turneu dhe i bindur se aktivitetet e tilla ia vlen të mbështeten dhe do të mbështeten institucionalisht edhe në të ardhmen.
Se vërtet ky turne, tashmë, ka bërë famë edhe në instancat më të larta shtetërore dëshmon fakti se në finale të këtij turneu ishin të pranishëm edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrullah Çeku, ministri i Bujqësisë z. Faton Peci, pastaj futbollisti i njohur z. Muharrem Sahitaj, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Arbëresha Kryeziu, si dhe kontribuuesit në zhvillimin e futbollit në Anamoravë e më gjerë: Adem Kryeziu, Besnik Thaqi, Agim Keka etj.
Organizimi dhe lojërat e mira të këtij turneu tradicional ishin gjithherë një arsye më shumë që sponsorët e firmave private ta ndihmojnë këtë aktivitet sportiv, i cili u bë i njohur gjithandej Kosovës, duke përfshirë ekipe futbolli nga të gjitha anët e Kosovës si dhe nga Presheva, Bujanoci e Medvegja.
Madje, kësaj radhe pati sponsorë edhe nga Zvicra dhe Austria që meritojnë respekt të veçantë.
Duke i pasur mbështetës besnikë, organizatori i turneut dha mirënjohje për secilin sponsor veç e veç, e që ishin: Resort “Planet” – Gjilan; ARKATANA – Gjilan; Mobileria Design – Roganë; Uji “DARDES” – Kamenicë; Përparimi – Kamenicë; Swiss Dental – Ferizaj; Market “Kallaba” – Roganë; Fama Petrol – Dheu i Bardhë; ArcHouse – Gjilan; Gjeodeti – Diamant Latifaj; REDENTIS – Kamenicë; Mobileria “Besiani” – Roganë; SwissConsulta+ – Zvicer; Fenster – Türen GMBH – Austri; K-Production – Roganë; Riza HairClinic dhe Renta Car “Rito” – Prishtinë; Mobileria “Ylli” – Roganë; Pronto club – Roganë;
Sponsor i përgjithshëm i këtij aktiviteti sportiv trejavor ka qenë “JAKO KOSOVA” me udhëheqës ekzekutiv z. Sedat Limani, ndërkaq sponsor medial “Inforogana” dhe faqja e FB “Turniri tradicional Rogana 2023”.
Ndeshjet gjatë turneut janë referuar nga Valbon Hoxha, Faton Jakupi, Patriot Fazliu dhe Fatlum Rexhepi. Një referim nderi e ka bërë bashkëvendësi ynë që jeton në Zvicër, referi Milaim Lakna.
Një vlerë e shtuar e këtij turneu ishte edhe angazhimi vullnetar i mjekëve dhe infermierëve nga Qendra e Mjekësisë Familjare “Shaban Geci” në Dardanë – dega në Roganë. Me këtë rast me mirënjohje u shpërblyen: Dr. Rabit Dërmaku, Dr. Fahredin Kryeziu dhe infermierët Albert Thaqi dhe Augent Latifaj.
Organizatori i turneut “Rogana 2023” dha edhe mirënjohje dhe një palë dorëza për portierin më të mirë – FERID IMERI nga ekipi KF “Kalaja” – Kopërnicë; mirënjohje dhe një top për golashënuesin më të mirë – Drilon Maxharraj nga ekipi “Muhaxhirët” – Roganë si dhe mirënjohje dhe një ndërresë me dedikim për lojtarin më të mirë – Rinor Dragusha nga ekipi “KF Kalaja” – Kopërnicë.
Mirënjohje iu dhanë edhe familjarëve të dëshmorëve roganas Selver dhe Emin Kryeziu, ndërkaq këngëtari vendës z. Vesel Kryeziu interpretoi një këngë kushtuar këtyre heronjve që ranë dëshmorë në Kosharen legjendare.
Para fillimit të ndeshjes finale shikuesit ku kënaqën me lojën e futbollistëve të vegjël “U12” – “Kamenica” vs “Kika”, të cilët dhanë shpresa për një gjeneratë të re futbollistësh të suksesshëm. Ndeshjen e fituan të vegjlit e klubit “Kika”.
Vetë ndeshja finale ndërmjet ekipit “Muhaxhirët” nga Rogana dhe “KF Kalaja” nga Kopërnica ishte qershia mbi tortë e këtij turneu futbollistik. Ishte një lojë futbolli cilësor ku lojtarët shikuesve u dhanë, përveç lojës cilësore, edhe dëshmi për sjellje të mira sportive.
Për dy vendet e para organizatori ndau, përveç kupës dhe medaljeve, edhe shpërblimin financiar. Vendi i parë – 3000 €; vendi i dytë – 1000 €;
Kupën dhe medaljet për garuesit e ndeshjes finale i ndanë kryetari i Komunës së Kamenicës z. Kadri Rahimaj dhe ministri për KRS i Republikës së Kosovës, z. Hajrullah Çeku./Xhevdet Kallaba/